Pasojat e luftës në ekonominë shqiptare, Sejko-Ibrahimaj: Ndikimi i kufizuar, zgjerimi i konfliktit do të prodhonte realitet të ri ekonomik

Banka e Shqipërisë vlerëson se ekspozimi tregtar dhe ekonomik i vendit ndaj Rusisë dhe Ukrainës është i ulët. Në një takim me ministren e financave Delina Ibrahimaj, Guvernatori Gent Sejko vlerësoi se goditjet nga lufta do të lenë gjurmë kalimtare në aktivitetin ekonomik dhe në inflacion.
Testet paraprake të rezistencës nga Banka e Shqipërisë tregojnë se ekonomia shqiptare ka hapësira të mjaftueshme për t’u rezistuar goditjeve që vijnë nga ekspozimi direkt me vendet në konflikt, siç është reduktimi apo ndërprerja e flukseve tregtare, rritja e çmimeve për produkte të caktuara apo nga rritja e pasigurisë në tregjet financiare ndërkombëtare.
Por, Banka Qendrore dhe Ministria e Financave theksojnë se zgjerimi i mundshëm i konfliktit në vende të tjera do të prodhonte një realitet të ri ekonomik dhe do të kërkonte marrjen e masave më gjithëpërfshirëse për administrimin e situatës.
Në vijim, të dy institucionet vlerësojnë se situata duhet të vijojë të monitorohet me kujdes, duke shprehur gatishmërinë për të ndërmarr çdo veprim të nevojshëm që do të minimizonte efektet negative të mundshme të luftës në aktivitetin ekonomik.
/rtsh/