E Diel, 1 Nëntor 2026

Del Pieros nuk i pëlqen pankina

Alessandro Del Piero është i lumtur me rezultatet e Juventusit këtë sezon por pranon se e ka të vështirë statusin e rezervistit. Ikona e Bianconerëve është aktivizuar nga pankina për herë të gjashtë këtë sezon derisa skuadra e tij Juventus kryeson në Serie A së bashku me Lazion por ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Del Piero ka qenë titullar në vetëm dy takime këtë sezon dhe ka zhvilluar gjithsejtë 208 minuta në Serie A. “Është e qartë se e kam vështirë në pankinë sepse zjarri ende djeg brenda meje”, tha ai për Sky Sport Italia të hënën.

“Megjithatë, kur luaj, ende jam kapiten i ekipit siç e kanë cekur shpeshherë edhe bashkëlojtarët e mi”, shtoi ai. Juventus mposhti Palermon 3-0 të dielën në ndeshjen e tij e parë pas 22 ditësh pasi përballja e xhiros së 11-të me Napolin ishte shtyrë.

“U ballafaquam mirë me pushimin ndërkombëtar. Fitorja ndaj Palermos ishte sinjal shumë i rëndësishëm për vazhdimin e sezonit. Jemi në krye të tabelës me një ndeshje më pak. Por, për të vazhduar kështu duhet të luajmë gjithmonë me uri të njëjtë si të dielën”, theksoi Del Piero. 37 vjeçari pritet të largohet nga Juventus në fund të këtij sezoni pas 18 vitesh qëndrimi në klub. Por, ai ka paralajmëruar se nuk do të pensionohet, ende.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›