E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi letër Ruçit: Të nisim reformën zgjedhore

Patozi shkruan në letër, pas përfundimit të zgjedhjeve, tashmë duhet të mendohet për një proces të gjerë bashkëpunimi, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2013 dhe të interesit më të mirë të vendit. Patozi kujton se raporti i OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet e vitit 2009, jep një sërë rekomandimesh për përmirësimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet.

“Me anë të kësaj letre, dua që, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, t’ju ftoj Ju zoti kryetar, që të nisim sa më shpejt punën e përbashkët për reformën zgjedhore, pasi kjo përbën edhe një nga kërkesat më të rendësishme për avancimin e procesit të integrimit 2011, si dhe një bazë të shëndoshë dhe solide në përgatitjen serioze të Zgjedhjeve të Përgjithshme të vitit 2013. Prandaj dhe propozoj që me datë 15 korrik ose në një datë tjetër, që Ju mund të sugjeroni, të takohemi në selinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe të nisim bisedimet për të ngritur Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore,  të cilin do të ishte mirë ta miratonim dhe votonim brenda  këtij sesioni”, shkruan Patozi.

Propozoj gjithashtu-vijon letra- që bashkëkryetarët e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, “ose ne të dy, si drejtuesit e grupeve parlamentare të mazhorancës dhe opozitës, t’i drejtohemi  me një letër OSBE/ODHIR-it dhe Komisionit të Venecias  për t’i ftuar që të asistojnë komisionin me ekspertizën e tyre. Asistenca e tyre do të ishte kontribut shumë i cmuar në ndryshimet e mundshme të Kodit Zgjedhor, të nevojshme për adresimin e të gjitha rekomandimeve të raportit të OSBE/ODHIR-it  për Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 2009, si dhe rekomandimet e raportit për Zgjedhjet Vendore 2011, që pritet të publikohet së shpejti”.

Në fund, kreu i grupit parlamentar demokrat siguron opozitën se PD-ja do të votojë pa asnjë hezitim, të gjitha amendamentet që do të paraqiten nga Partia Socialiste në Komisionin e Reformës Zgjedhore, me kushtin e vetëm që ato të kenë marrë më parë vlerësimin pozitiv të OSBE/ODHIR-it dhe Komisionit të Venecias. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-07-16 13:38
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›