Rexhepi shpreson ende në rivotim

Kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Gjilanit, Fatmir Rexhepit, nuk i ka mjaftuar vendimi i Gjykatës Supreme për të hequr dorë nga kërkesa për rivotim.
Ai ende mban shpresa në një vendim përfundimtar të Gjykatës Supreme për ta dërguar Gjilanin në rivotim, ashtu siç pat vendosur Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (KZAP).
Të mërkurën, Gjykata Supreme hodhi poshtë udhëzimin e KZAP’së për rivotim në Gjilan. Ky vendim shtyri PDK’në t’i bëjë ftesë publike KQZ’së që ta certifikojë Qemajl Mustafën si kryetar të Gjilanit.
Por, Fatmir Rexhepi ende nuk është dorëzuar. “Gjilani duhet të shkojë në rivotim. Vendimi ende nuk është përfundimtar dhe Gjykata Supreme ka kërkuar fakte shtesë nga KZAP’i kur ka vendosur për Gjilanin”, ka thënë Rexhepi, për Express.
Gjykata Supreme ka kërkuar sqarime shtesë nga Rexhepi si paditës. “Sot e mora aktvendimin lidhur me apelin tonë që e kemi bërë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të KQZ’së që nuk e ka zbatuar vendimin e KZAP’së. Gjykata ka kërkuar dy-tri sqarime teknike dhe pas plotësimit të tyre, do të kemi një vendim”.
Ai thotë se KQZ’ja nuk mund t’i certifikojë rezultate pa përfunduar procedura në Gjykatën Supreme. “KQZ e ka ba bërllok herën e kaluar, prandaj unë pres se edhe aktgjykimi i marrë dje kërkon nga KZAP’i që t’i ofrojë argumentet për vendimin e tyre”.
Rexhepi insiston se ka pasur manipulim votash në Gjilan, gjatë raundit të dytë të garës për kryetar të Komunës. “Në Gjilan ka pasur hajni dhe vjedhje masive të votave nga PDK’ja”, ka akuzuar ai.
Nëse KQZ’ja i certifikon rezultatet e Gjilanit pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rexhepi konsideron se ky do të ishte një gabim i radhës. “E bëri gabimin e parë kur e nxori Gjilanin nga rivotimi për qëllime politike dhe tash nuk guxon të përsërisë gabimin. Duhet të presë vendimin përfundimtar të Gjykatës”, ka porositur ai.
Në rast se certifikohen rezultatet e Gjilanit dhe shpallet fitues Qemail Mustafa i PDK’së, kandidati i LDK’së thotë se nuk do ta njohë atë.
“Instalimi i një kryetari me vota të vjedhura do t’i bënte dëm qytetit të Gjilanit - Mekës së Demokracisë. Ne nuk do ta njohim një kryetar që merr pushtetin me votat të vjedhura”, ka konstatuar ai.
Nga ana tjetër, kandidati i PDK-së, Qemajl Mustafa, ka thënë të enjten se vendimi i Gjykatës Supreme për anulimin e vendimit të KZAP-it për Gjilan ishte i natyrshëm, pasi që sipas tij, KZAP-i nuk kishte argumente të qëndrueshme për të shkuar në rivotim.
“Fitorja ime është përligjur tani definitivisht dhe se është çështje teknike formalizimi i certifikimit. Besoj që KQZ-ja, këtë do ta bëjë në afatin më të shpejtë të mundshme, që mund të jetë që në seancën e ditës së premte, ose më së largu në fillim të javës tjetër”, ka thënë ai, për KosovaPress.
Duke komentuar qëndrimin e Rexhepit, Mustafa ka thënë se ai është një kandidat problematik të cilit nuk i intereson ndërtimi i demokracisë në komunë, nuk i intereson ndërtimi i mekanizmave të shtetit, por i ka interesuar që nga fillimi si të bëhet me çdo kusht kryetar i Komunës.