E Shtunë, 31 Tetor 2026

Totozani: Akti për lirimin e banesave, antikushtetues

TIRANE- Ndërsa pranon të drejtën e pronarëve të ligjshëm për të gëzuar shtëpitë e tyre, Avokati i Popullit është i mendimit se duhet trajtuar rigorozisht edhe e drejta për strehim e banorëve që po detyrohen nga shteti t’i lërojnë këto banesa. Në një memorandum të hapur të dërguar dje në adresë të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, dhe përfaqësuesve të partive politike, Avokati i Popullit nënvizonte se ndërhyrja e shtetit të favor të ish-pronarëve, pa gjetur një zgjidhje të kënaqshme për ata që do lërojnë banesat, është antikushtetuese. Në këndvështrimin e avokatit të popullit jo kushtetues është edhe ndërhyrja e qeverisë për zgjidhjen e problemit të ishpronarëve, duke qenë se ligji shqiptar përcakton më së qarti që kjo kompetencë i takon ekskluzivisht Kuvendit të Shqipërisë. “Gjykojmë se Akti Normativ i Këshillit të Ministrave Nr. 3 datë 01.08.2012, është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe si i tillë çmojmë se duhet të jetë në përputhje me urdhërimet e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese. Për më tepër miratimi dhe më pas zbatimi i tij, do të sillte pasoja serioze dhe të parikuperueshme”, - shkruhej në Memorandumin e Avokatit të Popullit që mbante firmën e kreut të këtij institucioni, Igli Totozani. 

SHKELJA E KOMPETENCAVE 
Në memorandum avokati i Popullit vërente se bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kompetenca për rregullimin e marrëdhënies pronarë të ligjshëm dhe qytetarë të pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, i është lënë Kuvendit të Shqipërisë, i cili duhet të bëjë plotësimet e nevojshme në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. “Këshilli i Ministrave, përmes nxjerrjes së Aktit Normativ Nr. 3 datë 01.08.2012, ka marrë padrejtësisht një kompetencë të Kuvendit të Shqipërisë”, - shkruhej në memorandum. 

MEMORANDUMI 
Teksa analizonte në Memorandum masat e shtetit për të zgjidhur konfliktin mes pronarëve të ligjshëm dhe banorëve, Avokati i Popullit arrinte në përfundimin se ndërhyrja e qeverisë nuk ka qenë në lartësinë e nevojshme dhe nuk arrinte të garantonte në një të drejtë themelore të individëve, siç është ajo për strehim. “Efektivisht vlerësojmë se ndërhyrja efektive e shtetit nuk ka qenë në nivelin e duhur për të realizuar në fakt një të drejtë që individëve u garantohet nga Kushtetuta dhe gjithë kuadri ligjor ekzistues. Pikërisht, nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje në këtë çështje, ne kërkojmë që të krijojmë një raport të drejtë në respektimin e së drejtës së pronës dhe së drejtës për strehim, për një trajtim dinjitoz të grupeve dhe interesave të tyre legjitime”, - shkruhej në memorandumin e Avokatit të Popullit. Në këndvështrimin e avokatit të Popullit, aktualisht përmbajtja e Aktit Normativ shkel parimin e sigurisë juridike, si pjesë përbërëse e rëndësishme e shtetit të së drejtës. Po ashtu “afatet e përcaktuara për kryerjen e procedurave të nevojshme nga organet kompetente të përcaktuara në këtë akt janë ekstremisht të shkurtra”.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›