Blushi: Plani i Ramës ishte të merrte kryeministrinë me dhunë

Deputeti socialist, përfaqësuesi i LMN-së ka akuzuar kryetarin e PS-së, se e mbajti peng të majtën me ëndrrën e tij për të pushtuar kryeministrinë me dhunë dhe për të marrë pushtetin në tavolinë. “Ishin thirrjet për revolucion që sollën edhe izolimin e socialistëve nga ndërkombëtarët”, deklaroi mbrëmë në një emision televiziv, deputeti Ben Blushi
Një nga eksponentët më të njohur të Partisë Socialiste, deputeti Ben Blushi, hodhi mbrëmë akuza të ashpra në drejtim të kryesocialistit në detyrë, Edi Rama, për gjithçka të sajuar gjatë këtyre 6 muajve që opozita është mbajtur jashtë dyerve të parlamentit. Blushi u shpreh gjatë emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu se Edi Rama nuk pasur hallin e zgjedhjeve nëse u manipuluan apo jo, fitoi PD apo PS, por të merrte me çdo kusht pushtetin dhe të bëhej Kryeministër.
“Edi Rama ishte i përgatitur për rrëzimin e pushtetit me dhunë dhe marrjen e Kryeministrisë përmes protestave popullore që do ta bënin atë Kryeministër”, u shpreh Blushi, duke hedhur kështu një akuzë tepër të rëndë për liderin e opozitës dhe njëherazi vë në pikëpyetje të ardhmen politike të Partisë Socialiste.
Deputeti socialist shtoi se “ata njerëz që erdhën në shesh, apo më saktë ata pak njerëz, erdhën me idenë se do të arrinin të detyronin qeverinë që të realizonte zgjedhjet e parakohshme. Por, synimi i Edi Ramës nuk ishte ky. Ai donte të organizonte rebelime popullore, për të rrëzuar qeverinë në mënyrë që të merrte Kryeministrinë. Pra, gjithçka e sajuar ka qenë për interesa personale”, deklaroi deputeti socialist, Ben Blushi.
Lidhur me thyerjen e bojkotit dhe hyrjen në parlament, deputeti socialist komentoi se PS gjatë këtyre muajve ka fituar një të drejtë kushtetuese që e kishte më parë, që nënkupton se draftet e depozituara dje në Kuvend, mund të ishin bërë që në muajin shtator dhe mund të ishte avancuar si me pretendimet ashtu edhe arsyetimet e sakta ligjore.
Blushi vuri në dukje më tej, se bojkoti nuk ishte kauzë, por një mjet dhe një alibi e Edi Ramës për të uzurpuar Partinë Socialiste për një “kamxhiku”, pasi humbi zgjedhjet e 28 Qershorit.
“Ishte mjet për t’u kthyer në “kamxhik” mbi kurrizin tim. Pasi ishim dje në mbledhje dhe u mbyllën dyert për ne. Nëse do të ishte kauzë, do të ishte që në ditën e parë. Por vini re, ditën e parë të zgjedhjeve, Rama tha se zgjedhjet ishin të mira. Ditën e dytë tha të njëjtën gjë dhe se ai ishte fitues. Por, në fund ishte humbës. Dhe unë isha i pari që i kërkova dorëheqjen. Nga ky moment ai luajti me bojkotin, për ta kthyer në “kamxhik” ndaj atyre që i kërkuan dorëheqjen dhe ky “kamxhik” po bie mbi mua dhe mbi ata që kërkuan dorëheqjen e tij. Kjo është arsyeja, që ky bojkot nuk mund të ishte i suksesshëm. Ne rihymë në parlament, por jemi bërë qesharakë, sepse nuk kemi asnjë rezultat. Unë do t’i shtrëngoja dorën Edi Ramës nëse ai do ishte qëndërrestar. Por, ky njeri e ka bojkotin për arsye të vogla, ai po rrudh Partinë Socialiste”, tha më tej, deputeti Ben Blushi, i cili shtoi se bojkoti u thye nga presioni i ndërkombëtarëve dhe nga kritikat brenda PS.
Deputeti Ben Blushi, u shpreh më tej se nuk është Shqipëria në krizë, por është Partia Socialiste.
“Në krizë nuk është vendi, por Partia Socialiste, për shkak të qëndrimeve të Edi Ramës, që nuk pranoi të jepte dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve. Partia Socialiste i ka humbur zgjedhjet”, vuri theksin Ben Blushi.
L.Quku