E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Nuk do ta votojmë paketën paçavure të PS-së

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i ftuar dje në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo” paralajmëroi rrëzimin në Parlament të paketës me ndryshimet kushtetuese të propozuara nga PS-ja.
Z. Patozi ju e keni quajtur paçavure paketën e PS-së. I qëndroni kësaj deklarate?
Absolutisht. Është tjetër gjë procedura parlamentare të cilën ne jemi të detyruar ta zbatojmë. Qëndrimi politik është tjetër gjë. Ne presim t’i shqyrtojmë, por ne kemi qenë të drejtpërdrejtë sepse jo se kemi vullnet të munguar në raport me paketën e PS-së por sepse ne e konsiderojmë këtë paketë si artificiale sepse PS e ka sjellë këtë paketë jo që të votohet, por që të pengojë funksionimin normal të institucioneve.
Ju nuk tërhiqeni nga deklarata juaj?
Kam qenë i drejtpërdrejtë dhe nuk i heq asnjë presje. Unë nuk kam një qëndrim të prerë të mazhorancës, por unë i qëndroj asaj që kam thënë. Ne e konsiderojmë paketën provokuese për sistemin dhe jo për PD. Kjo paketë është bërë që të pengojë imunitetin, Gjykatën Kushtetuese. PS erdhi në parlament në mënyrë që të pengonte heqjen e imunitetit, por shpresoj që drejtuesit e PS do ta mbajnë fjalën.
Ju s’do të kaloni asnjë nga kërkesat e paketës?
Paketa është një goditje e sistemit që do të thotë ndryshim i rregullave të lojës.
PS kërkon që kryeprokurori, anëtarët e gjykatave më të larta të zgjidhen me shumicë të cilësuar, pse është shkatërrim i sistemit?
Ky është një rishikim i plotë i Kushtetutës. Nëse PS kërkon të hartojë një Kushtetutë të re, atëherë ta thotë.
Atëherë nuk do të pranohet asnjë nga kërkesat e PS-së?
Përtej rrafshit ligjor ka dhe një aspekt pragmatist pse kjo është e papranueshme, sepse kërkohet një dominancë e pakicës me ndryshimet që ajo kërkon ajo. Nëse zgjidhen përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë siç kërkon PS, atëherë në të gjitha këto institucione vendos opozita. Kjo është e papranueshme.
Megjithatë, presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë.
Zgjedhja e presidentit me shumicë të thjeshtë ishte për një kryetar shteti dhe Ramës nuk i doli mirë parashikimi dhe tani kërkon ta kompensojë. Ne kishim rastin e Presidentit dhe kjo opozitë edhe pse e dinte se nuk mund ta pengonte, prapë se prapë nuk dha konsensusin. Kjo do të thotë t’i japësh opozitës çelësin e bllokimit të institucioneve. Nuk mund t’i jepet pushtet në tavolinë opozitës. Atëherë çfarë garancish mund të kemi ne, publiku, ndërkohë që çeljen e institucioneve ia lë një njeriu që ka dhënë prova bllokimi.
Ka dhënë edhe prova bashkëpunimi z.Rama.
Ka dhënë prova vetëm kur i ka interesuar. Në fakt kontribut ka dhënë vetëm në një reformë, atë zgjedhore sepse PS-ja ka interes të drejtpërdrejtë. Më i rëndësishmi ishte Kodi zgjedhor dhe PS-së i interesonte ndaj dha konsensusin. Pjesa tjetër ishte Avokati i Popullit dhe këtë e bëri pas një viti.
Pra nuk do të merret parasysh asnjë nga kërkesat e PS-së?
Nuk ka asnjë rëndësi që të konsiderohet një kërkesë që ka ardhur për tendencë, që të provokojë.
Atëherë i bie që të gjitha institucionet të zgjidhen nga një dorë e vetme?
Kjo është një përrallë e vjetër. Kjo nuk ngjit. PD-ja i ka patur këto mundësi kur ishte në opozitë, mund të mos jetë rasti i ngjashëm dhe nuk ka absolutisht vend për të thënë se PD-ja po pushton institucionet sepse edhe me titullarë kundër ia ka dalë të fitojë zgjedhjet. Kundër e kemi patur ish-presidentin, kryeprokuroren, i kemi patur me pushkë në brez dhe nuk ia kanë dalë që të na pengojnë.
Atëherë Presidenti duhet të jetë noter i Kryeministrit?
Jo nuk besoj dhe nuk mund të jetë kështu. Opozita gabon me sulmet e saj pasi jo domosdoshmërisht kjo është një fitore e PD-së. Ne nuk kemi hyrë në debatin për zgjedhjen e presidentit për të mundur PS-në. Ne e kishim ofertën e fundit atë të z.Nishani.
Ka filluar konsultat z. Nishani me partitë politike?
Nuk ka patur emërime që të ketë konsultime. Besoj se do të bëjë konsultimet përfshi edhe kundërshtarin tonë politik.
Çfarë prisni nga kryeprokurorja?
Nuk e kam menduar gjatë këtë çështjen e kryeprokurorit, por Kushtetuta e ka të qartë që është në tagrin e Presidentit, që të sjellë në Parlament një njeri me integritet, që të plotësojë pritshmëritë e publikut pasi ky institucion për fat të keq lëngon.
Kur prisni që të nisë zgjedhja e kreut të organit të akuzës?
Kushtetuta e ka taksative që mandati i kryeprokurorit mbaron diku nga nëntori dhe sigurisht do të ketë një procedurë për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.
Ka marrëveshje me LSI-në për t’ia lënë zgjedhjen e kreut të ri të akuzës?
Nuk ka patur asnjë lloj marrëveshjeje dhe nuk ka patur asnjë lloj pazari. Ne kur bëjmë llogaritë e votave, i bëjmë bashkë me aleatët dhe i kemi votat, janë 74 vota të koalicionit.
Nëse LSI i vendos si kusht kryeprokurorin, do ta pranoni?
Ata nuk pretendojnë që të kenë njeriun e tyre atje dhe as ne nuk pretendojmë që të kemi njeriun tonë atje. Është atribut i Presidentit zgjedhja e kryeprokurorit.
Megjithatë LSI votoi ndryshe nga PD-ja në rastin e Elvis Cefës në KLD...
Ne nuk jemi difuzion i LSI. Ka raste që aleatët kanë abstenuar, apo kanë votuar kundër. Kjo nuk e ka prishur aleancën mes nesh.
Nëse LSI ua kërkon qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, do ta pranoni këtë kusht ?
Nuk mund të japë përgjigje për situata hipotetike. Por në rast se kjo ndodh, sigurisht që do t’u japë përgjigjen time, por jo sot. Raportet janë luajale.
Darka e Metës me Ramën tek Gjiri i Lalzit ishte një raport luajal?
Për sa kohë unë nuk përjashtoj ura komunikimi mes Berishës dhe Ramës, nuk përjashtoj as mes LSI-së e PS-së. Komunikimi është i rëndësishëm dhe nuk mund të mungojë në asnjë moment.
E parashikoni aleat LSI-në në 2013-ën?
Shqipëria është një vend i lirë. Ne kemi një marrëdhënie shumë pozitive, por është një marrëdhënie e vullnetit të lirë, e dyanshme që besoj që ka qenë një lëvizje e mirë për vendin dhe ka dhënë efektet pozitive të saj. Besoj që kjo aleancë do të shkojë deri në fund dhe për hir të kësaj baze janë të gjitha shanset për një ripërtëritje të saj, por nuk vendoset pikërisht sot.
Si do të vendoset kjo marrëdhënie me LSI-në, koalicion apo e vetme në zgjedhje?
Mendoj se forma më e mirë, është e koalicionit të përbashkët, ku të gjitha forcat politike me shumë të tjera që do i bashkëngjiten koalicionit të shkojnë bashkë në zgjedhje.
Si e mendoni ndërtimin e listave, si koalicion?
Ne kemi një eksperiencë elektorale të 4 viteve më parë e cila rezultoi pozitive. Pra nuk mund të ketë lista të përbëra, pasi në një farë mënyre do të thotë shkrirje të partive.
Çfarë po ndodh me KQZ-në, jeni të gatshëm që të bëni kompromis me LSI-në?
Procedura është e përcaktuar. Besoj se është çështje ditësh që ne dhe pala tjetër të çojmë emrat për kreun e ri të KQZ-së. Besoj se do të arrijmë të gjitha mundësitë për një konsensus, për të arritur në një produkt cilësor.
PS-ja ka thënë që do e votojë imunitetit, ju pse nuk e votoni reformën parlamentare?
E gjithë paketa e PS-së ishte bërë për të bllokuar heqjen e imunitetit. PS pati presion nga ndërkombëtarët dhe PS ditët e fundit doli me një kurs të ri. Çështja e imunitetit nuk bëhet për arsye personale, por për qasje ndaj sistemit.
Si i gjykoni deklaratat e bëra së fundmi nga z.Topi? Ai ka thënë se partia e tij do dalë forcë kryesore në zgjedhjet e 2013-ës
E kam të vështirë të jap deklaratë për një ëndërr. Flitet për një ëndërr dhe jo për një projekt. Është njësoj si të flasësh për projektin e Ngjeqarit për të cilën foli Topi dhe rruga e Elbasanit që po ndërton PD-ja. Ndaj për sa kohë nuk kemi një realitet, nuk mund të flasim për të. Thonë se do të bëhen një parti e madhe, por ne nuk na shqetëson. Është një parti që ndërtohet nga mllefi dhe njerëzit nuk kanë nevojë për parti të tilla. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›