Pavarësia ekonomike është pavarësi politike
Këtë javë në Tiranë u zhvillua konferenca “Përballja me stereotipat gjinore”, aktivitet i organizuar nga Ministria jonë e Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Isha tepër e interesuar të shihja se çdo të bëhej në këtë konferencë, sidomos pas disa lajmeve të javës së fundit, ku ishte një regjistruar një numër i madh kallëzimesh nga femrat e dhunuara prej bashkëshortëve, kallëzime që ishin tërhequr përsëri menjëherë pas dhënies së vendimit nga gjykatat, duke i bërë këto akte denoncuese të pavlefshme. Për fat të keq, në këtë konferencë çështja “dhuna në familje”, ose më saktë problematika “burri më rreh” u përmend shumë pak, edhe pse duket se është një ndër shqetësimet kryesore që duhet të gjejë zgjidhje. Shteti shqiptar dhe ministria e linjës, e shikon zgjidhjen e këtij problemi me anë të ngritjes së bazës ligjore, si dhe të ndërtimit të disa strehëzave “moderne”, ku femrat e dhunuara të shkojnë kur i rreh burri.
Por politikëbërësit tanë harrojnë atë më thelbësoren, se dhuna në familjen shqiptare nuk ndalohet as me ligj dhe as ndihmohet me strehëza “moderne”. Shtetarët tanë i kërkojnë femrës të kallëzojë dhunën fizike në organet kompetente, duke harruar se këto femra vijnë nga një edukim familjar, ku janë bindur dhe janë mësuar se ato do të rriten e do të jenë pronë e burrit, se atij dhe vetëm atij do t’i përulen, se ai ka të drejtë edhe t’i rrahë edhe t’i dojë, sepse ai është pronari dhe sjellësi i të mirave dhe i këqijave. Kështu këto femra, ndërsa dëgjojnë për kallëzimin që i duhet bërë dhunës, fillimisht habiten, por më pas të lodhura nga vitet e dhunshme, shkojnë e kallëzojnë në polici, pa kuptuar se tashmë kanë mbetur në mes të rrugës, pa mbështetje e pa para në xhep.
Shtetarët tanë ende nuk e kanë kuptuar që barazia gjinore mbështetet në radhë të parë mbi fuqinë ekonomike. E për këtë më duhet të citoj një shprehje të përdorur shpesh përpara viteve ’90: “Pavarësia ekonomike është dhe pavarësi politike”. Femrat e dhunuara nuk kanë për të qenë asnjëherë të barabarta me meshkujt, për sa kohë jetesa e tyre, ose më mirë të themi “buka e përditshme” varet nga duart e meshkujve. Këto femra nuk kanë rrugë tjetër veçse t’i tërheqin mbrapsht paditë për rrahje, sepse nuk kanë ku të fusin kokën; sepse burri është ai që punon dhe që e mban me bukë, sepse burri kështu është parë që ditën e parë të martesës, madje shumë më përpara, nga prindërit e gruas, të cilët tanimë as nuk e pranojnë më të kthehet në shtëpinë e vajzërisë, duke i thënë: “Ne të kemi nxjerrë nga dera. Nuk kemi fuqi të të ushqejmë edhe ty”. E për të shmangur dhunën mashkullore nuk mjafton një “strehëz” shtetërore për t’i mbajtur ca kohë këto gra, sepse padyshim që ato janë aq të afta sa të ngrenë pyetjen: “Po më pas? Ku do të mbytemi?”
Politikat e shtetit duhet të drejtohen shumë më thellë sesa thjesht denoncimi i akteve të dhunës në familje, duhet shkuar në qelizë të saj, atje ku edhe sot një pjesë e mirë e prindërve u ngulisin fëmijëve femra sesi do të martohen kur të rriten, ndërsa foshnjat e gjora ende kanë marrë këmbët apo gojën.
Në këtë drejtim të edukimit, nuk po bëhet asgjë nga “hartuesit e platformave”, të cilët nuk shohin se edhe sot në kopshtet tona, fëmijët meshkuj u bëjnë dhurata fëmijëve femra dhe më pas si shkëmbim u kërkojnë të martohen. Në shoqërinë perëndimore kjo edhe mund të shihej si një fenomen jo problematik, por këtu në vendin tonë duhet të ndezim sinjalin e alarmit dhe të kuptojmë se nëse duam barazi gjinore, kjo duhet të fillojë që në djepin e edukimit, ku fëmijët duhet të luajnë dhe të mësojnë, dhe jo të dëgjojnë e të mendojnë për martesën.
Problemi i dhunës do të jetë mbizotërues, për sa kohë këtyre femrave nuk do u mësohet që në vogëli, se qëllimi kryesor i njeriut në jetë, nuk është martesa, por është edukimi dhe punësimi. Nga puna vijnë të mirat materiale, të cilat janë garancia e sigurt për çfarëdolloj pavarësie apo barazie gjinore që kërkojmë.
#