E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pazzini prezantohet tek Milan: Dua të shënoj sa gjysma e Inzagit!

Kur firmosi për Interin një vit e gjysmë më parë, me siguri Giampaolo Pazzini mendoi po të njëjtën gjë, gjithsesi gjërat për të tashmë marrin një drejtim krejt tjetër dhe sulmuesi u prezantua te tifozët kuqezi duke thënë se nuk mund të refuzohet kurrsesi një skuadër si Milani. Gjatë deklaratës së tij të parë për shtyp te klubi i tij i ri, 28-vjeçari u shfaq tepër entuziast.
Konferenca
Mund të them shumë gjëra për largimin tim tek Interi, por do të krijoja debate që do të zgjasnin një javë, ndaj nuk po them gjë, ka qenë fjalët e para të sulmuesit të ri të Milan. Dëshiroj të jem sërish futbollisti që kam qenë 5 muaj më parë, kohë në të cilën isha tepër i rëndësishëm edhe për përfaqësuesen italiane, ka vazhduar më tej ai.
Kasano dhe Inzagi
Pazzini nuk mund të linte pa përmendur edhe shkëmbimin mes tij dhe ish shokut të skuadrës te Sampdoria, Antonio Cassano. Në momentin kur u vura në dijeni për këtë shkëmbim i telefonova menjëherë Antonios. Nuk i di arsyet që e shtynë të largohej nga skuadra, por e vërteta është se ndihem shumë i lumtur që jam një futbollist i Milanit”. Sigurisht që edhe ndarja nga Interi nuk ka qenë aspak e thjeshtë për të, por duket se Pazzini e ka hedhur pas krahëve divorcin me zikaltërit. “Më telefonuan dhe më lajmëruan se nuk do të isha më pjesë e ekipit, madje as në ndeshjet miqësore. Besoj që është e kotë të mbaj inat pasi të vazhdosh të flasësh për të kaluarën, do të thotë të hapësh polemika pa vlerë”. I pyetur se sa gola kërkon të shënojë ne fanellën e Milan, Pazzini është përgjigjur me një batutë që kërkon të shënojë sa gjysma e golave te Filipo Inzagit. Ky i fundit i mikluar nga vlerësimi i Pazzinit e ka falënderuar atë nga faqja e tij e Facebook.
Ish-shokët
Gjithsesi, nëse mund të shërbejë si ngushëllim, pavarësisht mënyrës se si u largua nga Interi, Giampaolo Pazzini ndihet mirë pas mbështetjes që i kanë dhënë nëpërmjet mesazheve të ndryshme, ish shokët e tij të skuadrës, duke i treguar se për ta vazhdon të mbetet il Pazzo, ose ndryshe i çmenduri, pasi një vit më parë ishte pikërisht Pazzini që me 2 golat e shënuar ndaj Çesenës u prishi festën kuqezinjve për titullin kampion, ndërsa tani është ai që ka nevojë për Milanin. Sidoqoftë, kjo ndoshta është mënyra më e mirë që 28-vjeçari toskan të rikthehet ai i mëparshmi, e të prekë nga afër njëkohësisht edhe kombëtaren e Prandellit, të cilën e ëndërron aq shumë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›