E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ndan 2 milionë € për Graçanicën e Shtërpcën

Qeveria e Kosovës ka ndarë 2,1 milionë euro, nga rezerva e paparashikuar, për realizimin e disa projekteve kapitale në Komunën e Shtërpcës dhe asaj të Graçanicës.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe i Financave (MEF), Bedri Hamza, tha në mbledhjen e radhës së ekzekutivit, se zotimi i mjeteve për komunën e Graçanicës dhe Shtërpcës bëhet me qëllim të mbështetjes dhe përkrahjes së komunave të reja sidomos atyre me popullsi të përzier.

“Qeveria ka premtuar zotimin e shumës prej 2.1 milionë eurove. Zotimi i kësaj shume bëhet nga rezerva e paparashikuar e Qeverisë, ndërsa me rishikimin e buxhetit kjo shumë do të ndahet në ministritë e caktuara. Këto mjete, të cilat propozohen të ndahen për komunën e Shtërpcës dhe Graçanicës ndahen për projekte të ndryshme”, tha Hamza, transmeton KosovaPress.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Nenad Rashiq, ka përmendur premtimin e kryeministrit Hashim Thaçi për përkrahjen e komunave të reja, në mënyrë që të tregohet niveli i lartë i demokracisë.

“Nga ato 1 milion euro, 500 mijë janë të zotuara nga ana juaj...E di se kryeministri ka qenë prezent dhe ka thënë se do të rregullohet lumi. Ju vetë keni thënë se ne i përkrahim ato komuna të reja që janë shumë me rëndësi që të tregojnë sa demokratikë jemi ne”, ka thënë Rashiq.

Mirëpo zv/ministri Hamza, ka thënë se janë lënë 500 mijë euro si shumë fleksibile që mund të përdoren për projekte, të cilat përfaqësuesit e këtyre komunave i konsiderojnë si projekte të rëndësishme që duhet të realizohen në këtë fazë.

Banorët e Shtërpcës dhe të Graçanicës, kjo e fundit e krijuar rishtas si komunë, kanë marrë pjesë në përqindje të kënaqshme në zgjedhjet komunale të 15 nëntorit, të organizuara nga Prishtina.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›