Patozi: Në shtator, negociata për koalicionin

Partia Demokratike pritet që të nisë negociatat dhe diskutimet me aleatët e saj për koalicionin parazgjedhor në muajin shtator. Kjo konfirmohet edhe nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi. Ai thotë për “Korrierin”, se deri tani nuk ka nisur akoma ndonjë diskutim konkret për mënyrën sesi mund të jetë formati i koalicionit të ardhshëm, ndërsa shton se diskutimet do të nisin me fillimin e sesionit të ardhshëm parlamentar. I pyetur nëse është konkretizuar propozimi që Partia Demokratike të dalë në zgjedhje me listat e saj, ndërsa aleatët me lista të përbashkëta dhe si grupim, Patozi thotë se kjo formulë nuk është diskutuar akoma. Ndërkohë, edhe vetë aleatët duket se nuk kanë qëndrime të njëjta për formulën e koalicionit të ardhshëm parazgjedhor. Partia Demokrate Reformatore e Genc Pollos në muajin shtator ka deklaruar se do të nisë negociatat me Partinë Demokratike, për mënyrën sesi do të bëhet bashkimi i këtyre dy forcave. Në rast se PDR-ja do të shkrihet me PD-në, atëherë përcaktohet edhe mënyra e bashkëpunimit mes këtyre partive. Nga ana tjetër, vetë Partia Demokristiane e Nard Ndokës është në pritje të reflektimit të Partisë Demokratike për t’u rikthyer në qeveri në muajt e ardhshëm. Nard Ndoka në një deklaratë për gazetën ka thënë se, në rast se Partia Demokratike nuk do të reflektojë, atëherë ajo mund të dalë e vetme në zgjedhje. Ndërkohë, vetë Partia Republikane akoma nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë për formulën e koalicionit parazgjedhor, ndërsa pritet që diskutimet për këtë çështje të nisin në shtator, bashkë me punën për hartimin e Kodit Zgjedhor. Ndërsa agraro-ambientalistët kanë deklaruar se do të preferonin formulën aktuale të koalicionit, edhe pse në zgjedhjet e kaluara ata nuk ishin në koalicion me Partinë Demokratike. Ndërkohë, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e Vangjel Dules nuk pranon që të mbajë një qëndrim të qartë për koalicionin, duke qenë se vetë kjo parti nuk bën koalicione parazgjedhore, por vetëm paszgjedhore, në mënyrë që interesat e minoritetit të përfaqësohen në qeverisje. Ndërkohë, edhe përfundimi i Kodit të ri Zgjedhor do të shënojë edhe nisjen konkrete të planeve të partive, ku do të ketë edhe pozicionimet e tyre të qarta për sa i përket mënyrës së daljes në zgjedhjet e ardhshme që mbahen pas një viti.