E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pazaret e Komunës

Një kontesti të gjatë pronësor ndërmjet një qytetari, ish-Ndërmarrjes shoqërore “17 Nëntori” dhe Komunës, pushteti komunal i Pejës i ka dhënë fund me një marrëveshje jo shumë të zakonshme.

Komuna ka bërë shkëmbim pronash me qytetarin Sali Kastrati. Atij i janë dhënë 17 arë në qendër të qytetit, afër Shtëpisë së Mallrave, në rrugën “Meto Bajraktari” në Pejë.

Në shkëmbim të kësaj hapësire, qytetari Sali Kastrati i ka dhënë Komunës një vend tjetër afër korzos si dhe 225 mijë euro diferencë.

Por më shumë se shkëmbimi i pronave ndërmjet Komunës dhe qytetarit, që është rast jo shumë i zakonshëm, në këtë rast, çështja është pak më shumë e komplikuar.

Ende nuk dihet saktësisht pronari legjitim i vendit prej 17 arësh, me të cilën Komuna ka bërë pazar me qytetarin Sali Kastrati.

Së paku kështu thonë zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), dikur ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM).

Madje AKP-ja, për këtë çështje, brenda kompetencave të veta ligjore, ka parashtruar padi për vërtetim pronësie dhe për caktimin e masës së përkoheshme pranë Gjykatës Komunale në Pejë.

Ylli Kaloshi, zyrtar për media në AKP, sqaron për Express se ish-AKM-ja gjatë mandatit të saj, e ka privatizuar “Shtëpinë e Mallrave”, si aset kryesor dhe ka shitur përmes likuidimit, edhe 19 lokale të tjera afariste, asete këto të Ndërmarrjes shoqërore “17 Nëntori”.

Sa i përket vendit prej 17 arësh me të cilën Komuna e Pejës ka bërë pazar, Kaloshi sqaron se kjo patundshmëri, e që është lokal afarist, evidentohet në listën e aseteve të ish- Ndërmarrjes “17 Nëntori“.

“Mirëpo nuk posedojmë dokumente relevante pronësore në emër të ndërmarrjes. AKM-ja atë kohë dhe AKP-ja sot, kanë tentuar disa herë të gjejnë ndonjë dokument të tillë“, thotë Ylli Kaloshi.

Ai tregon se për këtë çështje, AKP-ja ka hetuar në disa burime si në arkivin e ndërmarrjes, arkivin e qytetit, në Komunë, përkatësisht te Drejtorati pronesoro-juridik, por deri më tash pa sukses.

“Komuna ia ka drejtuar disa shkresa AKM-së atë kohë në lidhje me asetin në fjalë duke e njoftuar që kjo patundshmëri është pronë e Komunës, me të cilën gjë AKM-ja nuk është pajtuar, por gjithashtu nuk ka mundur të argumentojë kundërshtimin pa dokument pronësor në emër të ndërmarrjes“, shpjegon zyrtari i AKP-së.

“AKP-ja si administruese e ndërmarrjeve shoqërore, brenda kompetencave të veta ligjore, ka parashtruar padi për vërtetim pronësie dhe për caktimin e masës së përkoheshme pranë Gjykatës Komunale në Pejë”, thotë Ylli Kaloshi, zëdhënës i AKP-së.

Por nëse shumica e aseteve të kësaj ndërmarrjeje janë privatizuar, si ka mundësi që vetëm për këta 17 arë, në rrugën “Meto Bajraktari”, janë “përvjedhur” dhe kanë mbetur pronë e Komunës?

Kryetari i Pejës, Ali Berisha, thotë se në këtë rast, gjithçka është kryer konform ligjeve përkatëse dhe nuk ka asgjë të veçantë nëse Komuna ka bërë pazar me një qytetar.

Ai e pranon se në lidhje me këta 17 arë, ka pasur konteste të gjata pronësore nëse janë pronë publike apo private. Por sipas tij, është vërtetuar se kjo është pronë e Komunës.
“Është e vërtetë se individi i caktuar dhe Ndërmarrja ’17 Nëntori’ kanë pretenduar se ajo është pronë e tyre, por bazuar në dokumentet përkatëse, prona ka qenë edhe më parë e Komunës”, thotë Berisha për Express.

“Pjesa tjetër e hapësirës ku e ka marrë Komuna afër korzës në shkëmbim të këtyre 17 arëve, është në interes të saj për shkak të planit hapësinor”, thotë kryetari Ali Berisha.

Kreu i kësaj komune, sqaron se pronari i parcelës prej 17 arësh ka hequr dorë nga pretendimet e tij, pasi janë parë dokumentet se prona i takon Komunës.

Ekzistimin e këtij kontesti ndërmjet Komunës dhe ish-AKM-së e pranon edhe Ali Lajçi, ish-kryetar i Komunës së Pejës. Si nëpër mjegull ai e kujton këtë çështje, por nuk është në gjendje të sqarojë saktë se si ka qenë situata.

“Është tentuar të bëhet diçka me këtë pronë edhe në kohën kur unë kam qenë kryetar. Por nuk e di saktësisht. E di se ajo ka mbetur ashtu siç ka qenë”, thotë Lajçi për Express.

Përveç kontesteve pronësore, të cilat zyrtarët e Komunës i quajnë inekzistente, e ata të AKM-së, prezente, shkëmbimi i patundshmërive ndërmjet qytetarit dhe Komunës, duket si diçka e pazakontë në Kosovë.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, sqaron për Express se aktualisht ka rregullore, por projektligji përkatës që sqaron edhe situata të tilla, ende është duke u përgatitur.

“Sa për çështje të tjera, komunat kanë të drejtë të shfrytëzojnë të gjitha resurset e tyre”, thotë ministri Ferati për Express, i cili në pamundësi të gjetjes së rregulloreve përkatëse, nuk preferon të lëshohet në sqarime të hollësishme.

I pyetur nga Expressi se mbi çfarë ligji, Komuna bën shkëmbime pronash me qytetarë, Ali Berisha, kryetar i Pejës, fillimisht sqaron se gjithçka është kryer në mënyrë të rregullt.
“Ndërrimi i pronave mund të bëhet. Formohet Komisioni i posaçëm për vlerësim. Ky shkëmbim është bërë, sepse Komuna ka pasur interes për këtë”, thotë Berisha për Express.

Megjithëkëtë, për të kuptuar më drejt, ai sugjeron që të kontaktohet avokati Hysen Ibishi, i cili në këtë rast e ka përfaqësuar Komunën. Por kontakti me të është i pamundur.
Expressi e ka siguruar të plotë aktvendimin e Divizionit Pronësoro Juridik, sipas të cilit, dokumenti ndërmjet qytetarit dhe Komunës është nënshkruar më 16 dhjetor 2009 dhe mban numrin e protokollit 01-463-6938.

Në aktpajtimin ndërmjet palëve, në pikat 1 dhe 2, sqarohet vendndodhja e parcelave së bashku me numrat përkatës të kadastrës dhe detaje të tjera.

Në pikën 3 sqarohet shuma prej 225 mijë eurosh që qytetari duhet t’ia japë Komunës për shkak se 17 arët e saj janë vlerësuar më shtrenjtë sesa patundshmëria e tij.

Më tej në këtë aktpajtim të nënshkruar nga të gjithë zyrtarët përkatës, tregohen edhe data kur qytetari duhet të paguajë 225 mijë eurot, në formë këstesh, ku afati i fundit është deri më 31 shtator 2011.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›