E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia e Kosovës, frikë dhe pasiguri në vendet e Azisë

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ka mbjellë frikë dhe pasiguri në shumë vende dhe kombe aziatike, të cilat janë të përbëra nga shumë grupe etnike. Këto vende i frikësohen mundësisë se pavarësia e njëanshme e Kosovës mund të shërbejë si shembull për shumë grupe të tjera etnike, të cilat jetojnë të disintegruara në shtete të tilla si Kina, Indonezia, Sri Lanka dhe Indi.
Në Azi, pavarësia e Kosovës po shihet si një model kërcënues. Kina është e frikësuar se të njëjtën gjë mund të ndjekë edhe Tajvani. Për këtë arsye, shteti kinez shprehu dje “shqetësimin e thellë” për pavarësinë e njëanshme të Kosovës, teksa i ka kërkuar Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës që të gjejnë një zgjidhje nëpërmjet negociatave.
Tajvani, nga ana tjetër, ka uruar Kosovën për pavarësinë e saj. Në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Tajvanit thuhet se “vetëvendosja është një e drejtë e njohur nga Kombet e Bashkuara dhe duhet të jetë vetë populli ai që duhet të vendosë për të ardhmen e kombit”. Tajvani, i konsideruar si “ishulli rebel” nga Kina, është përpjekur disa herë që të njihet si i pavarur nga Kombet e Bashkuara, por gjithmonë e ka gjetur veten të bllokuar nga Kina dhe aleatët e saj. “Në asnjë mënyrë nuk duhet që pavarësia e një vendi të dënohet nga një vend tjetër”, - thuhet në deklaratën e Tajvanit.
Indonezia, e cila ka qenë në luftë për pavarësinë e Aceh dhe e përbërë nga shumë grupe etnike, ka deklaruar se ende nuk është gati që të njohë pavarësinë e Kosovës. Por grupet islamike indoneziane kanë festuar për pavarësinë e kosovarëve, të cilët janë myslimanë. Por, Abdilah Toha, anëtar i Parlamentit, tha se Indonezia do të abstenojë në OKB në votimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Sri Lanka, e cila ka qenë në luftë kundër Tamilit për pavarësinë e tij prej 20 vjetësh, deklaroi dje se lëvizja në Kosovë do të krijojë “një precedent të pamenaxhueshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare”. Ministri i Jashtëm i Sri Lankës deklaroi se nuk do ta mbështesin pavarësinë e Kosovës, sepse një gjë e tillë përbënte një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Izraeli po e ndjek me shqetësim dhe rezerva të ashtuquajturën “pavarësi të njëanshme”, pasi ajo mund të ketë ndikim në çështjen palestineze. Ministri i Jashtëm izraelit tha se po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme situata dhe do të shprehë qëndrimin e Izraelit në të ardhmen.

19 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›