E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasuria e paligjshme s’mund të konfiskohet pa procedurë për vepër penale

Nuk mund të ketë konfiskime të pasurisë së një personi ose të pronave të tij, nëse paraprakisht ndaj atij personi nuk fillohet ndonjë procedurë për vepër penale, rezultat i së cilës do të duhej të ishte ajo dobi pasurore e fituar që duhet të konfiskohej, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeprokurori i përgjithshëm i Kosovës, Ismet Kabashi.

Në pyetjen se si është duke funksionuar sistemi i drejtësisë në raportet Polici - Prokurori – Gjykata, Kabashi u përgjigj se me Policinë raportet janë të shkëlqyera. “Do të thotë, çdo herë informohemi me kohë, ashtu siç është e paraparë me ligj, për çdo vepër penale që kryhet në territor të Kosovës. Prokurorët, në procedurën paraprake ia japin udhëzimet e nevojshme Policisë në çfarë drejtimi duhet hetuar dhe hartuar kallëzimet penale për veprat e paraqitura. Kemi besim dhe në shumë raste, prokurorët e shfrytëzojnë mundësinë që oficerëve të policisë ua besojnë ndërmarrjen e veprimeve të caktuara hetimore, qoftë edhe dëgjimin e të pandehurve në disa raste, dëgjimin e dëshmitarëve.

Me Kodin e ri të procedurës penale janë rritur autorizimet e prokurorëve, kështu që tani duhet të kemi bashkëpunim edhe me Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë, për arsye se tani ekspertët është i autorizuar t’i caktojë prokurori, që nuk ishte më parë me ligjin e mëparshëm.

Ndërkaq, sa i përket bashkëpunimit me gjykatat, Kabashi tha se bashkëpunimi me to bëhet vetëm në drejtim të lehtësimit të punës së gjykatave, për arsye se prokuroria është palë në gjykatë dhe nuk ka kurrfarë lloj bashkëpunimi tjetër.

“Bashkëpunimi i vetëm mund të jetë në atë drejtim që të harmonizohen oraret e gjykimeve, në mënyrë që prokurorët që janë në numër më të vogël dhe që përfaqësojnë më tepër gjykata të ndryshme, të harmonizohen oraret e shqyrtimeve gjyqësore, ashtu që gjykatat të përmirësojnë azhuritetin e tyre.

Në pyetjen se si funksionon Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, Kabashi u përgjigj: “Ne i kemi pasur të mbuluara të gjitha çështjet lidhur me konfiskimin - nuk e kemi pasur të mbuluar çështjen e mënyrës së ruajtjes së sendeve të konfiskuara dhe menaxhimin e tyre. Tani është themeluar edhe Agjencia për menaxhimin e aseteve të konfiskuara.

Ne, si prokurorë, do të na konvenonte shumë më tepër që në atë ligj të parashihej mundësia e bartjes së provës së të dëshmuarit në të pandehurin, mirëpo ajo nuk është aprovuar me këtë ligj. Nuk mund të ketë konfiskime të pasurisë së një personi ose të pronave të tij, nëse paraprakisht ndaj atij personi nuk fillohet ndonjë procedurë për vepër penale, rezultat i së cilës do të duhej të ishte ajo dobi pasurore e fituar që duhet të konfiskohej.

Luftimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme mund të bëhet vetëm në atë mënyrë kur organet e ndjekjes vërtetojnë se një pasuri është fituar paligjshëm, është fituar me vepër penale, për arsye se ligji është për konfiskimin e dobisë pasurore të fituar me vepër penale dhe jo me veprime të tjera dhe sigurisht që nuk mund t’i konfiskohet askujt pasuria përpara se paraprakisht të shpallet fajtor për veprën e caktuar penale.
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›