Patriarkana e Pejës dhe Manastiri i Deçanit, mbetet nën përgjegjësinë e KFOR-it

Burime të Radio Kosovës brenda Policisë së Kosovës kanë shpjeguar se bazuar në vlerësimin e bërë nga EULEX-i , KFOR-i dhe ICO ”kjo çështje nuk mund t’iu besohet aktualisht autoriteteve vendore”.
Pavarësisht paralajmërimeve, sivjet nuk pritet të përmbyllet procesi i transferimit të plotë të përgjegjësive për ruajtjen e objekteve fetare serbe nga KFOR-i tek Policia e Kosovës.
Dy objektet e fundit që aktualisht po ruhen nga forcat paqeruajtëse, Manastiri i Deçanit dhe Patriarkana e Pejës do të mbesin edhe më tutje nën mbrojtjen e KFOR-it.
Kjo për shkak se një vlerësim i bërë nga KFOR-i dhe EULEX-i ka nxjerr si përfundim se nuk ekziston atmosferë e favorshme për t’ia besuar ato policisë vendore.
Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Nowicki ka konfirmuar se nuk do të ketë dorëzim të përgjegjësive këtë vit.
”Aktualisht nuk ka plane për transferimin e përgjegjësive të sigurisë për Manastiret e Deçanit e Pejës. Kosova tani ka nevojë për një imazh të mirë në botë. Por, duke vepruar në një mënyrë shkatërruese përfundimisht nuk do të tregoj një imazh pozitiv. Mosmarrëveshjet politike apo problemet e përditshme nuk zgjidhen nëse kishat, manastiret, xhamitë apo vende të tjera dëmtohen ose shkatërrohen. Vendet e trashëgimisë fetare dhe kulturore në Kosovë janë të vlefshme për të gjithë njerëzit jo vetëm për Kosovën. Prandaj, të gjithë duhet të respektojnë një ndihmë në ruajtjen e tyre ”, ka thënë Nowitzki.
Por, komandanti i policisë rajonale në Pejë Ahmet Hasi, nuk pajtohet me mosbesimin për t’ia kaluar ruajtjen e këtyre objekteve policisë kosovare.
“Nuk kemi marr ndonjë paralajmërim që do të na kalohen përgjegjësitë për Manastirin e Deçanit apo Patriarkanën. Më herët Komuna e Deçanit ka kërkuar edhe për shkak të pushimores së fëmijëve që është në këtë pjesë. Por, ne po bëjmë ruajtjen edhe të objekteve të tjera mund ta bëjmë edhe për këto. Nuk është diçka që nuk mund të përmbush Policia e Kosovës”,ka thënë për Radio Kosovën, Ahmet Hasi.
Zyra Civile Ndërkombëtare, sipas zëdhënësit Christian Palme konsideron se transferi i përgjegjësive për objektet fetare është një hap i natyrshëm në normalizimin e raporteve në Kosovë dhe reflekton qartë përmirësimin e situatës në vend.
Muajin e kaluar, KFOR-i ka kaluar nën përgjegjësinë e Policisë së Kosovës Manastirin e Deviqit afër Skënderajt.
Prej vitit 1999, ishin gjithsejt 45 objekte të trashëgimisë kulturore që ruheshin nga KFOR-i, nëntë nga të cilat janë ruajtur me patrulla statike të KFOR-it.
Për këto 45 monumenteve, aktualisht, sipas ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura, aplikohen rregulla të veçanta të planifikimit hapësinor. (RTK)