E Shtunë, 31 Tetor 2026

U përurua instalimi i sistemit të oksigjenit

Ne jemi duke punuar me përkushtim në ministrinë që unë udhëheq, në mënyrë që të ndryshojë situatën me të vetmin qëllim, që popullata e qytetarët e Kosovës të kenë shërbime kualitative shëndetësore, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi.

Në Njësinë Intenzive të Neonatologjisë, në Klinikën Gjinekologjike-Obstetrike, pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, të enjten u bë përurimi i instalimit të sistemit të oksigjenit. Instalimi i këtij sistemi të oksigjenit do të shërbejë në dhënien e kujdesit ndaj foshnjave të lindura para kohe dhe me probleme shëndetësore. Ky investim është realizuar nga Fondacioni për Nëna dhe Foshnja të Shëndosha, me përkrahjen e donatorëve si vendorë dhe atyre ndërkombëtarë.

Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi tha se në bazë të të dhënave të vitit 2009, në Kosovë është shënuar rënie e vdekshmërisë së nënave dhe foshnjave dhe rreth 96 për qind e shtatzënave lindin në institucionet shëndetësore me përkujdesje profesionale, çka sipas tij flet për përformancë të mirë dhe potenciale të mjekësisë kosovare.

Ai pohoi se Ministria e Shëndetësisë po punon me përkushtim që të përmirësojë sistemin shëndetësor dhe të ofrojë shërbime shëndetësore sa më kualitative.

“Ne jemi duke punuar me përkushtim në ministrinë që unë udhëheq, në mënyrë që të ndryshojë situatën me të vetmin qëllim, që popullata e qytetarët e Kosovës të kenë shërbime kualitative shëndetësore dhe një partneritet si ky. Është një vlerë që ne e duam, e vlerësojmë dhe kjo natyrisht shërben vetëm për të përmirësuar gjendjen e shëndetësisë në Kosovë”, është shprehur ministri Bukoshi.

Ai pohoi se kjo iniciativë e Fondacionit për Nëna dhe Foshnja të Shëndosha, paraqet një model të mirë që punët për rregullimin e sistemit shëndetësor duhet të fillojnë nga pjesët më të ndejshme të shëndetësisë.

Ndërsa, Shefqet Lulaj, drejtor i Klinikës Obstetrike Gjinekologjike, shpjegoi se deri tani në mungesë të një sistemi të mirëfilltë të oksigjenit, ka pasur vështirësi në punë dhe nuk janë plotësuar nevojat e këtij shërbimi.

“Shkolla e Dartmuthit nuk investon për herë të parë në klinikën tonë, ne kemi miqësi të vjetër me ta. Dhe për herë të parë përmes kësaj shkolle ne arritëm që të aplikojmë surfaktantin për fëmijë të lindur parakohe, dhe ju mundsum që atyre fëmijëve të lindur parakohe me shansa të vogla për mbijetese, të mbijetojnë dhe një numër i madh i tyre sot mbijetojnë dhe jetojnë në familjet e tyre”, ka thënë Lulaj.

Kurse, Minavere Hoxha, shefe e Repartit të Neonatologjisë, tha se sistemi i porsa instaluar i oksigjenit në njësinë e Kujdesit Neonatal, do të mundësojë furnizim të vazhdueshëm me oksigjen, duke siguruar jetën e të porsalindurve me peshë të vogël. Sipas saj, kjo jo vetëm që do të lehtësojë furnizimin, por do të ndikojë që të zvogëlohen komplikimet tjera që do të kishin pasoja të mëvonshme shëndetësore.

“Ne kemi pas vështirësi për çdo ditë, më të vërtetë kanë qenë vështirësi shumë të mëdha, tani pas këtij instalimi jemi qetësuar fare. Tani kemi nevojë për përmirësimin e kushteve tjera, furnizimin me material shpenzues për një përdorim, për mjete më të sofistikuara për punë, me qenë se ne cilësohemi si qendër referente, pra qendër e nivelit terciar, ku për të ofruar shërbim cilësor ka nevojë edhe për infrastrukturë, pajisje dhe personel të trajnuar mirë”, ka thënë Hoxha.

Ndërkaq, George Little, aktivist i FNFSH-së, si dhe donator, shprehu kënaqësinë e tij për këtë inaugurim, duke sqaruar se ai vetë merret me trajtimin e foshnjave të porsalindura dhe si profesionist shëndetësorë ka vlerësuar se ka nevojë të bëhet një sistem qendror i oksigjenit, i cili në masë të madhe do e lehtësonte punën e stafit shëndetësor.

Në anën tjetër Emma Gjemnica, drejtoreshë e FNSH-së, tha se duke parë nevojat e mëdha që ka shërbimi i neonatologjisë dhe kushtet e vështirësuar të punë, kanë vendosur që të investojnë me ndihmën e donatorëve për instalimin e sistemit të ri të oksigjenimit. Për instalimin e sistemit të oksigjenit janë investuar 500.000 euro. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›