E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasuria, ILDKP hetim Presidentit dhe Kryeministrit

INTERVISTA/ Kryeinspektori i Pasurive, Adriatik Llalla: Kontroll të plotë edhe për ministra, zv/ministra e gjyqtarë të Kushtetueses e të Gjykatës së Lartë Sot bëhen publike deklaratat e pasurisë së zyrtarëve të lartë

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) do të kalojë shumë shpejtë në sitë pasuritë e zyrtarëve më të lartë të shtetit shqiptar. Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministrat, zëvendësministrat, anëtarët e Gjykatës së Lartë e Gjykatës Kushtetuese dhe drejtues të tjerë të piramidës shtetërore do të jenë subjekte të kontrollit të plotë, faza e skanimit të hollësishëm të interesave private që kryen ky institucion. Inspektori i përgjithshëm i ILDKP-së, Adriatik Llalla, në një intervistë për gazetën “Shqip”, prezanton këtë sfidë të rëndësishme të institucionit që ai drejton, si dhe kërkon bashkëpunimin e publikut, shoqërisë civile dhe medias në ofrimin e informacioneve mbi pasuri të dyshimta të drejtuesve të lartë të politikës dhe shtetit shqiptar.

Z. Llalla, Inspektorati i Lartë zhvilloi pak kohë më parë procedurën e hedhjes së shortit për kalimin në kontroll të plotë të zyrtarëve, nga e cila u përzgjodhën 190 subjekte deklaruese. Në çfarë faze është hetimi ndaj tyre dhe kur priten rezultatet konkrete nga hetimi juaj?

Në fund të muajit prill 2010, Inspektorati i Lartë zhvilloi procedurën e përvitshme të hedhjes së shortit për përzgjedhjen e 4 për qind të zyrtarëve që deklarojnë periodikisht interesat private për kalim në kontroll të plotë, që është faza e hetimit më të thelluar administrativ që zhvillon institucioni ynë. Nga shorti, i cili është një ndër katër format e përcaktuara në ligj për kalim në kontroll të plotë, u përzgjodhën 190 zyrtarë të niveleve të ndryshme, për të cilët nisi menjëherë hetimi administrativ. Duke iu referuar Kodit të Procedurave Administrative, ku parashikohet një afat i përgjithshëm prej 3 muajsh për përfundimin e hetimit administrativ, rezultatet pritet të dalin rreth fundit të muajit korrik 2010. Duke mos tejkaluar normat procedurale të një hetimi në proces, mund të shpreh se për disa prej zyrtarëve të përzgjedhur në short, ka dyshime për mosdeklarim ose deklarim të rremë. Gjithsesi, përfundimi i hetimit administrativ do të japë një pasqyrë më të qartë lidhur me këto dyshime.

Në shortin që u hodh publikisht, u përzgjodhën disa figura të njohura të jetës politike shqiptare. Gjithsesi kanë mbetur jashtë kontrollit pjesa më e rëndësishme e shtetit. A do të kalojnë edhe këta zyrtarë në “sitën” e Inspektoratit të Lartë?

Më lart e përmenda se shorti është vetëm një prej katër përcaktimeve ligjore, me të cilat zyrtarët kalojnë në kontroll të plotë. Subjektet u nënshtrohen hetimit të hollësishëm administrativ edhe kur në vetëdeklarimet e tyre, gjatë kontrollit aritmetik e logjik, vërehen mospërputhje ndërmjet burimit të të ardhurave dhe krijimit të aseteve. Subjektet kalojnë në kontroll të plotë kur ka informacione nga burime të ligjshme, nga media, nga publiku, për pasuri të dyshimta. Forma e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, është kalimi periodik në kontroll të plotë; çdo dy vjet për zyrtarët e lartë, çdo tre vjet për drejtuesit e pushtetit vendor, gjyqtarë, prokurorë, drejtorë drejtorish etj., dhe çdo katër vjet për deputetët dhe për disa drejtues të institucioneve qendrore.

Këto ditë, Inspektorati i Lartë po përgatit listën emërore të subjekteve që kalojnë për kontroll të plotë çdo dy vjet, hetimi i të cilëve do të nisë menjëherë pas procesit të kontrollit të plotë të zyrtarëve të përzgjedhur nga shorti. Në këtë listë do të përfshihen zyrtarë të nivelit të lartë si Presidenti, Kryeministri, ministrat, zëvendësministrat, anëtarët e Gjykatës së Lartë e të Gjykatës Kushtetuese, Prokurori i Përgjithshëm, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, anëtarë të enteve rregullatore, disa zyrtarë të tjerë të lartë të nivelit qendror, si dhe familjarët e tyre, “persona të lidhur”, sipas kuptimit të ligjit. Ky detyrim për kalim në kontroll të plotë rrjedh nga neni 17, pika 2 e ligjit nr. 9367, datë 07.04.2009 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

Z. Llalla, praktikisht, Inspektorati i Lartë po synon kontrollin e pasurisë së kupolës së shtetit shqiptar. është një sfidë, e cila mund të pritet me skepticizëm në opinionin publik, duke pasur parasysh se në ambientet publike flitet shpesh për korrupsion në nivele të larta, por ende asnjë zyrtar i kësaj kategorie nuk është vënë para përgjegjësisë ligjore...

Stafi investigues i Inspektoratit të Lartë është pjesë e shoqërisë dhe natyrisht, ne përballemi me nivelin e skepticizmit dhe diskutimet në ambiente të ndryshme mbi pasuri të padeklaruara të zyrtarëve të niveleve të ndryshme. E kuptojmë shumë mirë këtë situatë dhe jemi të vendosur të maksimalizojmë përpjekjet tona, brenda kuadrit ligjor, për të zbuluar elementët korruptivë në administratën shtetërore, në çfarëdo rangu qoftë.

Ju e cilësuat kontrollin e zyrtarëve të lartë si një “sfidë”, por unë mund ta perifrazoja me gjuhën e ligjit, si një “detyrim ligjor” me të cilin përballen të gjithë zyrtarët. Natyrisht, është një nismë e rëndësishme e institucionit tonë, pasi po aplikohet kontrolli i plotë i njëhershëm për këtë kategori zyrtarësh, pavarësisht se subjektet kanë qenë, në kohë të ndryshme, objekt i hetimit administrativ.
Prej më shumë se një viti, Inspektorati i Lartë ka forcuar bashkëpunim me median, shoqërinë civile dhe me opinionin e gjerë. Kjo strategji, besojmë se do t’i shërbejë më së miri kësaj nisme institucionale, pra, kushdo që ka informacione për pasuri të padeklaruara nga zyrtarët, është i mirëpritur të bashkëpunojë me Inspektoratin e Lartë, duke iu garantuar maksimalisht konfidencialiteti për këdo që e kërkon një gjë të tillë.

Për t’i krijuar një ide më të qartë opinionit publik mbi pasuritë e zyrtarëve që i qeveris, duke nisur nga dita e sotme, ILDKP do të vërë në dispozicion të medias deklaratat e interesave private të drejtuesve kryesorë të shtetit shqiptar, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë kërkesave të organeve mediatike. Shpreh bindjen se kjo strategji do të krijojë një ide më të qartë për rolin hetues të institucionit, do të bëjë faktor aktiv të investigimit edhe qytetarët, duke ndikuar drejtpërdrejtë në perceptimin e opinionit publik, si dhe do të rrisë ndërgjegjësimin qytetar për bashkëpunim në luftën kundër korrupsionit. ILDKP e ka theksuar shpesh se aplikon politikën e hapur për këdo që synon forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›