Katër zyrtarë japin llogari për fishekët e Diverolit

UASHINGTON - “Të keqen” e armëve të vjetra kineze të mbërritura në Afganistan, pasi ishin blerë në Shqipëri, komisioni hetimor i Kongresit Amerikan nuk po e kërkon aq tek pala shitëse, “Meico”, sesa tek “vetja”, kompania e 22-vjeçarit Efraim Diveroli. Të paktën kështu u duk dje në 40 minutat që zgjati seanca dëgjimore e katër zyrtarëve të lartë të Pentagonit, të cilët u morën në pyetje nga komisioni hetimor. Pasi ka hedhur “bombën” pak ditë më parë në një letër dërguar sekretares së Përgjithshme të Shtetit, Kondoleza Rais, se mund të jenë të implikuar në aferën e shitjes së municioneve kineze në Afganistan dhe përfaqësues të lartë të ambasadës amerikane në Tiranë, dje kryesuesi i Komitetit të Mbikëqyrjes, Henry Waxman, deklaroi në fund të seancës dëgjimore të katër zyrtarëve të lartë të Pentagonit në lidhje me aferat korruptive të trafikut të armëve, se problemet e kohëve të fundit nuk i nderojnë aspak Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka zgjatur afro 40 minuta seanca dëgjimore e komisionit hetimor të Kongresit Amerikan për marrjen në pyetje të katër zyrtarëve të Pentagonit që i kanë dhënë licencën kompanisë me pronar 22-vjeçarin Efraim Diverolin. Gjenerali William Filips, drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Kontratave të Mbrojtjes brenda Pentagonit, Mitchell Hawell, Stephen Myll, zyrtar i çështjeve politike e ushtarake, si dhe Jeffery Parsons, drejtor ekzekutiv i Komandës Kontraktuese të Ushtrisë Amerikane, kanë dhënë sqarime rreth pyetjeve të anëtarëve të komisionit hetimor. Pyetjet e këtyre të fundit kanë konsistuar në lidhje me dhënien e licencës për firmën “AEY”, firmë e cila është cilësuar si “pa reputacion”. Zyrtarët e këtij komisioni kanë vënë theksin në pyetjet e tyre, nëse ishin bërë hetime paraprake në lidhje me kontraktorin Diveroli, nëse kishte ndonjë protokoll standard për dhënien e licencave, nëse si pjesë e kontratës ishte marrë parasysh ligji amerikan për ndalimin e eksporteve të armatimeve përtej detit me shtetin kinez. Pothuajse ndaj të gjitha këtyre pyetjeve përgjigjet kanë qenë të njëjta. Zyrtarët e lartë të marrë në pyetje kanë deklaruar se ata nuk kanë qenë në dijeni në lidhje me origjinën e armëve dhe se çdo veprim i ndërmarrë prej tyre është bërë konform çdo ligji dhe duke zbatuar të gjithë rregullat për kontraktonin përpara Kongresit Amerikan. Ata kanë sqaruar pozicionin e tyre në lidhje me rrethanat e dhënies së kontratës Diverolit dhe vëzhgimin e zbatimit të kësaj kontrate. Konkretisht, gjenerali amerikan Filips ka deklaruar se janë zbatuar të gjitha kontratat e kompanisë “AEY” pas vitit 2006. Po kështu, edhe zëvendëssekretari për politikat ushtarake, Myll, është shprehur se kompania “AEY” ndodhet në listën e kompanive të kontrolluara dhe se ajo nuk ka paraqitur asnjë problem gjatë kontrollit. Në pyetjet e tyre, anëtarët e komisionit hetimor kanë këmbëngulur në faktin sesi mund t’i jepej një kontratë prej 300 milionë dollarësh një kompanie pa u hetuar më parë origjina e saj. Myll është përgjigjur se një nga kriteret për dhënien e licencës ka qenë edhe kriteri financiar, kriter të cilin kompania e Diverolit, “AEY”, e mbulonte më së miri me përballimin e anës financiare për tregtinë e armëve. Gjatë seancës u përmend edhe letra e majorit Larry Harrison drejtuar sekretares së shtetit amerikan, Kondoleza Rais. Gjatë pyetjeve të fundit doli edhe fakti i konfliktit të interesave mes Myll, që kishte qenë dhe zëvendësdrejtor i kompanisë “AEY” të kontaktuar prej Pentagonit, për të blerë municione për llogari të policisë afgane. Qëllimi i hetimeve që po kryen komiteti, është të zbulojë gabimet brenda qeverisë amerikane në lidhje me aferat korruptive të “AEY”-së. Zyrtarë të tjerë që do të merren në pyetje në ditët në vazhdim, janë edhe pesë zyrtarë të ambasadës amerikane në Tiranë, mes tyre edhe vetë ambasadori John L. Withers II. Ndërsa kontraktori, Efraim Diveroli, aktualisht është i pandehur dhe akuzohet për mashtrim të qeverisë amerikane, pasi ka shituar armë kineze në Afganistan, të cilat i ka blerë në Shqipëri, siç dyshohet, duke e ditur se ato ishin prodhime kineze, që ndalohej me ligj t’u tregtohen SHBA-ve.
DASH
“Do hetojmë akuzat për ambasadorin”
Nuk kemi asnjë informacion që mbështet idenë, që zyrtarë të SHBA-ve në Tiranë janë përfshirë në një aktivitet të paligjshëm, por sigurisht do të hetojmë”. Ky është reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me skandalin e armëve ku dyshohet të jetë përfshirë dhe ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan i Shtetit, Tom Casey, tha për gazetarët se po shqyrton letrën që Henry Waxman i ka dërguar sekretares amerikane të Shtetit. “Sigurisht që do të shqyrtojmë çdo deklaratë, si dhe çdo pikëpyetje të ngritur nga kreu i Komitetit të Mbikëqyrjes dhe Reformës Qeverisëse të Kongresit Amerikan”, - tha Casey.
Deklarimi
Takimi i nëntorit Uidhërs-Mediu
Në datën 19 nëntor 2007, ambasadori amerikan në Shqipëri dhe këshilltarët e tij më të ngushtë patën një takim me ministrin shqiptar të Mbrojtjes, për të diskutuar sesi t’i përgjigjeshin një kërkese të gazetës amerikane “New York Times”, një gazetar i së cilës donte të vizitonte një magazinë në Shqipëri, ku një kontraktor amerikan armësh i firmës “AEY Inc” po hiqte armatime kineze nga paketimi i tyre origjinal, përpara se t’i niste për në Afganistan. Gjatë kohës që është zhvilluar ky takim, “AEY Inc” ishte nën hetim për trafik të paligjshëm armatimesh që përfshinin armat