E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paul Valery: Jam antipoet, dua arkitekturën

A është e mundur që një poet ta urrejë veten që është i tillë? A është e mundur që një shkrimtar, i përkthyer nga shkrimtarët më të njohur të kohës së tij, të mohojë natyrën e vet? Përgjigjja e kësaj pyetjeje të çon te një emër i vetëm: Paul Valery.

Ndonëse një nga shkrimtarët më të njohur të ‘900-s, marrëdhënia e tij me lirikën ka qenë paksa kontradiktore. Një vëllim ku janë përfshirë shkrimet, por edhe vizatimet e panjohura të tij, përfshin edhe rrëfimet e vet poetit mbi letërsinë, por edhe ëndrrat në sirtar.

“Ndiej neveri për çështjet letrare”, - thotë Paul Valery. Po ai shton: ”Jam antipoet nga karakteri”. “Letërsia nuk është shqetësimi im kryesor”, “Poezia nuk ka qenë kurrë qëllimi im, por një instrument, një ushtrim”. Këto ishin deklaratat e Valery, i cili tashmë kishte arritur në kulmin e famës (kur vdiq më 1945, Charles De Gaulle nuk hezitoi t’i bënte funeral shtetëror), por që në fakt, nuk hezitoi të provonte materie nga më të ndryshmet.

Tashmë ishte e qartë se pas poetit të qindra vargjeve qëndronte një mendimtar kurioz, i interesuar për probleme epistemologjike, estetike, politike, ashtu siç e tërhiqnin çështje filozofike apo shkencore. Vendi i laboratorit të tij mendor ishin 25 mijë faqet e “Caihers” (Fletoret).

Studiues të ndryshëm i janë referuar pikërisht shënimeve të tij, për të nxjerrë në pah dëshirën që Valery kishte për arkitekturën. Në fakt, kjo nuk ka qenë një gjë tërësisht e panjohur, sepse që në vitin 1923 ai vet botoi në shtyp një dialog në prozë mbi arkitekturën. Por sa i angazhuar apo sa njohuri kishte Valéry në një materie, në dukje kaq të largët nga letërsia? Në fakt, përgjigjja gjendet te vet ato që ai ka shkruar, ka thënë apo edhe ka vizatuar.

Si historian i arkitekturës, Valery kërkonte t’i vendoste rrënjët akademike të arkitekturës larg modernitetit. “Qytetet moderne e kanë shkatërruar arkitekturën... Nuk ka më një marrëdhënie të ndjeshme mes formës dhe materies. Ndërtimet janë pushtuar nga çimentoja dhe metali. Valéry, i cili kishte deklaruar se donte të ishte arkitekt, donte gurin, prerjet dhe masat. “Kam një dobësi për të cilën kërkoj falje, por gjithashtu krenohem, dobësi për arkitekturën. Ajo ka qenë dashuria ime e parë e madhe për artet”, - thoshte ai.

Në fakt, diskutimin e tij mbi arkitekturën e kthen në një çështje estetike. “Arkitekti duhet të zhduket përpara inxhinierit? Po ju tregoj gjithçka. Në fakt nevojat, materialet, kushtet ekonomike etj., po tentojnë ta kushtëzojnë rolin e artistit në procesin e ndërtimit thjesht në rolin e një dekoruesi të veprës që ndërton, që përfundon dhe ka një pavarësi të plotë nga çdo konsideratë estetike dhe këtë perfeksion nuk mund ta arrijë tjetër veçse me kushtin e kësaj pavarësie të plotë...”

Paul Valery studioi për drejtësi në vitin 1889 e në të njëjtën kohë publikoi rreshtat e parë. Pas kësaj, natën mes 4 dhe 5 tetorit të vitit 1892 Valery do të kalonte në Gjenevë një krizë, të cilën e quajti kriza ekzistenciale. Në mëngjes refuzoi të njohë idhujt e letërsisë e të dashurisë për ta drejtuar jetën e tij në rrugën e shpirtit.

Këtë e dëshmojnë “Caihers”, ditarët e tij, në të cilët hidhte çdo mëngjes refleksionet, që do të botoheshin vetëm pas vdekjes. A e kishte përjashtuar përfundimisht poezinë nga jeta e tij? Jo, edhe pse sipas mënyrës së tij, çdo poemë që nuk kishte saktësinë e prozës nuk kishte asnjë vlerë. Valery u përpoq me çdo mënyrë ta përsëriste çdo herë këtë përcaktim e ta quante rilindjen e tij, fillimin e jetës së tij mendore. Në vitin 1894 transferohet në Paris, ku kaloi pjesën tjetër të jetës dhe ku nisi të punonte si redaktor në Ministrinë e Luftës.

Qëndroi larg poezisë për t’iu dedikuar njohjes së vetes dhe të botës. Në vitin 1917, nën ndikimin e André Gide, iu kthye poezisë me “La Jeune Parque”, e pastaj me “Le Cimetière marin” (1920) si dhe përmbledhja “Charmes” (1922). Pas Luftës së Parë Botërore u kthye në një “poet zyrtar”, shumë i vlerësuar, por që refuzonte të merrte çmimet apo nderimet që i takonin. Në vitin 1924 u zgjodh president i “Pen Club”-it francez dhe një vit më pas anëtar i Akademisë Franceze.

Vitet më pas do ta shohin në detyra të rëndësishme: në këshillin e muzeve, në qendrën universitare në Nis etj. Por edhe gjatë kësaj kohe, ai vazhdonte të shënonte refleksionet e tij. Kurioziteti i madh intelektual e bëri që ai të ishte një nga lektorët më të përshtatshëm për Aymond Poincaré, Louis de Broglie, Henri Bergson dhe Albert Einstein. Gjatë pushtimit nazist refuzoi të bashkëpunonte. Vdiq më 20 korrik të 1945-s, pak javë pas përfundimit të luftës. Pas vdekjes u publikuan disa pjesë të ditarit të tij, në të cilin fliste për marrëdhënien e tij me kohën, ëndrrat dhe të folurën.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›