Kuvendi i Kosovës seancë solemne për katër vjetorin e pavarësisë. Berisha: Kufijtë në Ballkan nuk preken
Kosova feston nesër katër vjetorin e Pavarësisë me 87 shtet që njohin zyrtarisht këtë gjë. Me këtë rast Kuvendi i saj është mbledhur në një seancë solemne. Katër vjetori i pavarësisë vjen në një kohë kur në Mitrovicës serbët kanë mbajtur një referendum, ku shprehet mosnjohja e Republikës së Kosovës. Kuvendi i Kosovës e ka shpallur të kundërligjshëm referendumin dhe jokushtetues.
Ky vit, ku Shqipëria nga ana tjetër do të festojë 100-vjetorin e pavarësisë përkon edhe me vitin kur Kosova do ti japë fund pavarësisë së mbikëqyrur.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi i ka dërguar një mesazh urimi presidentes së Kosovës Ahtifete Jahjagës me rastin e katër vjetorit të pavarësisë ku shprehet se Kosova dhe Shqipëria janë gjithmonë e më afër në të gjitha drejtimet.
Këto suksese, përpjekjet tuaja, si dhe vështirësitë e sfidat e reja që po kaloni janë pjesë e rrugës së pakthyeshme drejt integrimit euroatlantik që ju po synoni. Ne ju sigurojmë që këtë rrugë do ta kalojmë së bashku hap pas hapi, duke bërë që integrimi i suksesshëm i dy vendeve tona do të çojë në paqe të qëndrueshme, demokraci të plotë, zhvillim ekonomik dhe shtet ligjor, kaq shumë të munguara dhe të dëshiruara në të gjithë rajonin e Ballkanit, shprehet Topi.
Kryeministri Sali Berisha me anë të një njoftimi për mediat shpreh mbështetje nga qëndrimi të qeverisë së Kosovës ndaj referendumit të serbëve të Kosovë duke e cilësuar atë të paligjshëm. Berisha e cilëson aktin të pavlerë dhe ka si qëllim mbajtjen në rend dite të një skenari të rrezikshëm, që synon ndryshimin e kufijve ekzistues. Ai ka theksuar se ndryshim i kufijve në Ballkan cënon paqen dhe stabilitetin në rajon.