E Shtunë, 31 Tetor 2026

METE: Riparuam 80% të defekteve të shkaktuar nga bora

Në një deklaratë për shtyp Ministria e Energjetikës ka sqaruar lidhur me situatën e krijuar të ndërprerjes së energjisë, për shkak të dëmtimeve të pësuara. Sipas kësaj ministrie bëhet e ditur se janë riparuar 80 për qind e defekteve. 

TIRANE- Ndërkohë në një njoftim për median Ministria e Energjitikës ka sqaruar se në disa zona të vendit si ato veriore dhe verilindore ka patur ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të dëmtimit të linjave të tensionit të mesëm dhe të ulët. Ndër zonat më të prekura janë: Kukës, Has, Tropojë, Zona Malësi e Madhe, Vermosh, zona Dibër, Komuna e Arrënit dhe komunat e Lurës, Puke, Iballë si dhe një pjesë e rrjetit të shpërndarjes në zonën e Korçës, Librazhdit dhe Gramshit. Sipas deklarimit zyrtar të Ministrisë së Energjitikës grupet e gatishmërise dhe likuidimit të avarive të OSSH-së kanë funksionuar dhe kanë marrë të gjitha masat për eleminimin e defekteve dhe avarive të ndodhura. Që në ditën e djeshme dhe deri tani janë riparuar rreth 80 përqind e këtyre avarive. Probleme ka ne Vermosh, në dy komuna të Hasit dhe në një komunë të Kukësit. Nga ana tjetër sipas të njëjtit burim për të ruajtur linjat dhe rrjetin shpërndarës në Librazhd dhe Gramsh janë bërë ndërprerje të programuara me qëllim ruajtjen e rrjetit të shpërndarjes nga stuhia dhe mosdëmtimin e pajisjeve.
Në njoftim gjithashtu sqarohet se situata në kaskadat e lumenjve është normale. Si rezultat i shirave të ditëve të fundit niveli në hidrocentralin e Fierzës ka arritur në 284.6 metra. Prurjet aktualisht janë 250 metër kub në sekondë dhe në këtë hidrocentral po punohet me tre agregate, ashtu si dhe në Koman ndërsa në Vaun e Dejës po punohet me katër agregatë. Gjithashtu Ulëza, Shkopeti dhe Bistrica po punojnë me ngarkesë të plotë. Ndërkohë vazhdon të merret edhe energjia e kontraktuar e importit.
Sipas të dhënave të fundit të KESH, shtresa e dëborës në Fierzë është 20 centimetër, ndërsa në male trashësia e dëborës ka arritur mbi një metër, çka do të thotë prurje edhe më të mëdha në ditët në vijim. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›