Ligjet, deputetët e PS braktisin Kuvendin

Pas debateve të ashpra, deputetët e majtë u larguan nga salla: Po bëni ligje për të kontrolluar institucionet e pavarura. Berisha: Ju ftoj të bashkëpunoni për të miratuar ligjet
TIRANË - Partia Socialiste, ashtu siç kishte paralajmëruar pas mbledhjes së grupit të deputetëve ditën e mërkurë, braktisi seancën e djeshme parlamentare pak përpara votimit të tre ligjeve shumë të kontestuara.
Ka qenë kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ai që bëri të ditur edhe njëherë në Parlament vendimin e PS për marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin që do të pasohet me përshkallëzimin e aksionit politik të opozitës në muajin shtator. Kreu i grupit parlamentar socialist akuzoi mazhorancën se në vend të zgjidhjes së krizës po e përkeqëson atë.
"Hapat e rinj të mazhorancës, si ndryshimi i njëanshëm i rregullores së parlamentit, apo ligji që do të votohet sot për inspektimin e financave, janë veprime për të kontrolluar institucionet e shtetit. Duke pasur parasysh se problemi i ngritur nga opozita 12 muaj më parë, në vend që t'i afrohet zgjidhjes, çdo ditë e më shumë mazhoranca po i largohet", - u shpreh zoti Ruçi.
Në emër të deputetëve socialist, Gramoz Ruçi bëri të ditur vendimin e grupit parlamentar se Partia Socialiste do të përshkallëzojë marrëdhënien me parlamentin, duke mos votuar asnjë ligj. Ndërkohë, kreu i grupit socialist paralajmëroi mazhorancës se mosvotimi i ligjeve në Parlament do të ndiqet nga hapa të tjerë do të ndërmerren në kuadër të rinisjes së aksionit politik në kërkim të transparencës së plotë të zgjedhjeve të kaluara.
"Në marrëdhënie me Parlamentin, opozita do të ketë axhendën e saj brenda rregullores së Parlamentit. Ky është vetëm hapi i parë, pas kësaj, hapa të tjerë do të vijnë për të bërë funksionale demokracinë në Shqipëri", - theksoi Ruçi.
Pas fjalës së kreut të grupit, deputetët socialistë iu drejtuan daljes së Kuvendit, duke braktisur votimin e ligjeve që ishin parashikuar në rendin e ditës për miratim në Parlament. Deputetët e opozitës qëndruan në Parlament vetëm gjatë orës së lirë të përcaktuar për debat dhe gjatë diskutimeve të ligjeve që ishin lënë për miratim gjatë seancës së djeshme.
Vendimi i djeshëm i grupit parlamentar të Partisë Socialiste për të votuar kundër çdo ligji, është shoqëruar me debate të ashpra mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Dy nga deputetët me më shumë legjislatura në kuvendin e Shqipërisë nuk lanë pa shkëmbyer as batuta mes njëri-tjetrit.
Kryeministri Berisha ftoi opozitën për të bashkëpunuar për miratimin e ligjeve si pjesë e traditës së bashkëpunimit që është treguar tërë këto vite. Sipas tij, kurrë një opozitë nuk mund të mburret dhe të deklarojë se nuk do të votojë asnjë ligj, pasi në 20 vitet e fundit kjo nuk ka ndodhur kurrë.
Kreu i mazhorancës i garantoi opozitës se gjatë shqyrtimit të ligjeve në Parlament, do të vlerësohet çdo propozim i deputetëve të majtë. "Ju garantoj unë se çdo ligj do të diskutohet me ju në frymën e kompromisit. Ju garantoj se çdo ligj me 3/5 do të përfaqësohet nga ju, sepse vetëkuptohet do të jenë amendamentet tuaja që do ta bëjnë të botueshëm.
Ju garantoj se çdo ligj tjetër, propozimet tuaja do të vlerësohen. Në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet se do mund t'i diktojmë njëri-tjetrit, por në çdo rrethanë mund të mendohet se do të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin", - tha Berisha.
Por këto deklarata të kryeministrit nuk kanë gjetur mbështetje në asnjë nga veprimet e kryera kohët e fundit nga mazhoranca. Edhe pse opozita ka bërë mendimet e saj në logjet që po diskutohen në Kuvend, asnjë prej tyre nuk është marrë parasysh nga mazhoranca, e cila i ka votuar me forcë kartoni.
"Unë gjykoj këtu që të flasim këtu për korrupsionin, probleme ekonomike dhe sociale dhe normale dhe akoma më normale është të propozosh ligje dhe amendime, por jo të mos votoni asnjë ligj në këtë parlament, në një kohë kur këtu me ish-ministra, ish-kryeministra, me të cilët edhe në situata më të vështira nuk kemi refuzuar kurrë të mos bëjmë ligjet bashkë. Unë nuk dua të përfitoj", - tha Berisha. Luis Tanushi
Kreu i grupit parlamentar socialist: Ne nuk do jemi as kukulla e pushtetit tuaj e as garnitura e tij
Ruçi - Berishës: Ulu dhe zgjidh krizën
Partia Socialiste nëpërmjet kreut të grupit socialist, Gramoz Ruçi, shprehu qëndrimin e opozitës se nëse mazhoranca kërkon bashkëpunimin e PS-së, fillimisht të djathtët duhet të ulen me opozitën për të zgjidhur krizën politike për të bërë transparencën e zgjedhjeve. "Ulu zgjidh krizën. Ulu në një dialog real, të vërtetë për ta bërë demokracinë shqiptare funksionale. Vërtetë që Parlamenti të jetë funksional dhe jo imagjinar.
Ne nuk do jemi as kukulla e pushtetit tuaj e as garnitura e pushteti tuaj. Por, do të jemi zëvendës, inspirues shumë të vendosur dhe këmbëngulës për gjithë ato liri dhe të drejtat që duhet të gëzojnë qytetarët shqiptarë dhe jo pushtetarët shqiptarë", - theksoi kreu i grupit parlamentar i PS-së.
Ruçi fajësoi mazhorancën për krizën politike duke thënë: Jeni përgjegjësi i drejtpërdrejtë për mungesën e transparencës së zgjedhjeve. Jeni përgjegjësi i drejtpërdrejtë për uzurpimin e organeve të drejtësisë nëpërmjet fshirjes së votimit të fshehtë dhe votimit të atyre njerëzve që t'i mendon se do t'i shërbejnë implikimit të korrupsionit të familjes tënde politike.
Apo dhe ligje të tjera që kërkon direkt ose indirekt të uzurposh, të kontrollosh e të sundosh KLD, pushtetin lokal, SHISH, Prokurorinë, OJF-të. Kreu i grupit parlamentar të PS-së shprehu vendosmërinë e opozitës për të qenë përballë çdo beteje politike me mazhorancën, si brenda sallës së Parlamentit apo jashtë saj.
Ligjet që të ulim pushtetin e presidentit
Sipas kreut të qeverisë, veprimet e fundit janë bërë enkas për të ulur pushtetin e Presidentit të Republikës, pasi ai është më i madh se sa duhet. "Lexoni pak rregulloren e senatit të shteteve të Bashkuara të Amerikës nga është marrë praktika. Ju i keni dhënë një njeriu të vetëm të drejtën për propozimin e të gjithë zyrtareve të lartë të vendit.
Më gjeni një vend tjetër ku një njeri i vetëm emëron gjyqtarët e lartë të vendit vetëm, përveç republikave presidenciale. Në ligjet kur unë isha President nuk kisha në dorë të propozoja më shumë se 1/3 e gjyqtarëve të lartë të vendit. Ju e bëtë vetë me kushtetutën që miratuat vetëm. Më gjeni një vend ku presidenti të propozojë të gjithë gjyqtarët dhe Parlamenti t'i votojë fshehtas", - nënvizoi Berisha.
Unë nuk bëhem më President i Republikës
Kryeministri Berisha shoi dje zërat nga brenda PD-së se në të ardhmen mund të kandidojë për president të republikës. "Ai imagjinoni sikur pas tre vitesh t'ju bëhet Sali Berisha president? Kjo nuk ndodh kurrë.
Unë nuk do bëhesha kurrë më President po e mora si shembull se ju merreni vetëm me mua. Imagjinoni ju që të ndodhte kjo, çfarë do të thoshit për njeriun që propozonte të gjithë gjyqtarët e vendit. Po ja, unë jam i betuar që nuk bëhem më President",- tha Berisha.