E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësisht motit të ftohtë, konsumi i energjisë më i ulët se vjet

Nga Fitim Zekthi

Konsumi ditor i energjisë elektrike ka shkuar në 22 milionë kilovatorë në ditë duke pësuar një ulje të qartë krahasuar me atë të ditës së parë të vitit, kur konsumi shkoi në 26 milionë kilovatorë energji elektrike. Të dhëna nga kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike bëjnë me dije se nuk ka ndërprerje të energjisë elektrike në asnjë pjesë të vendit, me përjashtim të rasteve të dëmtimit të linjave për shkak të motit të keq. Megjithëse moti është shumë i ftohtë, Shqipëria ka arritur ta ulë konsumin e energjisë në ditë të tilla krahasuar me vitin e kaluar, por edhe me dy vite më parë. Të dhënat e korporatës së energjisë bëjnë me dije se në kushte të tilla moti dy vite më parë konsumi ditor i energjisë shkonte deri në 26 milionë kilovatorë dhe në disa ditë të veçanta edhe në 27 milionë kilovatorë. Kjo gjendje vazhdonte për shumicën e ditëve të muajve të dimrit. Rritja e çmimit të energjisë elektrike me thuajse dy herë dhe kontrollet më të ashpra të kompanisë së shpërndarjes së energjisë kanë bërë që ngrohja me dru dhe me gaz të zëvendësojë ngrohjen me energji elektrike. Vitin e kaluar të dhënat e korporatës së energjisë tregojnë një konsum mesatar ditor për tre muajt e dimrit me rreth 23 milionë kilovatorë në ditë, megjithëse viti i vjetshëm pati një dimër shumë më të butë sesa ky i tashmi. Nuk ka të dhëna nëse edhe biznesi, i cili konsumon rreth gjysmën e energjisë që hidhet në rrjet, ka ulur konsumin apo e tërë kjo vjen për shkak të uljes së konsumit nga familjarët. Ekonomia vazhdon të ketë, sipas të dhënave të INSTAT, të njëjtin ritëm të rritjes ekonomike (madje edhe më të lartë sipas tij), çka do të thotë se biznesi vijon të ketë konsum të njëjtë ose edhe më të lartë. Gjendja në hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin është mjaft e mirë sa i përket nivelit të rezervës energjitike, megjithatë korporata e energjisë ka siguruar edhe energji nga importi për të gjithë muajt e dimrit. Çmimi është më i lirë sesa dy vite më parë dhe kjo ka ardhur për shkak të ofertës më të madhe që është aktualisht në tregun rajonal. Lidhur me masat për furnizimin me energji, në kushtet e motit të keq që ka përfshirë vendin, një prej zyrtarëve të OSSH, Shkëmbi, tha se grupet e rregullimit të avarive janë në gatishmëri, ndërsa janë furnizuar me bazën materiale të nevojshme për përballimin e situatave, mes të cilave edhe mekanizmat teknologjike, të cilat përcaktojnë defektet në kabllo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›