E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia, mbeten "peng" 2000 "kurbanet" e Berishës

TIRANE-A do të theren 1000 desh e 1000 qengja për 100-vjetorin e Pavarësisë, ashtu siç kërkoi Kryeministri i vendit, Sali Berisha? Kur kanë mbetur vetëm gjashtë ditë nga festa, të gjithë flasin, por askush nuk e di nëse kjo do të ndodhë realisht. Të paktën asnjë institucion, qoftë Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, qoftë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, qoftë Bashkia e Tiranës nuk japin asnjë konfirmim nëse kanë nisur përgatitjet për grumbullimin e kafshëve, dhënien e fondit për blerjen e tyre apo përcaktimin e një vendi ku mund të bëhet therja masive. Burime nga Ministria e Bujqësisë shprehen se deri më tani nuk kanë asnjë kërkesë, ndërkohë që sipas tyre, duhet të jetë Ministria e Kulturës që duhet ta bëjë një hap të tillë. "Ne nuk kemi kompetenca organizative. Është Ministria e Kulturës ajo që duhet të bëjë një kërkesë pranë nesh për këtë çështje. Ajo që mund të themi me siguri është se, ne si ministri nuk kemi asnjë problem për gjetjen e bagëtive. Aktualisht në vendin tonë janë të regjistruara rreth 2 milionë e 200 mijë bagëti të imta, të gjitha të matrikuluara dhe të kontrolluara. Domethënë ne na nevojitet vetëm kërkesa për të nisur punën, s'është problem sigurimi i tyre", - u shprehën burime zyrtare nga Ministria e Bujqësisë. Gjithashtu, ata thonë se lajmi ka ngjallur interes të madh tek rritësit e bagëtive, pasi ka patur nga ata që janë paraqitur pranë ministrisë për të vënë në dispozicion qengjat dhe deshtë e tyre.
Ministria e Kulturës
Edhe zyrtarë të Ministrisë së Kulturës shprehen se nuk po bëhet asnjë hap në lidhje me deklaratën e Kryeministrit për therjen e 2000 bagëtive me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
Sipas Zv.ministrit Abaz Hado, kjo nuk ka lidhje fare me programin e Pavarësisë, ndërsa shprehet se ai është mbyllur prej kohësh. "Ministria e Kulturës nuk po harton asnjë kërkesë për Ministrinë e Bujqësisë në lidhje me qengjat dhe deshtë. Po kjo nuk ka lidhje fare me programin e Pavarësisë. Kryeministri ia kërkoi këtë ministrit të Bujqësisë, Z.Ruli dhe ata mbase kanë mundësi që t'i sigurojnë me fondet e veta këto bagëti. Ne nuk po bëjmë ndonjë gjë në lidhje me këtë çështje", - tha Hado në një prononcim për "Gazeta Shqiptare". Ndërkohë që, edhe Bashkia e Tiranës mohon në mënyrë kategorike që të jenë duke bërë përgatitje për kurbanin masiv të 100-vjetorit të Pavarësisë. Sipas përfaqësuesve të këtij institucioni, ata nuk kanë lidhje fare me therjen e bagëtive. "Bashkia e Tiranës nuk ka asnjë lidhje me kërkesën e Kryeministrit. Absolutisht nuk jemi duke përgatitur asgjë dhe nuk ka asnjë shesh që po bëhet gati për thertoren", - thanë përfaqësues të bashkisë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›