E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm antena ilegale

"…Antena që shihet me sy edhe nga sheshi i qytetit, është vendosur para tri vitesh në pjesën e ndarë të Komunës, ku deputetët i mbajnë mbledhjet. Në anën tjetër të Bistricës. Zyrtar Komunal …" Sheshi i ri me një fontanë në mes dhe korzo përgjatë Lumëbardhit të lë përshtypjen e një qyteti kufitar që po normalizohet.

Kryetari i ri i Pejës, Ali Berisha, thonë qytetarët, ka vendosur të vërë në rend gjithçka në qytetin buzë Bjeshkëve të Nëmura. Për këtë shkak shumë kompani duhet të kalojnë procedura të stërngarkuara për të zënë vend në ndonjë qysh të qytetit. Por, jo edhe operatorët ilegalë të telefonisë mobile.
Antenat e operatorit Telekom Srbija gjenden kudo në Pejë. Ajo që të habit më së shumti kur qytetarët tregojnë me gisht për një antenë të re të vendosur pikërisht mbi objektin e Kuvendit Komunal. E operatorët legalë me vjet presin që kjo komunë t`u japë leje për vendosje.

Burime të gazetës Express tregojnë se antena është vendosur qe tri vjet mbi kulmin e objektit ku legjislativi i Komunës mban mbledhjet.

“Antena që shihet me sy edhe nga sheshi i qytetit, është vendosur para tri vitesh në pjesën e ndarë të Komunës, ku deputetët i mbajnë mbledhjet. Në anën tjetër të Bistricës”, thotë një zyrtar i kësaj komune. Ai ka frikë t`i përmendet emri për gazetë, se thotë që mund t`i hakmerren shefat e tij për zbulimin e këtij informacioni. Megjithatë, për kuvendarët kjo antenë nuk ekziston fare.

Arianit Dema, zyrtar për informim në Komunën e Pejës, thotë se të gjitha antenat përreth dhe mbi objekt janë të licencuara dhe disa janë të Postë-Telekomit të Kosovës, e disa të internetit.

Përveç kësaj, ai shpjegon vetëm ato antena që gjinden në objektin e Komunës në qendër të qytetit, ndërsa ato andej Lumëbardhit nuk i përmend fare.

“Këtu nuk ka antena të 064. Bile brenda objektit nuk ka as qasje në këtë operator, pasi jemi afër postës dhe kjo ka valë më të mëdha”, thekson Dema.
Sipas tij, inspektorët janë duke punuar që të eliminojnë veprimtaritë ilegale dhe në çatinë e zyrës ku ai punon gjinden tri antena, dy të postës, pasi që janë në objekt të përbashkët dhe një e internetit, që e shfrytëzon Komuna.

Ndërkaq, numri një i Pejës, Ali Berisha, në kohën kur ekipi i gazetës vizitoi këtë vend ishte në udhëtim zyrtar, ndërsa drejtoresha e Urbanizmit, Zana Radoniqi nuk gjendej në zyrë. Pavarësisht se operatorët ilegalë funksionojnë normalisht, Drejtoria për Urbanizëm po u bën pengesë të veprojnë operatorët e licencuar në Kosovë.

Telefonia publike Vala, tash e pesë vjet është bllokuar nga drejtuesit e Kuvendit Komunal të Pejës, duke mos lejuar të vendosin antena në territorin e kësaj komune, edhe pse paraqet të gjitha lejet për t`u shtrirë në këto anë.

PTK-ja kohë më parë i ka dorëzuar Agjencisë së Rregullatorit të Telekomunikacionit, një letër, ku u është kërkuar që të eliminojnë operatorët ilegalë, të cilët janë shumë prezentë në këtë pjesë të Kosovës. Gjithmonë PTK-së i është kthyer e njëjta përgjigje, që nuk mund të vendosin antena në zonën që kërkojnë, pasi nuk është e planifikuar me Planin rregullativ për të vendosur antenë në atë pikë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›