Ministri Prifti inauguron nënstacionin e ri elektrik në Fier
Një tjetër vepër ambicioze e sektorit Energjetik, i është shtuar projekteve të realizuara. Dy ditë më parë u inaugurua nënstacioni 110/20 KV, pranë TEC-it Fier, ku të pranishëm në ceremoni ishin ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti. ambasadori spanjoll Manuel Montobio, presidenti i "IBERDROLA Engineering and Constructions", Ramon De Miguel. Ministri Prifti falënderoi miqtë spanjollë, duke vënë në dukje punën e mirë që është bërë nga kompania spanjolle me një eksperiencë të gjerë në fushën e Energjetikes. "Më vjen mirë që ky nënstacion është bërë në Fier, në vendin ku unë u zgjodha deputet dhe kështu kam një arsye më shumë të gëzohem duke i shërbyer qytetit tim. Ky nënstacion u ndërtua të mbajë me energji elektrike këtë qytet dhe ia arritëm ditës për ta inauguruar" tha Prifti. Ndërtimin e këtij nënstacioni nga një kompani spanjolle e ka përshëndetur edhe ambasadori Manuel Montobio. "Jemi krenarë që jemi pjesë e këtij investimi. Shpresojmë që Shqipërinë ta çojmë në një standard me vendet evropiane" u shpreh ambasadori gjatë fjalës së tij përshëndetëse.