E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen një ditë që bëhet sot

Azem SHKRELI
Shënime natën 3

Nëntëdhjetë vite e pa Pren Pali qiellin
në të njëjtin qiell mbi vetull e u grind me korba
shpesh u grind dhe nëntëdhjetë vite shkeli
udhës së dheut e tha kur të ketë mot të mirë
mosha
e të piqen mençuri e manaferra, kur të kalojë
lufta e parë, e dyta, e treta e të plaken ndershëm
fëmijët e fëmijëve, njëmijë vite kur të marrë
vera mbarë do e nxjerrë nga gëmusha a guri a
nga mustaku i vjetër hutën të shtjerë tri herë
a katër në qiell e të ulet majë krismash
ta mbushë kupën plot e të pijë e ta jetojë
pak Pren Pali të vetën nëntëdhjetë vite e pa
Pren Pali qiellin, të njëjtin qiell mbi vetull
edhe mbrëmë dhe u grind përsëri me korba, e
Pështynte thikëpërpjetë, e qeshte si fëmijë
i miri Pren Pal tek vdiste nga e kaluara e tij

Shënime natën 5

Njëqind vjet të kemi pritur
si një, të kemi kërkuar në limfë e në fjalë
në fund të liqenit kemi zbritur prej teje, ogi
poga, gur mbi gur s’kemi lënë, dru mbi dru
po eja njëherë, kafsha e zezë e hëngërt
eja siç vihet e jepu kuptim të fshehtave, jepu
trishti të errtave shpupurish me thonj, shpupu
rish me dhëmbë mëshikzës së mjerë të
frikës se na duhen ethe, na duhen ëndrra
të trishta, na duhen njëmijë e një net
sqotash gjithë të ndërkryera, të ziera
në shirë e në shtarë fantazmash zi e më zi nga
bukuria jote, ogipoga, po eja njëherë ore
kafsha e zezë e hëngërt, shpupurish me
kthetra, shpupurish me ç’të duash fosileve
tona veç eja, është dashur të vije qëmoti, ogi
poga, eja njëherë e në daç na shpëto në daç mos
po eja e në daç na fal në daç na ha sa s’e kemi
hangër njëri-tjetrin, kafsha e zezë e hëngërt
eja, njëqind vjet po të presim, ogipoga

Profeci

Diç do të çmendet sonte nga gufimi
Kridhu gjel i gjorë përmbi muranë
Të ndjerëve nuk u duhet shugurimi
Në Shkodër ndizej llulla me breshanë

……………………………………..

Pergamena jonë është shkronja plot
Monalizë, a te plaku shqip vonimi
Përherë vjen një ditë që bëhet sot
Diç do të çmendet sonte nga gufimi

Ali PODRIMJA
Zari

Të bëhet
Se je fitues
Veç ti ke hyrë në lojë

Të bëhet
Se dole në breg
Uji të ka bartur kushedi se ku

Të bëhet
Se jeton më në fund
Ti i harruar tashmë nën bli

Zari është art
Ai që e hedh
Ndan edhe humbjen

Mali i mistershëm

Mali është afër
Por unë kurrkund
Humba pas Sëpatës
T’u tregoj bile
shtegun si dilet
nga ky ferr dantesk
Më afër Mali se këmisha
Shpërtheu edhe nën lëkurë
të dashurisë sime

Ujku

Dhe lëtini tha:

Po qe se takon
Arbëreshin dhe ujkun
Vraje arbëreshin

Dhe kur fjala i ra në vesh
Arbëreshi buzëqeshi
Dhe drodhi një cigare

Po qe se më vret mua
more i gjorë
Kush do ta vrasë
Ujkun

Mjerë kopeja

Eqrem BASHA
Meny ballkanike

Mos e shtro sofrën e dashur
Sonte do të hamë jashtë
Do të dalim më herët
Do të kthehemi vonë
Te ne në Europë jeta ka ndryshuar
Eja me mua e dashur
Të pimë një ponç te bari Admiral
Marrim dhe një coupe royale
Te caffe Montreal
Rrugës në billardo Benny
Hedhim një karamboll pas shpine
Do të pimë një capuccino
Te caffeteria Marilyn
Në Florida club një martini me ullinj
Mos e shtro sofrën e dashur
Sonte do të hamë jashtë
Në pizzeria Miamy
Marrim pizza New Jersy
Escaloppe viennese në restaurant Roma
Vemi dhe te Parma
Për një coupe macedonienne
Që të kthehemi më në fund
Vonë në shtëpi
Të zbrazim zorrët
Në një hale Ballkani

* * *
vonë është për të dalë në shesh
e dashur
mbyll zogjtë në kafaz
vër qenin në gjumë
të mos i leh hënës

vonë është për të qarë
e për t’u ankuar
e dashur
vër dorën në zemër
mbyllja kyçin ligësisë
lëri ata që flenë me urrejtje
të djegin llampën e vet
dhe ta mbledhin vrerin në shishe

vonë është për dashuri
e dashur
sot gjithë ditën kam qenë argat
në tregun e të dëshpëruarve
dhe s’më mori kush
të mbjell një farë shprese
në arën e madhe
në fund të zabelit

vonë është për dashuri
vonë
më zgjo nesër herët
nëse s’kam vdekur nga pikëllimi

Basri ÇAPRIQI
Dhoma ime në Prishtinë

Të gjitha gjërat që i lë në mbrëmje përmbys
Të kullojnë gjakun e kuq të mishit që sjell
Nga pyjet përreth
Në mëngjes varen në çengelat mbi furrë

Krejt hallin e kam
Të zënë vend një herë e mirë enët
Në skajin ku zakonisht strukej macja
Në skajin ku zakonisht
Gruaja drejtonte vazot e luleve kah drita Në skajin
Ku fëmijët grumbullonin lodrat Në skajin ku linim
vend bosh që
Të hapet dera tani

Tani var kapelen ftonjtë e zverdhur në një gozhdë
të përflakur
Dhe mund të mbyll derën nga brenda me
dorën e zgjatur

Në murin ku më parë rrihte ora Në gozhdën
Ku varja një sy të bardhë rrethuar me të zezë
Mbi perden
Ku përvidhej një marimangë tani

Tani fryej pluhurin e stuhisë që derdhej mbi pullaze
Ftohte në mes ditës së ligë

Teli në ballkon i shtrirë lakuriq qe
Pret teshat të varë të bardhat
Liruar nga erë e rëndë dhe nga pesha e trupit
Tim që shprishej tek ujët e trazuar tani

Tani jam unë ai që hap me rrëmbim xhamat
Të mos pëlcasin nga ulërima e Bindit

Ismail KADARE
Nisja e shqiptarëve…

U nisën për luftë, “bënë tutje”,
Pa fjalë të mëdha e pa këngë,
Me opingat me xhufka të kuqe
Si me zjarre të vegjël mbi këmbë.

Ikën larg që të gjenin armikun.
Çdo armik, në çdo breg që ta gjesh,
Kaq të thjeshtë luftën e kishin,
Sa që “tutje” e quanin thjesht.

Në çdo anë që të ecnin, patjetër
Do t’u dilte diku midis shqotës,
Ajo ishte për ta pjesë e jetës,
Ish përmasa e katërt e botës.

Dhe kur binin në prille a në vjeshtra
Nëpër brinja të shtrirë, nëpër lugje,
Si me zjarre të vegjël të përjetshëm
Era lozte me xhufkat e kuqe.

Kthimi…

Po vijnë, dil t’i shohësh
Të rralluar, ja.
Mbi opinga xhufkat
Të përzhitura.

Ku është Cute Gjati,
Allamani ku?
Në rimë të një balade
Kanë ngecur diku.

Po Marku, Dule Shkoza?
Vonojnë pak…
Rapsodët ecin ngadalë,
Të verbër janë.

ǒbëtë andej tutje,
ǒnam, ç’batërdi?
Për nam s’u kujtuam,
Bëmë Shqipëri.

Agim SPAHIU
Prizreni Kryevendi

Atje bie Prizreni, bir, Prizreni
Kryevendi
Një varr i paemër pushon në varreza
mbuluar nga harresa…
Vetë nuk jam kanë, baba ma ka thanë.
E unë po ta them ty:
gjyshstërgjyshi Hamdi fle nën një bli,
sytë i ka çelur
si dy orë të bardha,
thirri,
do të ngjallet,
me tirqit e bardhë, xhamadan me lara,
në gjoksin e valë do t’i pikojë plaga…

Dritëro AGOLLI
Fshehtësitë e qiririt

Qiriri ka vërtet diçka të fshehtë,
Diçka që s’mund ta marrësh thjesht me mend,
Qiriri derdh me dyllin lot të nxehtë
Dhe ti vështron tek tretet si një shenjt.

Sjell frymë e tij një mirësi mistike
Dhe qenien tënde ta pushton në çast.
Pastaj ti humb mbas ëndrrave biblike
Dhe kotësitë e jetës mbeten pas.

Të zbresin tok me dyllin nga shandani
Fytyra disi fshehur në ngujim.
Të shfaqen varg Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani
Të shfaqen lotët e të treturit Naim…

Dhe zbutesh krejt si shenjt që del nga hiri, -
Nga shkrumb i viteve që shkuan varg e varg, -
Ti s’flet dhe pret të flasë veç qiriri,
Siç pret një mendimtar që vjen nga larg.

Poeti dhe shpirtrat

Poeti zgjon shpirtrat e fjetur
Dhe shpirtrat ngrihen në këmbë.
Pastaj turbulluar e nxehur,
Poetin e shqyejnë me dhëmbë…

Mihal HANXHARI
Urë

Ajo urë si dy vetë që duan të përqafohen
Njëri në një breg tjetri në tjetrin breg
Dhe dot s’bashkohen

Ajo urë
Si një përqafim që nuk lidhet kurrë
Njëri në një breg tjetri në tjetrin breg
Përqafim e puthje bërë gurë

Ajo urë

Fatos ARAPI
Ku është Kaini

Mbrëmë në rrugën e ngushtë tiranase
takova Abelin gulçues që pyeste:
- Ku është Kaini?
Se unë – thoshte Abeli – duhet të vdes,
patjetër duhet të vdes.
A e ke parë Kainin?

Në fushën e errët të gjakut
mbijnë dhe ecin ullinjtë.
Dhe ti më lëshon ndër duar
vdekjen tënde që thërret:
Ku është Kaini?

Xhevahir Spahiu

Kënga e lirisë

Toka, qengj i therur, përpëlitet.

Pyet bari: ç’do të thotë jetë?
Pyet i vrari: hyj a dal në mesjetë?

Si lumenj të turbullt,
nga zemërimi flasin përçart
poetët.

Plumbii ua vodhën,
me plumb i goditën,
gotat delirante kryeqyteteve ngritën.
Po foshnja e mbytur në gjak,
po plaku i këputur në prag,
edhe të vdekur shpallin fjalë zgjimi:
Bashkimvëllazërimi – perdekrimi.

Po këngët,
këngët a do të gdhihen pa pranga?
A do ta shkulë jeta me dorën e vet
atë thikë të ngulur mbi shpinë?

Kosova është në muajin e nëntë
dhe do të pjellë lirinë.

1990

Ballkani

Gadishulli im,
Prometeu im!

Ti që u vodhe zjarrin perëndive
e botën le pa mend,
prej mijëra vjetësh
përpëlitesh
digjesh
në zjarrin tënd.

Krahu i njërit në mëngën e tjetrit,
këmba e malit në fytin e fushës,
ndarë të gjallët nga të vdekurit,
mëria e vjetër pjell këlysh si bushtër.

As fshatarit pa shkollë s’i ngjan,
atij fshatarit që sa gdhinte dita
pyeste të birin:
pa shih,
a del tym nga oxhaku i fqinjit?

Plak gërnjar,
djalosh që s’di ku t’i derdhësh fuqitë,
ç’pandehe, se koha është zbutëse,
i shtron,
i bën qengj perënditë?

Herë-herë
Mbi ballin tragjik vetëtin një thinjë mençurie;
e bën një Fushë Kosovë,
një Vllahi, një Misolongj
a një epos antifashist;
nëpër netët e tua homerike
gjen një nyje lidhëse,
shpatat i bashkon.
Pastaj, djallo o punë,
të merr malli për sherr e për dhunë,
nxjerr shpatat,
humnerat thellon.

Gadishulli im,
Prometeu im!

Me zjarrminë e kokës avullove Danubin,
me zjarrminë e këmbëve thave Detin Mesdhe.
Për të dalë prej absurdit,
urrejtjet çnjerëzore
urre!

1988

18 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›