E Diel, 1 Nëntor 2026

Burrizmi është më i keq se homoseksualizmi

Alban SEJDINI

Nëse 100 vite më parë quheshin trima ata që luftonin për pavarësi, një shekull më vonë trima të vërtetë në Shqipëri janë ata që pranojnë publikisht homoseksualitetin e tyre. Burrizmi shqiptarçe nuk druhet nga dy femra që puthen, sepse ato i ngjajnë jo vetëm të parrezikshme, por ndoshta edhe më epshndjellëse për pjesëmarrje se politika.

Burrizmi shqiptarçe nuk i ka shumë frikë as burrat që duan të jetojnë si gra apo të anasjelltën e kësaj, sepse e tallura nëpër tavolinat e birrave dhe qofteve gjeneron njëkohësisht njëfarë tolerimi. Megjithatë mëma e të gjitha arsyeve dhe shpjegimeve është vetëm një: burrizmi si koncept i imponuar dhe rrënjosur thellë në ndërgjegjjen kolektive të shqiptarëve. Duke qenë një vend thellësisht patriarkal jo vetëm për fajin tonë, burri shqiptar konsiderohet me hir a me pahir si dielli në qendër të universit dhe mamaja, bashkëshortja, motra, kushërira, shoqja, e dashura dhe dashnorja i vijnë përrotull sipas orbitave të përcaktuara nga vetë forca gravitacionale e burrit.

Duke gëzuar një rol kaq të rëndësishëm në pothuajse gjithë galaktikën shqiptare, ndër vite është konsoliduar përherë e më shumë sistemi i burrizmit në teori dhe praktikë. Të gjithë do të ndiheshin komodë nëse do të gëzonin një rol kaq të rëndësishëm brenda një shoqërie të tërë, prandaj edhe do të bënin çmos për të mos e prishur këtë lloj status quo-je të mbrapshtë.

Meshkujt homoseksualë konsiderohen jo thjesht të papërshtatshëm për burrizmin, por edhe të rrezikshëm për statusin qendror të burrit në shoqërinë shqiptare. Meshkujt homoseksualë janë përgjithësisht më të sjellshëm, më të ndjeshëm, më të pastër dhe më të kujdesshëm ndaj qenies njerëzore, ndërsa shpesh janë edhe më të pashëm e të këndshëm se idhtarët e burrizmit. Për këtë arsye, meshkujt homoseksualë e kanë të vështirë të përshtaten brenda kornizave të mirëpërcaktuara të shoqërisë burriste shqiptare. Në imagjinatën kolektive shqiptare, mashkulli nuk mund të jetë homoseksual, sepse përndryshe do të konsiderohet i dobët në një vend ku vetëm femra është e dobët.

Nëse numri i meshkujve të dobët do të shtohej, kjo do të pakësonte numrin e idhtarëve të burrizmit dhe do të zbuste ndjeshëm këtë lloj ideologjie të sundimit dhe jo të bashkëpunimit. Për rrjedhojë, në shoqërinë shqiptare do të forcohej edhe më tepër roli i gruas. Praktikisht grupimi i meshkujve homoseksualë mund të luajë në shoqërinë shqiptare të njëjtin rol që supozohet se po luan LSI-ja që prej zgjedhjeve të vitit 2009: atë të faktorit balancues midis dy grupimeve të mëdha.

Një gjë është e sigurt si vdekja dhe taksat: meshkujt homoseksualë nuk janë as e keqja e këtij vendi të prishur si veza dhe as turpi i kësaj shoqërie më hipokrite se politikanët e regjur. Ata nuk do të arrijnë as ta gërvishtin rolin e burrizmit si ideologji mbizotëruese e kombit shqiptar, prandaj idhtarët e tij duhet të rrinë të qetë, madje të mësojnë nga meshkujt homoseksualë se si të jenë më të dashur e më të ndjeshëm ndaj grave që u vërtiten nëpër orbitat respektive.

Jo për gjë, se pikërisht ky soj burrash, që gdhihet e ngryset duke menduar se është më i miri, më i forti dhe më i respektuari në shoqëri, rezulton psikologjikisht më i brishtë (duke u bërë protagonist i kronikës së zezë) ndaj kryengritjeve të grave në formën e divorcit apo, më keq akoma, tradhtisë bashkëshortore. Kjo e fundit është jashtëzakonisht e përhapur në vendin tonë, pikërisht për shkak të zakoneve të ndyra të njerëzve për të gënjyer deri edhe veten për hir të opinionit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›