E Diel, 1 Nëntor 2026

Peçi: Kërkesa ose keqdashje politike, ose miopi juridike

04/02/2011  Presidenti kthen mendje, refuzon dëshminë në komisionin hetimor

Një ditë më parë Topi u shpreh se mund ta jete dëshminë nga Presidenca

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka refuzuar prerë dje të dëshmojë para komisionit hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 janarit. Në rast se një ditë më parë kishte shfaqur në njëfarë mënyre gatishmërinë për të rrëfyer atë çka dinte para deputetëve të këtij komisioni, por me kushtin që këta ta merrnin dëshminë në selinë e Presidencës, dje ka nxjerrë sërish këshilltarin e tij juridik Spiro Peçi, i cili ka lënë të kuptohet se thirrja e Presidentit për të dëshmuar ka prapavijë politike. Sipas Peçit, është keqinterpretuar neni 14 pika, b e ligjit për komisionet hetimore. “Ky komision, me sa u deklarua, edhe nga përmbajtja e shkresës që sapo ka mbërritur pranë Presidentit të Republikës, pretendon që prej Presidentit të Republikës (po citoj shkresën) të mbledhë të dhëna dhe informacione zyrtare dhe jozyrtare si dhe dokumente. Komisioni mundohet të argumentojë se e mbështet kërkesën në nenin 14, germa b të ligjit “Për komisionet hetimore”. Në qoftë se ky ‘argumentim’ nuk përmban keqdashje politike, në rastin më të mirë është një miopi juridike. Neni i cituar, bën fjalë për të drejtën e Komisionit që të thërrasë titullarë institucionesh për pyetje dhe të kërkojë dokumente ose informacione zyrtare prej tyre. Vetëm ata që nuk kanë koncepte mbi institucionin dhe titullarët e institucioneve, si dhe nuk lexojnë apo nuk duan të lexojnë Kushtetutën e vendit, e njehsojnë Presidentin e Republikës me një titullar institucio”, - u shpreh Peçi. Sipas Peçit, Presidenti i Republikës nuk mund të cilësohet si titullar institucioni, pasi Presidenti vetë është njëkohësisht dhe institucioni. “Dua të theksoj se askush nuk mund të vërë në dyshim apo të komentojë faktin që Presidenti është institucion dhe jo titullar institucioni. Është pikërisht kjo arsyeja, midis të tjerave, që Kushtetuta e Republikës e ka vendosur Presidentin si institucion, duke i caktuar direkt kompetencat, të drejtat dhe detyrimet. Ashtu siç shpjeguam edhe në konferencën e ditës së djeshme, në bazë të nenit 92, në germën ‘h’ të Kushtetutës, duke qenë Presidenti një institucion, thuhet “kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështjet që kanë të bëjnë me detyrat e tyre. Në asnjë rast, Presidenti i Republikës nuk ka detyrimin për të dhënë informacione”, - tha Peçi. Ndërkohë që ishte pikërisht këshilltari i Presidentit që një ditë më parë shprehu gatishmërinë në emër të Topit për t’u përballur me pyetjet e komisionit, por në selinë e Presidencës, ku ushtron veprimtarinë e tij. “Dihet se komisionet hetimore të Kuvendit e ushtrojnë veprimtarinë e tyre, sidomos për metodikën e hetimit, në përputhje me dispozitat e Kodit për Procedurën Penale (pika 2 e nenit 4 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”). Referuar këtij detyrimi ligjor, po ju lexoj nenin 162 të Kodit të Procedurës Penale, që titullohet “Marrja e dëshmisë së Presidentit të Republikës dhe të nëpunësve të shtetit”, në të cilin thuhet: ‘Dëshmia e Presidentit të Republikës merret në selinë ku ai ushtron funksionet e kryetarit të shtetit. Në këto kushte edhe njëherë, duke shprehur gatishmërinë për të dëshmuar, në respekt të ligjit, Presidenti i Republikës do të përcaktojë mënyrën dhe kohën e realizimit për t’iu përgjigjur pyetjeve të Komisionit Hetimor’”, - tha Peçi një ditë më parë.

Regimi i kreut të Komisioni Hetimor

Halimi: Jemi gati që dëshminë t’ia marrim Topit në Presidencë

Kryetari i komisionit hetimor për ngjarjet e 21 janarit, Eduart Halimi, në një dalje para medieve u shpreh i gatshëm që dëshminë e Presidentit të Republikës ta marrë në selinë ku ai ushtron detyrën, pra në Presidencë. Sipas Halimit, Presidenti është thirrur në këtë komision si titullar i institucionit në dijeni për veprimtarinë e këtij institucioni më datë 21 janar. “Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e tij prof. dr. Bamir Topi, nuk është thirrur për të dëshmuar, siç parashikohet në nenin 16 të ligjit nr. 8891, datë 2.05.2002 ‘Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit’ dhe nenin 162 të Kodit të Procedurës Penale. Presidenti i Republikës është thirrur në këtë komision hetimor parlamentar për të përcjellë të dhëna, informacione dhe dokumente zyrtare si titullari i vetëm i institucionit të Presidencës, siç parashikohet në nenin 14, shkronja ‘b’ e ligjit nr. 8891, datë 2.05.2002 ‘Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit’. Ne shpresojmë se Presidenti do t’i përgjigjet këtij detyrimi ligjor”, - tha Halimi. Halimi shtoi se deputetët janë të gatshëm të shkojnë në selinë e Presidencës për të marrë të gjitha informacionet që mund të servirë Presidenti i Republikës në lidhje me këtë çështje. “Komisioni ketimor aktualisht është në fazën e mbledhjes së të dhënave, informacioneve zyrtare dhe jozyrtare dhe dokumenteve. Këto të dhëna merren edhe nga burime të drejtpërdrejta, siç parashikohet në nenin 15, pika 2, ligjit nr. 8891, datë 2.05.2002 ‘Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit’ nëpërmjet vizitave faktmbledhëse. Për këto arsye komisioni është i gatshëm, në përmbushje të këtyre detyrimeve të mësipërme ligjore, të zhvillojë këtë vizitë edhe pranë institucionit të Presidentit”, - tha Halimi.

Mbrojtja e Presidentit

I drejton mesazhe Kuvendit.

Ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit.

Cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve.

Kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre.

Pretendimet e Halimit

Kryen hetime sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.

Thërret titullarë institucionesh për pyetje, si dhe kërkon nga ata informacione ose dokumente zyrtare.

Merr në pyetje dëshmitarë dhe persona të tjerë.

Merr vendime sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj.

Përgatit dhe miraton vendimin përfundimtar të hetimit, së bashku me mendimin e pakicës.

Paraqet për miratim në Kuvend raportin përfundimtar.

Deklarata e Doris Pak

Opozita shqiptare po krijon një model negativ në rajon

Sjella e opozitës shqiptare duket se ka krijuar një model negativ në rajon. E këtij mendimi është eurodeputetja gjermane Doris Pak, e cila në një mesazh për klasën politike në Maqedoni heq një paralele të qartë mes opozitës në Shkup dhe asaj në Tiranë.

Sipas saj, opozitat në Shqipëri dhe në Maqedoni nuk punojnë në interes të vendeve të tyre dhe kërkojnë të krijojnë dyshime në Bruksel se vendet e tyre nuk e meritojnë BE-në. “Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, por dhe kolegët e saj në Shqipëri, nuk punojnë në interes të vendeve të tyre. Rezultati i vetëm nga protestat e tyre në rrugë shtojnë dyshimet te Bashkimi Evropian se vendet e tyre nuk janë të afta për të përmbushur standardet evropiane. Kjo sjellje është e papërgjegjshme. Në vend të protestave në rrugë, ata qëndrimet e tyre duhet t’i mbrojnë në Parlament”, - theksoi Pak në një reagim me shkrim për situatën politike në Maqedoni. Pak nënvizoi se Maqedonisë i duhet parlament funksional, për shkak se kanë mbetur shumë punë pa u përmbyllur në fushën e legjislativit, ndërsa populli i këtij vendi e meriton një demokraci funksionale parlamentare. Ajo ka mbrojtur vendimet e institucioneve të Maqedonisë lidhur me rastin e ngritjes së akuzave ndaj televizionit “A1”. “Nuk bëhet fjalë për shkelje të lirisë së medieve nga ana e qeverisë, por për procedurë normale gjyqësore kundër pronarit të këtij televizioni dhe firmave të tjera për shkak të dyshimeve për mashtrim dhe fshehje të tatimeve prej miliona eurove”, - theksoi kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore Doris Pak, duke i bërë thirrje opozitës që të rikthehet pranë institucioneve

Eurodeputeti Paul Rubig

Dhuna në protesta e papranueshme, policia bëri detyrën

Eurodeputeti gjerman Paul Rubig e ka quajtur të papranueshme dhunën ndaj institucioneve demokratike në Shqipëri, ndërkohë që është shprehur kundër zgjedhjeve të parakohshme në vend. Sipas tij, manifestimet janë një aktivitet normal, por ajo që s’mund të pranohet është përdorimi i dhunës “Manifestimet janë një aktivitet normal në demokraci dhe Shqipëria ka një reputacion për organizimin e manifestimeve të mira, por ajo që s’mund të pranojmë është prodhimi i dhunës dhe akteve kriminale. Futja me forcë e makinave në institucionet shtetërore është një akt kriminal dhe ne duhet t’i ndajmë gjërat mira, që manifestimet janë në përputhje me demokracinë, por përdorimi i dhunës, tensioneve, përplasjeve... ne nuk mund ta konceptojmë këtë aspak”, - tha eurodeputeti gjatë një interviste për “’ABC News”. Ndërkohë sipas tij, në rast dhunimi të institucioneve në çdo vend policia është e autorizuar të ndërhyjë, por shpreson që prokuroria ta zbardhë këtë çështje. “Forcat e rendit kanë rrezikuar jetën e tyre. Ata kanë rrezikuar jetën e tyre për të mbrojtur qytetarët shqiptarë dhe institucionet e tyre demokratike. Ata meritojnë të paktën një falënderim, që ata u vunë në rrezik për një Shqipëri jo të destabilizuar. Shpresoj që Prokuroria të vërtetojë pse disa persona në demonstratë ushtruan dhunë, pse ata janë fajtorë për dhunimin e institucioneve, pse ata dhunuan një institucion shumë të rëndësishëm si Kryeministria. Është e rëndësishme të vërtetohet kush është mbrapa dhunës, cili e organizoi demonstratën dhe në interesin e kujt ishte përdorimi i dhunës. Shpresoj që të mos ketë lidhje me zgjedhjet e 8 majit, sepse kjo do të sillte një rrjedhojë shumë negative për situatën në Shqipëri”, - tha Rubig, duke shtuar se zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsion që duhet marrë parasysh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›