Qeveria ka respektuar liritë fetare, por ka edhe probleme

Në raportin më të ri të Departamentit amerikan të Shtetit për liritë fetare në vitin 2012, në pjesën për Kosovën theksohet se “Kushtetuta dhe ligjet e tjera dhe politikat i mbrojnë liritë fetare dhe në praktikë, përgjithësisht, qeveria i ka respektuar liritë fetare”.
Prirja për respektin e qeverisë për liritë fetare nuk ka ndryshuar në mënyrë të dukshme gjatë vitit.
“Liderët religjiozë kanë theksuar mungesën e mekanizmit, që i lejon grupet religjioze të regjistrohen dhe të marrin status juridik, gjë që ka krijuar një numër të sfidave praktike në kryerjen e aktiviteteve ditore”, thotë raporti, transmeton Rel .
Më tutje, theksohet se “ka pasur raporte për abuzim shoqëror ose diskriminim, të bazuar në përkatësinë religjioze, besimin ose praktikën” dhe me këtë rast përmendet se “zyrtarë të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) kanë raportuar incidente të rastësishme të vjedhjes dhe vandalizmit dhe një sulm kundër klerit ortodoks serb”.
Përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-së, sipas raportit, janë takuar me liderë politikë dhe religjiozë për të kërkuar dialog ndërfetar dhe për të inkurajuar zgjidhje të shqetësimeve të grupeve fetare.
Në këtë kuadër, “zyrtarët e Ambasadës së SHBA-së kanë bërë presion për miratimin e legjislacionit, që e kodifikon mbrojtjen për KOS dhe i kanë mbështetur përpjekjet për zgjidhjen e kontestit të pasurisë, që përfshin Manastirin e Deçanit dhe grupe lokale”. Më tutje në raport shkruan se “Ambasada i ka financuar programet e mbrojtjes, që përfshinin rikonstruktim dhe konservim të kishave dhe xhamive në gjithë vendin”.
Në raportin theksohet më tutje se popullata e Kosovës është 1.74 milionë, sipas regjistrimit zyrtar qeveritar, të dhënat e të cilit janë publikuar në muajin tetor.
“Sipas të dhënave, 95.6% e popullatës identifikohet si myslimane, 2.2% si romano katolike, dhe 1.4% si serbë ortodoksë”, shkruan në raport dhe precizohet se grupet e tjera janë më pak se 1% secili.
“Religjioni dhe etniciteti janë ngushtë të lidhur: serbët në përgjithësi i takojnë Kishës Ortodokse Serbe, ndërsa shumica e shtetasve aktivë fetarë me prejardhje shqiptare e identifikojnë vetveten si myslimanë”, thuhet në raport.
Kritikët e regjistrimit theksojnë se ai nuk i ka përfshirë banorët e rajonit verior të Mitrovicës, dhe kjo gjë në mënyrë domethënëse e nënvlerëson përfaqësimin e serbëve, që i takojnë KOS, konsideron raporti./Indeksonline/