Patozi: Në qoftë se PS-ja propozon Nanon për president, mazhoranca mund të propozojë një figurë politike të saj
Në emisionin Fakt në UTV, gjatë përballjes së një paneli analistësh me dyshen Blendi Klosi, Sekretar Organizativ i PS-së, dhe Astrit Patozi, Nën-Kryetar i PD-së, ky i fundit deklaroi se, në qoftë se PS-ja propozon Nanon për President të Republikës, mazhoranca mund të propozojë një figurë politike të saj, për të garuar me ish kryetarin e PS-së. Politikanët e mazhorancës nuk janë lebrozë që të mos garojnë për president. S’ka pse të jetë një kandidat politik i opozitës më i mirë se një kandidat politik i mazhorancës, tha Patozi, kur komentoi rreth një kandidimi të mundshëm të Nanos me përkrahjen e opozitës.
Kjo deklaratë e Patozit, ndihmës-kryenegociatorit të mazhorancës (kryenegociatori kuptohet që është Berisha, d.v.) vjen pas deklaratave publike të deputetëve me më pak peshë në PD-së, si Edi Paloka dhe Tritan Shehu, rreth të drejtës që ka mazhoranca të paraqesë një kandidaturë politike në raundin e 4-të ose të 5-të të votimit për president, kur kushtetuta nuk kërkon domosdoshmërisht konsensusin e opozitës për zgjedhjen e tij.
A tregojnë këto deklarata se janë ringjallur shpresat e ndonjë figure të lartë të PD-së për tu rifutur në pokerin presidencial, apo Berisha, siç disa teori konspirative parashikojnë, po mundohet ta joshë PS-në të fusë Nanon në garë dhe disa vota fluide të mazhorancës ti kthejnë atij borxhin për shërbimet që i ka bërë Berishës nga dorëzimi i pushtetit e deri më sot?
Është vështirë ti japësh përgjigje kësaj pyetjeje dy-pjesëshe në këto ditë të ethshme politike, kur hamendja që bën pas një deklarate politikani mund të të rrëzohet vetëm disa orë më pas nga deklarata pasardhëse e një politikani tjetër apo e të të njëjtit politikan
E.Zaloshnja