E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patos, "Albpetrol" largon 370 punonjës të naftës

SHKURTIMET/ Dhjetëra punonjës kanë protestuar dje në zyrat e kompanisë teksa kanë kërkuar takim me drejtuesit


Shumica e të larguarve rezultojnë të jenë persona me mbi 30 vjet përvojë. Ata thonë se largimet janë politike


PATOS - Dhjetëra punonjës të kompanisë "Albpetrol" mëngjesin e djeshëm kanë protestuar lidhur me largimin e tyre nga puna. Mësohet se janë 370 punonjës të shkurtuar nga qendra e prodhimit të naftës. Shumë prej tyre janë grumbulluar para ndërtesës së administrates dhe kanë tentuar të kontaktojnë me drejtuesit e kësaj qendre për të marrë shpjegimet e rastit. Por nuk janë pritur prej drejtuesve.


Kjo ka shkaktuar dhe debate para derës së drejtorit, madje dhe përplasje mes rojave dhe punonjësve të shkarkuar. Pas një pritjeje prej 30 minutash që dikush të dilte dhe t'i sqaronte për largimin e tyre nga puna, rreth 20 punonjës kanë hapur derën me forcë dhe janë futur brenda në korridor ku kanë këmbëngulur të kontaktojnë me drejtorin. Por aty nuk ka pasur asnjë drejtues.


Të irrituar ata kanë qëndruar jashtë zyrave duke u shprehur se nuk janë ndjekur kriteret e përcaktuara. Ata thonë se përveç largimit nuk janë paguar për punën e kryer për një periudhë kohore prej tre muajsh. Sipas tyre, shkurtimet janë bërë me kritere politike dhe për këtë nuk do të largohen nga vendet e punës, sepse janë shkurtuar për t'u zëvendësuar nga militantë.


"Kam 38 vjet punë, - shprehet A.F., - dhe aty kanë mbajtur persona të paaftë, militantë partie deri edhe punonjës që nuk paraqiten në punë, por që marrin ende paratë". Ndërkohë, punonjësja S.H. shprehet: "Më kanë hequr mua që kam punuar në naftë 40 vjet punë dhe mbajnë punëtorë të PD-së që nuk kanë ardhur fare në punë".


Punëtorja K.L. shprehet se qysh prej 34 vjetësh punon me turne dhe megjithatë emrin e ka të afishuar për pushim nga puna. Kurse punëtori R.K. shprehet se të drejtat e tyre do t'i çojnë për zgjidhje në gjykatë në rast se në kompaninë e tyre nuk do të marrin zgjidhje.


Në kompaninë e naftës "Albpetrol" ka filluar prej rreth dhjetë ditësh reforma e paralajmëruar në prag të privatizimit të saj. Ende nuk ka një numër të saktë të punonjësve që priten të përfshihen në këtë reformë, por burime nga administrata e kësaj kompanie shprehen se janë më shumë se 1400 punonjës që do t'u ndërpritet kontrata e punës.


Kjo ka filluar këto ditë kur 370 punonjës janë shkurtuar duke lënë vendet e tyre të punës në Qendrën e Prodhimit të Naftës në Patos.
Ndërkohë, një reformë e tillë ka filluar edhe në Kuçovë ku javën e kaluar 75 punonjës u larguan nga puna pasi kishin mbërritur në mëngjes në ambientet e kompanisë.


Para tyre u paraqit vetëm një person i cili lexoi emrat e personave për të cilët ishte vendosur shkurtimi, ndërkohë që për një veprimi të tillë nuk iu dha asnjë shpjegim lidhur me kriteret e ndjekura. Shumica e punëtorëve të larguar nga puna janë me një përvojë mbi 30-vjeçare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›