E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Pedagogët sërish në protestë, kreu i Sindikatës: Arsimi publik të jetë prioritet i qeverisë

Pedagogët kanë zhvilluar ditën e sotme sërish protestë duke kërkuar rritje të buxhetit në arsimin e lartë. Gjatë protestës së tyre para Universitetit të Politeknikut, pedagogët kanë paralajmëruar protestë të përgjithshme të hënën në orën 11.00.

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi kërkoi rritjen e buxhetit në Arsimin e Lartë dhe plotësimin e kërkesave të tyre pasi do të sjellin ndryshimin në sistem. Ai tha se arsimi duhet të jetë prioritet i qeverisë për të ardhmen e vendit.

“Pa buxhetim nuk ka ndryshim në situatën e arsimit të lartë, të tjerat janë llafe. Kryesorja është rritja e buxhetit për arsimin e lartë. Nëse kjo nuk rritet kjo do të jete kënetë, të tjerat janë lustra. Ne do vazhdojmë me protesta, për sa kohë ai thotë se nuk do ketë rritje rroga. Ne nuk mund të biem në  nivelin e gjendjes aktuale. Ne nuk duhet ta lejojmë braktisjen e studentëve. Kërkojmë rritje të buxhetit për arsimin e lartë. Autoritetet, qeveria dhe institucionet e tjera, po ashtu dhe politikës që me këtë rast ta fusë në axhendë prioritare parlamentare gjithë çështjen e arsimit publik. Jemi në rrugën tonë, të duhur”, tha Kovaçi.

Një ditë më parë pedagogët zhvilluan protestën e tyre të parë kombëtare në të gjithë vendin ku  kërkonin rritjen e pagave por edhe mbështetjen e studentëve që t’i bashkoheshin protestës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›