E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pavarësia", Sherr për qingjat, Ruli: I gjej të cilësisë së parë

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Konsumatorit u ka sugjeruar organizatorëve të festës së Pavarësisë në kryeqytet, cilësinë më të mirë të 1000 deshëve dhe 1000 qengjave, si dhe kohën e duhur të therjes së bagëtisë. Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli konfirmoi dje për "Gazeta Shqiptare", se dikasteri që ai drejton ka përzgjedhur cilësinë e kafshëve të imëta, duke i sugjeruar Bashkisë së Tiranës pikërisht deshtë dhe qengjat më të mirë për kryeqytetasit, si dhe kohën e therjes së tyre. Sipas ministrit Ruli, gjithçka është bërë e mirëkoordinuar mes tri institucioneve, përfshi edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me qëllim përmbushjen në kohë të urdhrit të Kryeministrit Berisha për therjen e 1000 deshëve dhe 1000 qengjave si drekë feste për qytetarët kryeqytetas. Madje në mbledhjen e qeverisë të një jave më parë, kryeministri bëri humor me median: "Ju gazetarët e shihni me habi pasjen e deshve, por ju garantoj se nuk është origjinale. Kjo është një praktikë e ndjekur edhe nga lartësitë më të mëdha shtetërore. Urojmë që të mos ketë shi atë ditë, por edhe nëse bie shi, të mos harrojmë se edhe 100 vjet më parë ishte ditë me shi, ndaj të mos ankohemi. Ne po festojmë ditën më të rëndësishme të këtij shekulli, me qëllim urimin më të madh e më të mirë për 100 vitet që vijnë. Shqipëria po lë pas 100 vite pavarësi dhe ne patëm shansin të jemi dëshmitarë të kapërcyellit të shekujve. Për ne, të përjetojmë kapërcyellin tjetër të shekujve, edhe në qoftë se shkenca me antioksidantë mund të krijojë një mundësi të re, shanset janë jo shumë reale".
Z.ministër, çfarë po bëhet me urdhrin e Kryeministrit për të përzgjedhur 1000 desh dhe 1000 qengja, ushqime dhe pije të tjera për festën e Pavarësisë dhe në cilin vend do të bëhet therja e bagëtive?
Këtë problem e dinë organizatorët e festës së Pavarësisë.
Kush institucione konkretisht?
Organizatorët janë konkretisht Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës. Pikërisht këto dy institucione e dinë në çfarë evenimenti do të ofrohet mishi për festën në kryeqytet.
Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri ju autorizoi juve dhe ministrinë tuaj që të merreni me përzgjedhjen e deshve dhe qengjave...
Po, është e vërtetë që z.Berisha autorizoi Ministrinë e Bujqësisë, por ne do t'i ndihmonim Bashkinë dhe Ministrinë e Kulturës t'i gjenin në cilësinë e duhur dhe në kohën e duhur 1000 deshtë dhe 1000 qengjat e cilësisë së parë sipas porosisë së Kryeministrit.
…Dhe porosia e Kryeministri tashmë është kryer?
Në momentet e festës, do të shikoni se gjithçka do të jetë gati dhe me cilësinë më të mirë, me qëllim që qytetarët të shijojnë ushqimin bashkë me atmosferën festive. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Pavarësia, mbeten "peng" 2000 "kurbanet" e Berishës

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›