Apeli i SOROS për Sarajevën
Mbi pesëqind organizata të shoqërisë civile të Ballkanit Perëndimor të prirë nga fondacionet SOROS në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë–Hercegovinë formuluan një qëndrim të përbashkët për t’ia drejtuar Samitit të Sarajevës. Megjithëse ky territor ka pasur zhvillime edhe më kritike, është hera e parë që, një koalicion kaq i zgjeruar me shoqata dhe individë të elitës së rajonit, të ushtrojë presion pozitiv në autoritetet më të larta të Bashkimit Europian, por edhe në qendra fatvendosëse për të shpejtuar proceset integruese me familjen europiane. Deklarata e këtij grupimi të madh të shoqërisë civile, pasi është bërë prezent një ditë para samitit, ka shtegtuar në të gjitha kancelaritë perëndimore dhe në qeveritë respektive për t’i dhënë shtysë vendimtare këtyre proceseve. Natyrisht, në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pozitë dhe opozitë, kanë kontribuar vit pas viti për të plotësuar standardet e kërkuara, por në jo pak raste prej kësaj klase politike janë shkaktuar dhe vonesa në tërë komunitetin fqinj. Investimi europian dhe ai atlantik nuk është se ka munguar, por vullnetet politike në secilin vend të marrë më vete nuk kanë qenë në harmoni me këtë investim. Deklarata dhe grupimi i shoqërisë civile duket se tërheq vëmendjen në dy aspekte. Së pari, për fatet e popujve nuk janë përgjegjës vetëm politikanët, strukturat administrative, legjislative etj., por edhe një komunitet tjetër që duhet të marrë më shumë përgjegjësi në zhvillimet integruese. Së dyti, deklarata tërheq vëmendjen edhe ndaj autoriteteve europiane për të qenë më unikë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Me të drejtë shoqëria civile u mëshon argumenteve për të ruajtur stabilitetin, për shpejtimin e marrjen së statusit si vend kandidat për të gjithë vendet brenda vitit 2011 për përcaktimin e standardeve të qarta, transparente dhe të matshme, të cilat mund të monitorohen edhe prej saj. Koalicioni i shoqërisë civile këmbëngul që çështjet dypalëshe të zgjidhen nga palët e përfshira duke mos mbajtur peng procesin e anëtarësimit dhe të liberalizimit të vizave për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Kosovën.
#