Peci ia dorëzoi kredencialet mbretit të Suedisë

Ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, u prit sot në audiencë tek mbreti i Suedisë, Carl Gustaf XVI dhe me këtë rast ai i dorëzoi letrat kredenciale
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë, Lulzim Peci, sot në Pallatin Mbretëror të Suedisë në Stockholm u prit në audiencë tek Shkëlqesia e Tij, Mbreti i Suedisë Carl Gustaf XVI. Me këtë rast ambasadori i parë i Kosovës në këtë shtet skandinav i dorëzoi letrat kredenciale.
Në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Suedisë theksohet se ambasadori i Kosovës, Lulzim Peci, me profesion është inxhinier dhe ka magjistruar në relacionet ndërkombëtare. Një kohë ka punuar si lektor universiteti në Prizren në fushën e politikës së sigurisë politike kombëtare dhe ndërkombëtare.
Lulzim Peci njihet edhe si themelues i dy organizatave joqeveritare, Institutit të Kosovës për Hulumtime dhe Zhvillim dhe Fondacionit të Shoqërisë Civile.
Qeveria e Suedisë, më 4 mars 2008, e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur. Ndërkaq hapja e ambasadës së Kosovës në Stokholm dhe vendimi i Suedisë për ta ngritur përfaqësinë e saj diplomatike në nivel ambasade në Prishtinë, shënojnë një fazë të re të zhvillimit bilateral ndërmjet dy vendeve.