PS paraqet planin e masave për situatën emergjente në Kuvend. Patozi: Opozita të mos na ngatërrohet nëpër këmbë
Pas një orë ndërprerje, Kuvendi i Shqipërisë ka vijuar sërish seancën plenare ku Partia Socialiste ka prezantuar planin afatmesëm e afatgjatë të masave që sipas saj do ta nxjerrin vendin nga situata e shkaktuar nga bora në zonat veriore dhe verilindore të vendit.
Deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe ka prezantuar sot planin e veprimit duke renditur të gjitha pikat e tij. Ai ka theksuar se fondet e alokuara nga qeveria janë të pamjaftueshme dhe qesharake. Ai ka akuzuar qeverinë për papërgjegjshmëri në menaxhimin e situatës dhe mungesë gatishmërie për t`iu gjendur pranë banorëve. Ai u bëri thirrje komuniteteve fetare që ato para që dje qeveria i ka kaluar në dispozicion t`i kalojnë në ndihmë të banorëve që gjenden sot në gjendje tragjike, të izoluar dhe pa ndihma.
Ja plani emergjent i PS-së:
Identifikimi i kostove të emergjencës për mbajtjen hapur të rrugëve që lidhin komunat me njëra-tjetrën, fshatrat me njëri-tjetrin dhe fshatrat me komunat.
Hapjen e rrugëve që lidhin qytetet me komunat dhe fshatrat, hapjen e rrugëve kombëtare.
Kthimin në eficiencë të plotë të ujësjellësve
Furnizim të menjëhershëm me ujë të qyteteve dhe komunave
Furnizim të menjëhershëm me barna edhe për 2 muaj, si dhe mbajtjen hapur të të gjitha qendrave shëndetësore
Furnizim me veshmbathje në fshat e qytet për dy muaj
Furnizim të menjëhershëm me gaz, qymyr dhe dru për 3 muaj
Furnizim me ushqim në sasi të mjaftueshme edhe për 3 muaj
Identifikimin e kostove për dëmet në rrugë rurale dhe kombëtare, në rrugët e brendshme të qyteteve.
Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në rrjetin e kanalizimeve, të ujërave të bardha dhe të zeza.
Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në shkolla në qytet dhe në fshat.
Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në banesat e qytetarëve në qytet dhe në fshat.
Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në bagëti.
Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në bazën ushqimore të këtyre familjeve.
Të alokohen grantet e planifikuara në buxhetin e shtetit për komunat dhe bashkitë në nevojë.
Alokim i fondeve për ndërhyrje të menjëhershme
Alokim i fondeve për ndihmën ekonomike në një masë të plotë 4-mujore.
Alokim i fondeve shtesë për familjet që do bien në varfëri për shkak të dëmeve, në masë të plotë dhe të paktën për 4 muaj.
Alokim i menjëhershëm i fondit të buxhetit të shtetit për ndërtimin e digave, për tu paraprirë atyre fenomeneve që mund të ndodhin nga shkrirja e menjëhershme e borës.
Alokim i menjëhershëm i fondeve operative për funksionimin e hidroforëve dhe kanaleve kulluese.
Patozi: Plani i masave, fantazi e Ramës
Kryetari i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi e ka cilësuar planin e masave për përballimin e emergjencës të paraqitur nga PS-së si fantazi e kreut të saj Edi Rama. Duke folur në seancën plenare të Kuvendit, Patozi theksoi se plani i PS-së është kundër banorëve të cilët kërkojnë ndihmë konkrete dhe jo fjalë boshe.
Kuvendi nuk miraton plane, ne miratojmë ligje dhe vendime. Kanë qenë kongreset e Partisë së Punës që e bënin atë, ne miratojmë ligje dhe vendime, që u shkojnë në ndihmë e njerëzve të bllokuar- theksoi Patozi, duke shtuar se plani i PS-së nuk është as ligj, as rezolutë, kjo e bën qesharake rolin dhe peshën e opozitës që është në kundërrymë.
Sipas tij, në kohë fatkeqësish kërkohej solidaritet e opozita në kohën që nuk ndihmon, së paku duhet të mos prishë punë.
Në asnjë vend një opozitë normale nuk i ngatërrohet nëpër kembë një vendi në emergjencë. Njerëzit nuk ndihmohen në Twitter e as Facebook. Banorët nuk ndahen në të djathtë e të majtë. Ata njerëz pavarësish bindjeve kanë një kërcënim, borën dhe motin e keq, e kanë harruar për kë kanë votuar, por Rama përpiqet t`i ndajë në hallin e përbashkët, t`i fusë panikun me shpresë se ata do zemërohen me qeverinë tha Patozi.
Sipas tij, Rama e ka bërë një gjë të tillë sa herë i ka ardhur rasti e nuk vë mend. E bëri vjet pas përmbytjeve dhe përmbytjen e mori në zgjedhjet lokale. Të tillë përgjigje do të marrë gjithnjë politika e hijenës. Këtë politikë e përshkruan më së mirë patriarku i socialistëve, Agolli kur thotë se shikon tufa ujqërish në borë që kërkojnë vota dhe unë besoj këtë- tha ai.
Patozi deklaroi se asnjë nuk kërkon nga opozita të bëjë sehir, ajo të mbajë shënim çdo defekt, të kërkojë llogari tani e më vonë, por ndërkohë të vërë një dorë për kapërcimin e situatës./ora-news