E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësia, panteon për figurat historike

13/12/2011  Kryeministri mbledh Komisionin Shtetëror për veprimtaritë për 100-Vjetorin

“Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Hasan Prishtina, duhet të kenë praninë e tyre në kryeqytet”

Panteonit monumental të kryeqytetit do t’i shtohen edhe figurat e shquara historike të vendit: Ismail Qemali, Ahmet Zogu dhe Hasan Prishtina. Ideja e hedhur pak kohë më parë nga kryeministri Berisha dhe e kundërshtuar nga Aleanca Kuqezi u mor gjatë mbledhjes së Komisionit Shtetëror për Organizimin e Veprimtarive për 100-vjetorin e Pavarësisë. I mbledhur për herë të parë nën drejtimin e kryeministrit Berisha, në komision u diskutua për rishikimin e historisë shqiptare dhe ridimensionimin e figurave të saj, me qëllim që Shqipëria në 100-vjetorin e saj të paraqitet në lartësinë e duhur. “Mendoj se ne duhet të bëjmë një përpjekje të re dhe të fuqishme drejt të vërtetave të pavarësisë sonë, të vërtetave të historisë sonë, që, pavarësisht nga dritëhijet, është një histori e madhe qëndrese e mbijetese, një histori e madhe luftërash dhe përpjekjesh, e cila u kurorëzua me pavarësinë e Kosovës. Duhet të bëjmë gjithçka që ky vit të jetë një motiv i madh për një horizont të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne kemi shumë nevojë që këtë 100-vjetor ta shndërrojmë njëkohësisht në pikënisjen e 100 vjetve të ardhshëm”, - tha kryeministri. Për këtë ai shprehu mbështetjen e qeverisë që kryeson ndaj institucioneve kërkimore shkencore në përpjekjen e tyre për një shqyrtim të ndershëm, serioz të një shekulli Shqipëri e pavarur. “Mendoj se institucionet tona kërkimore shkencore kanë një detyrë të madhe që të mund t’u paraqesin shqiptarëve të gjitha përpjekjet e tyre, të gjithë sakrificat e tyre, të gjitha arritjet, por dhe gabimet e tyre, sepse ne, siç thotë Çurçill, sa më kthjellët të shohim historinë e shkuar, aq më mirë do të mund të projektojmë të ardhmen. Është shumë e gabuar të mendohet se studimet, qëndrimet, vlerësimet do të synojnë lartësimin e njërit apo zvogëlimin e tjetrit personalitet në histori”, - deklaroi shefi i qeverisë. Në këtë kontekst ai vlerësoi të domosdoshme ridimensionohen figurat kryesore të këtyre 100 vjetve të pavarësisë së Shqipërisë. “Nuk mund të thuhet se qëndrimet e njëanshme në histori nuk kanë ndikuar në qëndrime të njëanshme në tërësi, kështu që është e domosdoshme të ridimensionohen figurat kryesore të këtyre 100 vjetve të pavarësisë së Shqipërisë. Unë besoj se disa prej tyre, si Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Hasan Prishtina, duhet të kenë praninë e tyre në kryeqytetin e vendit. Pavarësia vërtet u shpall në Vlorë, por ai ishte një akt madhor dhe pavarësisht problemeve kundërthënëse kontributi i tyre është i pamohueshëm në këtë shekull, është një kontribut i madh. Aty ku është dhe epiqendra në Shqipëri, aty duhet të jenë ata, mundet të jenë edhe të tjerë”, - vijoi shefi i qeverisë. Në fund të fjalës së tij Berisha u kërkoi anëtarëve të Komitetit të bashkëpunojnë edhe me qeverinë e Kosovës, autoritetet e Maqedonisë dhe Malit të Zi për të nderuar në mënyrë dinjitoze 100-vjetorin e shtetit shqiptar, që pavarësisht se ishte e përgjysmuar, pavarësisht se ishte koniunktural, qëndron në origjinën të gjitha ngjarjeve dhe zhvillimeve të tjera të mëdha të kombit këta 100 vjet.

Logoja e 100 vjetorit

“Zoti ministër i Kulturës, së bashku me specialistët, do të bëhet edhe logoja e 100 vjetorit dhe do të prodhohen një tërësi objektesh të lidhura më 100 vjetorin, natyrisht mbi bazën e rregullave, konkurseve dhe mendimit të specializuar. Por duhet të bëjmë gjithçka që Shqipëria 100 vjeçare të ketë atë pamje të bukur që nuk e ka pasur kurrë më parë, t’i japim një pamje të re, një pamje të merituar.”

Bashkëpunimi me trevat

“Do të bashkëpunoni me qeverinë e Kosovës, me autoritetet e Maqedonisë dhe Malit të Zi, në mënyrë që të nderojmë si komb këtë ngjarje që pavarësisht se ishte e përgjysmuar, qëndron në origjinën të gjitha ngjarjeve dhe zhvillimeve të mëdha të kombit këto 100 vjet. Shpallja e pavarësisë edhe në ato rrethana, dëshmon për mençurinë, e një burri vizionar të madh të kombit shqiptar, Ismail Qemali.”

Flamuri

“Në të tërë trashëgiminë tonë, ne nuk kemi asgjë më të bukur se këtë flamur, është flamuri më i bukur i botës. Duhet të bëjmë gjithçka që ky flamur në 100 vjetorin e pavarësisë të valëvitet në çdo ballkon shqiptarësh, në Shqipëri, në diasporë dhe në botë. Është fakt shumë interesant që ky flamur ka një gjallesë, ka një shqiponjë simbol të gjallë të tij dhe ka në çdo qelizë shpirtra të rënësh.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›