Berisha: Modernizimi i arsimit, objektivi ynë madhor. Dyfishojmë rrogat e mjekëve dhe infermierëve

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi kandidatët e koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për qarkun e Beratit. Në fjalën e tij, Berisha tha se modernizimi i arsimit do të jetë “objektivi madhor” i këtij koalicioni nëse fiton zgjedhjet e 11 majit. Berisha premtoi rroga për mësuesit do të jetë 1500 euro.
“Nuk ka Shqipëri madhështore me njerëz në mjerim. Por nuk ka Shqipëri madhështore me arsim në rënie katastrofale. Nuk e themi ne këtë. Këto 12 vite në provën e cilësisë që bën organizata e vendeve të zhvilluara OECD, Shqipëria nga ngjitje vertikale që pati në vitet 2006-2013, pësoi rënien vertikale më të madhe në botë 8 vitet e fundit. E shkatërroi arsimin. E politizoi në shkallë ekstreme. I denigroi mësuesit, i varfëroi ata, i politizoi ai. Por, pa arsim madhështor nuk ka Shqipëri madhështore, ta kemi të qartë. Kurrë!
Ndaj dhe, i garantoj mësuesit, prindërit, nxënësit, se modernizimi i arsimit do të jetë objektivi ynë madhor. Dyfishimi i buxhetit. Rroga e mësuesit do të jetë 1500 euro dhe do të vazhdojë rritjen. Pa shëndetësi moderne, pa shërbim shëndetësor nuk ka Shqipëri madhështore. Ndaj dhe ne, kemi vendosur, dhe ju premtoj sot ju këtu, se lista e barnave të rimbursueshme do të jetë pikë për pikë si ajo e republikës italiane. 100% e rimbursueshme. Ju garantoj, se do të dyfishohet buxheti për shëndetësinë”, tha Berisha.
Po ashtu, kryedemokrati premtoi dyfishim të rrogave për infermierët dhe mjekët.
“Miq, një kryeministër që është kryetar qeverie deklaron se, atje në Onkologjik janë kryer krime kundër njerëzimit, dhe vazhdon sikur nuk ka ndodhur asgjë, mund t’i vësh çdo epitet. Por ajo që është e vërtetë është kjo. Përgjegjës për ato krime kundër njerëzimit është ai, dhe është e vërtetë që aty janë kryer krime kundër njerëzimit. Se aty njerëzit kanë vdekur, jo nga sëmundjet, por nga mungesa e ilaçeve, nga mungesa e mjekimit, dhe vdesin.
Pra, pa diskutim që do të dyfishohen rrogat e mjekëve dhe të infermierëve. A e dini ju që, sot ne në vitin 2013 kishim 1.5 gjer 2 herë mjek më pak se mesatarja e BE. Sot, kemi 4 herë më pak se mesatarja e BE. Po kështu, edhe infermierë. Dyfishimi i rrogave dhe pensioneve të mjekëve dhe infermierëve është kushti i të gjitha kushteve për një shërbim shëndetësor dinjitoz për qytetarët shqiptarë”, theksoi ai.
/rtsh.al/