E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi Jemi te hapur per cdo leshim me opoziten

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë demokratike i ka bërë sërish ftesë opozitës për të shqyrtuar 3 ligjet e integrimit të vendit. Në një deklaratë për mediat kreu i grupit kuvendor demokrat është shprehur se PD është e hapur për t’i bërë çdo lëshim opozitës në funksion të marrjes së statusit kandidat.

“PS mos ta shndërrojë në peng statusin e vendit kandidat. Jemi të gatshëm të shqyrtojmë 3 ligjet e integrimit, të mbledhim komisionet përkatëse për 3 ligjet. Kuvendi është vendi ku gjendet zgjidhja politike. Jemi të hapur për çdo lëshim me opozitën. Ftoj opozitën të votojmë dy ligjet dhe reformën parlamentare”. ka apeluar Patozi.
Ai ka shtuar se mosvotimi i 3 ligjeve "burgos" integrimin e vendit dhe është goditja më e rëndë në këtë 100 vjetor të shtetit shqiptar.

“Mosvotimi i ligjeve do të ishte goditja më e rëndë për 100 vjetorin. Askush s’do të na gjykojë si e nderuam Ismail Qemalin apo si e festuam 100 vjetorin e pavarësisë, por se çfarë bëmë ne në funksion të integrimit të vendit.Vetëm kështu do nderonim realisht 28 nëntorin” tha Patozi.
Seanca parlamentare e së enjtes u mbyll pa miratuar tre projektligjet e vendosura si kusht nga Brukseli për marrjen e statusit të vendit kandidat, ndërsa shpresa e fundit mbetet arrijta e një konsensusi përmes negociatash deri në 19 nëntor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›