E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pianistët e rinj festojnë

Ceremonia U organizua takimi i katërt kombëtar

Përpara një piano, nën ndriçimin e disa qirinjve, pianistët e rinj luanin pjesë muzikore. Ky takim është kurorëzimi i një viti pune për ta, për mësueset e tyre dhe një kënaqësi për prindërit që i shoqëronin. Dje pasdite u organizua takimi i katërt kombëtar i pianistëve të rinj, organizuar nga “Epta Albania”. Njëri pas tjetrit, me partiturat përpara, 35 fëmijë uleshin të luanin pjesët që kishin përzgjedhur. Janë kompozitorë të njohur botërorë, por edhe shqiptarë. Dikush kërkon t’i bëjë sfidë vetes me një kompozim të vështirë, por sheh edhe vogëlushe që përloten teksa ngrihen në piano, sepse pa dashur gabuan ndonjë notë. është një atmosferë plot emocione e këtyre të vegjëlve që edukohen me dashurinë me muzikën. Nuk janë profesionistë. Pjesa më e madhe prej tyre zgjedhin drejtime të tjera në jetë, por ndodh të ketë edhe nga ata që dashurohen me këtë instrument. “Ky është një koncert festiv që ka për qëllim të takojë të gjithë nxënësit, t’u japë mundësi atyre të tregojnë për mësuesit dhe prindërit e tyre se çfarë kanë arritur gjatë një viti, por edhe të njohin njëri-tjetrin. Muzika është gjuha me të cilën flet shpirti dhe ne duhet t’i inkurajojmë këta të rinj. Në këtë moshë, 6-14-vjeçare ata e ndiejnë, e dashurojnë muzikën, kanë dëshirë t’ua tregojnë të tjerëve dhe u ngel një njohuri muzikore për të gjithë jetën”, shprehet udhëheqësja artistike, Takuina Truja Adami. Ndonëse nuk janë pianistë profesionistë, takimi i parë me një publik(ndonëse të afërmit e tyre), i emocionon. Në përfundim, juria e përbërë nga kryetarja Donika Sinoymeri, një nga mësueset e para dhe Anita Vezuli e Zana Pirdeni, kanë shpërndarë diplomat dhe librin e pjesëmarrësve. Takimi i këtij viti në fakt ka një përligjje edhe më madhore. Realizohet në kuadrin e 100-vjetorit të pianistes së njohur shqiptare, Lola Gjoka. Ky takim i parë do të pasohet edhe nga dy të tjerë në datat 11 dhe 14 qershor. Ky aktivitet është në vijim të edicionit të 15 të Festivalit Ndërkombëtar që u mbajt këtë fundmaji ku fituese e çmimit “Lola Gjoka” dhe “Feim Ibrahimi” u shpall Viola Paço, ndërsa fitues i çmimit “Tonin Guraziu” u shpall Mario Sula.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›