Fullani-qytetarëve: Kujdes me këmbimin e valutës
“Monedha kombëtare leku, tha Fullani, - ka mbijetuar në kohë luftërash, krizash ekonomike dhe tranzicionesh shoqërore dhe politike, duke qenë një monedhë e denjë në tregun e këmbimeve valutore”
Qytetarët nuk duhet të nxitohen me këmbimin e valutës. Mesazhin e dha dje Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në takimin e fundvitit me median dhe grupe të tjera të interesit. "Natyrisht, lajmet të ardhura nga Europa për problemet me monedhën e përbashkët krijuan lajme dhe njëkohësisht këtë amulli në sistem, pa ndërhyrjen e autoriteteve, pati një vetëkorrigjim të tregut duke e sjellë atë në normalitet", - shtoi ai. Ai ka këshilluar qytetarët dhe biznesin të mos pozicionohen nisur nga zhvillimet e momentit. "Nuk është koha për të marrë pozicione, nuk është koha për të këmbyer valuta, sepse një lajm u kuptua në këtë mënyrë, apo një lajm tjetër do ju sjellë një risi tjetër. Përpara se të marrësh një informacion, një lëvizje në portofolin tënd, konsultohu menjëherë me profesionistët, konsultohu me bankën tënde", - tha Fullani. Mirëpo për të mos ngjallur një reagim në krahun e kundër, guvernatori Fullani ka vlerësuar edhe qëndrueshmërinë e monedhës kombëtare, lekut. Ai tha se monedha jonë kombëtare ka mbijetuar në kohë luftërash, krizash ekonomike dhe tranzicionesh shoqërore dhe politike, duke qenë një monedhë e denjë në tregun e këmbimeve valutore. Monedha vendase, leku është vlerësuar muajin e fundit sidomos në këmbim me monedhën e përbashkët, euro. Të tronditur nga zhvillimet në eurozonë, shumë klientë kanë nxituar të këmbenin kursimet e tyre nga euro në lekë, duke sjellë në këtë mënyrë një mbiçmim të monedhës vendase, lekut, në kuotat e 136 lekëve. Duke folur për zhvillimet më të fundit ekonomike, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani prezantoi dje anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së. Në fjalën e tij, ai theksoi se objektivi i Bankës së Shqipërisë është për të mbajtur nën kontroll inflacionin dhe për të ruajtur stabilitetin ekonomik të vendit. “Ne do të vijojmë me standardet më të mira. Ne jemi të ndërgjegjshëm për misionin tonë. Objektivi ynë është të ruajmë stabilitetin makro-ekonomik”, - ka theksuar më tej Fullani. Nga ana e tij, ministri i Financave, Ridvan Bode ka vlerësuar të gjithë ish-anëtarët e bordit mbikëqyrës të BSH-së, që sipas tij, me anë të politikave të ndërmarra bënë të mundur që vendi ynë të kapërcejë krizën ekonomike globale. “Ne kapërcemë me sukses goditjet e para të krizës pasi patëm një sistem ekonomik të qëndrueshëm, si dhe nga politika e ndjekur nga Banka e Shqipërisë. BSH duhet të përmbushë objektivin më kryesor, atë të rritjes ekonomike”, - ka theksuar Bode. Ndërkohë, Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani ka dhënë çmime për tre studentët më të mirë.