Serbia: “Luftë” diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, tha se Serbia do të synojë ta bllokojë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara. "I ashtuquajturi shtet i Kosovës kurrë nuk do të jetë anëtar i Kombeve të Bashkuara", - tha zoti Jeremiç. Për këto bllokime ai tha se Serbia do të mbështetet te Rusia.
Ndërkaq, ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiç, ka deklaruar gjatë një vizite në Mitrovicën Veriore se Serbia asnjëherë nuk do t’i pranojë institucionet e Kosovës dhe pavarësinë e saj. Ai u tha qytetarëve serbë se Serbia do të vazhdojë të ruajë kontrollin në ato pjesë të Kosovës ku jeton pakica serbe dhe ka shtuar se pas ditës së diel në Kosovë po vendosen dy pushtete. Samarxhiç deklaroi se serbët e Kosovës dhe Serbia do të bashkëpunojnë vetëm me administratën ndërkombëtare, UNMIK, në Kosovë.
"Të bashkëpunohet me UNMIK-un, me të vetmin autoritetet të bashkësisë ndërkombëtare, të cilin Serbia e pranon në Kosovë. Serbia nuk do të pranojë Institucionet e Kosovës, ato shqiptare, dhe nuk do ta pranojë as misionin e BE-së, sepse edhe njëra edhe tjetra janë joligjore dhe jolegjitime dhe për shkakun se janë të pranishme përmes një shkeljeje të paprecedent të së drejtës ndërkombëtare", - tha Samarxhiç.
Protestat në Mitrovicë
Mijëra serbë, duke thirrur "Kjo është Serbi", kanë protestuar në veri të Mitrovicës kundër pavarësisë së Kosovës.
Protestuesit mbanin parulla ku shkruhej "Rusi, na ndihmo" dhe flamuj amerikanë, mbi të cilët ishin shtuar simbolet naziste.
"Amerika nuk është më fuqia e vetme në botë", - tha Marko Jakshiç, një nga udhëheqësit e linjës së ashpër të serbëve të Kosovës. "Nëse shqiptarët do përpiqen të kalojnë urën, ne do kërkojmë nga ushtria serbe të përdorë të gjitha mjetet që ka në përdorim që t'i ndalojë ata", - tha ai. Protesta ka pasur dhe në Graçanicë.
Nga një shpërthim në Zubin Potok u shkatërrua një automjet i UNMIK-ut. Ky ishte sulmi i dytë i ngjashëm në zonat e populluara me serbë në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë.
Serbët etnikë në Bosnje dhe Malin e Zi shprehen kundër Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Burime zyrtare nga këto dy vende u shprehën se serbët etnikë të Malit të Zi dhe të Bosnjës do të përpiqen që të bllokojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga dy vendet e tyre.
Serbët e Bosnjës
Republika autonome Serbe në Bosnjë tha se as do ta njohë dhe as do ta pranojë “pavarësinë e njëanshme të Kosovës”. Kryeministri Miloard Doik dhe presidenti Rajko Kuzmanoviç e cilësuan një gjë të tillë si një akt të papranueshëm. Ata deklaruan se gjysma serbe e Bosnjës do të përpiqet që të frenojë qeverinë qëndore në Sarajevë për të mos njohur Kosovën. “Republika Serbe nuk do të lejojë asnjë institucion të Bonjës që të njohë pavarësinë e njëanshme të Kosovës”.
Në Banja Luka, kryeqytetin e Republikës Serbe të Bosnjës, disa mijëra demonstrues u përpoqën të çanin rreshtat e policisë para Konsullatës së SHBA-ve. Në qendër të Beogradit u grumbulluan rreth 7000 veta në një demonstratë kundër pavarësisë së Kosovës.
19 Shkurt 2008