E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punësimi në Itali, përfitojnë më të shpejtët

04/02/2011  Për 4500 kuotat e miratuara për shqiptarët regjistrohen më shumë se 9500 kërkesa

Shpërndahen 1685 kuotat e para, pjesa tjetër përcaktohet deri më 15 shkurt

Fluksi i kërkesave të paraqitura për shqiptarët që duan të punësohen në Itali nëpërmjet programit të dekretfluksit për 2010-n paraqitet të jetë tepër i lartë krahasuar me kuotat e aprovuara për vendin tonë. Për shtetasit shqiptarë nga ky program janë miratuar 4500 kuota pranimi për punësim në sektorë të caktuar. Ndërsa ditën e parë të pranimit të kërkesave on-line në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme Italiane (31 janar 2011) pohohet të jenë regjistruar më shumë se 9505 kërkesa për punësim. Kjo do të thotë se më të privilegjuarit në sigurimin e një vendi pune do të jenë ata që kanë paraqitur me herët kërkesat që nga nisja zyrtare e procesit të plotësimit. Nga Ministria e Brendshme e këtij shteti pohohet se pjesa dërrmuese e kërkesave të paraqitura janë për bashkëpunëtorë familjarë (punonjës të brendshëm shtëpie dhe kujdestar), ndërsa më të pakta kanë qenë kërkesat për punonjës të varur në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Procesi i aplikimit për shtatit shqiptar është mbyllur ditën e djeshme, ndërkohë janë regjistruar kërkesat për konvertimin e lejeve të qëndrimit sipas përcaktimeve të bëra.

Fluksi

Për shqiptarët janë paraqitur 9505 kërkesa kundrejt 4500 kuotave të rezervuara për ta. Si gjithnjë, edhe këtë herë numri i kërkesave është disa herë më i lartë se numri i kuotave të vëna në dispozicion nga dekreti për të gjitha etnitë. Në këto kushte, do të përfitojnë një kuotë më të shpejtët, kush ka arritur të nisë kërkesën vërtet minutat e para të vlefshme. Ndoshta për shqiptarët mundësia e përfitimit të një kuote mund të jetë e lartë, edhe për ata që kanë dërguar kërkesën gjatë dy orëve të para, pasi kërkesat e përgjithshme për ta janë diçka më shumë se dyfishi i kuotave. Në përgjithësi sistemi informatikë i mbledhjes së kërkesave të Ministrisë ka funksionuar mirë veçanërisht minutat e para kur edhe fluksi i dërgesave ka qenë më i lartë.

Shpërndarja e kuotave

Pas mbledhjes së kërkesave të regjistruara në ditën e parë të aplikimit janë shpërndarë edhe një pjesë e kuotave të flukseve 2010 nëpër krahina e provinca italiane. Për shqiptarët shpërndahen 1698 kuota ndër 4500 të parashikuarat nga dekreti. Konkretisht, që drejtoritë e punës dhe sportelet unike të mund të fillojnë shqyrtimin e kërkesave të paraqitura që më 31 janar për punësimin e punonjësve të huaj nga vendet me kuotat rezervuara, Ministria italiane e Punës ka përpiluar një shpërndarje paraprake të 20 mijë hyrjeve, duke klasifikuar edhe ndarjet e para për kuotat e aprovuara për vendin tonë. Ndarja paraprake është bërë duke mbajtur parasysh numrin e kërkesave të paraqitura më 31 dhjetor: Praktikisht, krahinave e provincave ku janë paraqitur më shumë kërkesa u janë dhënë më shumë kuota. Kështu, nga 4500 kuotat e shqiptarëve paraprakisht janë ndarë vetëm 1698: 318 në Lombardi, 263 në Reggio Emilia, 228 në Toskanë, 116 në Liguria, 96 në Lacio e kështu me radhë.

Shpërndahen ndër krahina një pjesë e kuotave për shqiptarët

Konkretisht ndarja për 1698 kuotat

Në Lombardi - 318 pranime

Në Reggio Emilia - 263 pranime

Në Toskanë - 228 pranime

Në Liguria - 116 pranime

Në Lacio - 96 pranime

Pjesa tjetër e kuotave do të shpërndahet në nivel

lokal brenda 15 shkurtit, pasi të merret edhe mendimi i enteve lokale.

Përcaktimet për kontratën e punës

Kontrata e punës që paraqet punëdhënësi italian duhet të parashikojë një orar jo më të paktë se 20 orë në javë dhe pagesa mujore minimale e garantuar është ajo e parashikuar nga kontrata kolektive kombëtare përkatëse, që ndryshon sipas kategorisë dhe profilit të punës së punonjësit. Gjithashtu punëdhënësi është i detyruar të sigurojë një banesë të përshtatshme (edhe shtëpinë e vet) të vërtetuar nga certifikata përkatëse.

Verifikimi i kërkesave dhe

autorizimi i vizës së punës

Pas marrjes së kërkesës Sporteli Unik do tia dërgojë kërkesën kuesturës për verifikimin e dëbimeve ose dënimeve të mundshme të punonjësit. Në rast aprovimi vetë zyra e përcjell kërkesën pranë Drejtorisë Provinciale të Punës për të verifikuar nëse ka ende kuota në dispozicion të aftësisë ekonomike të punëdhënësit dhe të respektimit të kushteve minimale të punës. Më pas mund të kërkohen dokumente plotësuese. Nëse verifikimet përfundojnë pozitivisht, punëdhënësi thirret për nënshkrimin e kontratës së qëndrimit dhe për lëshimin e autorizimit (nulla-osta) për punë, i vlefshëm për 6 muaj nga data e lëshimit. Punëdhënësi duhet tia dërgojë autorizimin punonjësit të huaj. Ky i fundit me këtë dokument origjinal dhe me pasaportën të vlefshme duhet të shkojë në konsullatën italiane për të kërkuar vizën e hyrjes për punë në Itali. Vetëm pasi të ketë marrë vizën shtetasi mund të vijë në Itali. Brenda 8 ditëve nga hyrja në territorin italian ai duhet të paraqitet në Sportelin Unik për të nënshkruar kontratën e qëndrimit. Më pas mund ti bëjë kuesturës kërkesë për lejeqëndrim pune, duke përdorur kompletin postar të formularëve.

Shoqata e pensionistëve në Fier

Paralajmërohet protesta për rritjen e çmimit të ilaçeve

Rritja me 10 për qind e çmimit të medikamenteve pas aplikimit të TVSH-së ka rebeluar pensionistët fierakë, të cilët kërcënojnë se do të hidhen në protestë kundër rritjes së çmimeve. Sipas kryetarit të kësaj shoqate në Fier, Ramiz Pashaj, vendimi i fundit që ka të bëjë me rritjen e çmimit të barnave mjekësore në këtë kohë krize të ekonomisë, por dhe pensioneve të papërballueshme do ti detyrojnë këta të fundit të hidhen në protestë. “Ne do të organizohemi edhe duke bashkëpunuar me shoqatat e tjera të pensionistëve në rrethe të tjera për të protestuar për rritjen e çmimit të barnave dhe vendosjen e TVSH-së në masën 10%”, - ka thënë Pashaj. Por sipas njërit prej farmacistëve të qytetit, Bilbil Hyka, pohohet se edhe pse vendimi ka nisur qysh më datën 1 shkurt për tu zbatuar, ska nisur ende të aplikohet TVSH-ja për barnat, pasi të gjitha farmacitë po punojnë me mallrat stok, ato që kanë ekzistuar nëpër depot farmaceutike. “Meqë ne nuk i kemi marrë me TVSH, edhe çmimin e këtyre barnave nuk e kemi rritur, - pohon Hyka. - Kur të vijnë barnat e reja nga grosistët, me pullën ku është afishuar edhe taksa me gjithë çmimin real të shitjes, atëherë do të jemi të detyruar të rritim çmimin nga 7-15% më shtrenjtë të barnave, ndryshe nga sa ka ndodhur deri më tani.” Lidhur me këtë problem kreu i degës së tatim taksave, Albert Malaj, pohon se vendimi për vendosjen e taksës te barnat mjekësore, e cila deri më tani nuk ishte zbatuar, ka filluar nga 1 shkurti. “Ne sigurisht do të hasim vështirësi, - ka thënë Malaj, - pasi po aplikohet për herë të parë vendosja e TVSH-së për barnat, ndërsa për mallrat e tjera është 20 për qind.” Duket se me ardhjen e barnave të reja ata që do ta ndiejnë më shumë vështirësinë ekonomike të rritjes së çmimit nga 7-15% më shumë do të jenë të sëmurët kronikë që vuajnë nga zemra, tensioni i lartë dhe pensionistët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›