E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasojë e krizës, PE shtyn rezolutën për Shqipërinë

“Shans forcave politike të dialogojnë për zgjidhje”

Komiteti i Jashtëm Europarlamentar votoi raportin mbi Bosnjën, por shtyu miratimin e rezolutës mbi integrimin europian të Shqipërisë. Nicholaos Chountis, raportues për Shqipërinë në Parlamentin Europian, u shpreh se “për t’i dhënë shansin forcave politike shqiptare që përmes dialogut, diskutimit të arrijnë një marrëveshje për të kapërcyer krizën në vend, kjo ishte arsyeja pse të gjithë ne ramë dakord që ta shtynim këtë votim”.

Kjo shtyrje u propozua nga eurodeputeti liberal, Jelko Kacin, i cili apeloi ndaj partive politike në vend, që të lënë mënjanë diferencat e të vijojnë dialogun për t’i treguar popullit dhe partnerëve europianë se demokracia e re shqiptare është e aftë t’i tejkalojë krizat. Në vlerësimin e Kacin, eurodeputet i ALDE, “shoqëria shqiptare meriton një përshtypje, imazh dhe raportim më të mirë, për këtë arsye ne shpresojmë se në pak javë do të jemi në gjendje që të propozojmë një rezolutë më pozitive e premtuese”. Së pari, tha ai, dua të përmend liberalizimin e vizave. “Siç duket deri tani, çfarëdolloj gjëje që të thotë Komisioni, ky vit ka humbur. Por nëse duam të krijojmë kushte më të mira, duhen mesazhe më pozitive nga Shqipëria, për t’ju dhënë shansin qytetarëve shqiptarë për të lëvizur lirshëm nga fundi i këtij viti. Por kjo gjë është jashtë këtij realiteti siç duket deri tani”. Raporti, i përpiluar nga eurodeputeti grek, Nicholaos Chountis, pësoi disa ndryshime deri në datën 5 maj, që shënonte dhe afatin e fundit për amendime nga grupimet parlamentare. Për rrjedhojë qëndrimet e shprehura në këtë rezolutë nuk pasqyronin zhvillimet e fundit politike dhe as ndërhyrjen e institucioneve europiane për zgjidhjen e krizës në vend. Për këto detaje, Komiteti i Jashtëm pret vlerësimet e përfaqësuesve të Parlamentit Europian që ndodhen ende në Tiranë. Raportuesi për Shqipërinë Chountis tregoi se shqetësimet e shprehura në draftin e diskutuar një muaj më parë, për ekonominë, korrupsionin, gjyqësorin e median përsëriten edhe tek raporti i fundit që tashmë do të votohet më 22 qershor. Dy ditë më parë, kreu i Delegacionit për Ballkanin në PE, Eduard Kukan, tha se “pas udhëtimit të dy liderëve në Strasburg, kuptoj që opozita po merr pjesë në Parlament, por rezultati i vlerësimit të Komisionit mbi procesin anëtarësues, pa llogaritur seriozisht situatën reale politike në Shqipëri, nuk mund të quhet i përfunduar, e nëse nuk ka marrëveshje, kjo do t’i bënte dëm vendit”. Ky mendoj unë, tha Kukan, është dhe mesazhi i qartë nga Parlamenti Europian, se pa këtë lloj marrëveshjeje, gjërat nuk do të ecin përpara. “Nuk mund të parashikoj sesi do të votojë PE, nëse propozimi legjislativ i komisionit për vizat mbërrin ndërkohë që nuk kemi ende marrëveshje politike në Shqipëri. Por mendimi im është se një gjë e tillë do të ndikonte negativisht tek shumë eurodeputetë, nëse nuk do të kishte marrëveshje politike”, u shpreh Kukan dy ditë më parë. Duke vlerësuar ndërprerjen e grevës së urisë nga opozita, si mesazh për të gjetur kompromis, Kukan shtoi se marrëveshja arrihet kur firmoset nga dy apo më shumë palë. “Shpresojmë sinqerisht se do të kemi ndonjë lajm që marrëveshja u arrit. Sepse shumë çështje kanë ngrirë, e fakti se Zhozef Dol (president PPE) e Martin Shuls (President i APSDE) përfshinë prestigjin e tyre personal, duke u angazhuar plotësisht në tentativën për gjetjen e një marrëveshjeje, mendoj se këto janë prova fort të rënda në fakt, e nuk mund të imagjinoj se kjo iniciativë mund të dështojë. Më pas do të ishte shumë e vështirë të imagjinoje se çfarë mund të vijonte”, theksoi Kukan.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›