Pehlivanët dhe qerratenjtë e institucioneve
Arben Zenelaj / Dr. Shkencash
Nxitje për këtë shkrim u bë pyetja që një mik në rrjetin social Facebook, shtronte për kuptimin e fjalës “pehlivan”. Pas rënies së temperaturave elektorale dhe rritjes së atyre stinore, një tjetër lloj temperature ka zënë një pjesë të shoqërisë. Kjo është temperaturë e pushtetit, që ndodh çdo 4 vjet, sa herë ka zgjedhje parlamentare.
Ethet që kapin grupet shoqërore në këtë rast kanë të bëjnë me ethet e pushtetit të humbur dhe atij të fituar. Nuk e shoh problematike ambicien e grupimeve, apo individëve të caktuar për pushtet, kur ai synon të përdoret për të bërë punë të mira. Ai, pra pushteti, bëhet i rrezikshëm kur përdoret për qëllime të mbrapshta. Në këtë rast ky pushtet quhet, i kapur nga këto grupime, të cilat shfaqen si biznese dhe synojnë të vendosin njerëzit e tyre në pushtet.
Dhe kur kjo nuk bëhet e mundur lëshohen në mësymjen e sponsorizimeve në fusha të caktuara. Për të qenë më konkretë, kur flitet për shëndetësinë të gjithë e dinë se ka dy sektorë, publik dhe ai privat, të cilat funksionojnë me të mirat e të metat respektive. Sektori privat ka kontribut pozitiv në shërbim të shëndetit, por nuk mund të pranohet reklamimi jo i vërtetë se kardiokirurgjia, kardiologjia invazive, ortopedia etj., u lindën dhe zhvilluan në sektorin privat.
Jo, këta tipa biznesmenësh e dinë mirë se nuk kanë lënë gur pa lëvizur, për të dëmtuar, asfiksuar e rrënuar sistemin publik dhe atë privat konkurrente. Për këto lloj lëvizjesh u është dashur koperturë politike dhe drejtues butaforik të institucioneve shëndetësore publike. Tashmë që pushteti ndërron duar, këta pehlivanë, përpiqen të ndërrojnë padronë, duke u vetëofruar si zgjidhje e problemit, pa e parë veten si pjesë e rëndësishme dhe më e neveritshmja e tij. Këtyre qerratenjve, u duhet treguar vendi nga të gjitha grupimet e tjera, politike, mjekësore e civile. Mjaft është mjaft.
Nuk mund të ketë institucione shëndetësore publike serioze, kur në dyert e tyre, e aq më keq brenda territorit të tyre, ngrihen ato private. Kapja e pushtetit prej këtyre lloj pehlivanëve të biznesit, duhet të marrë fund përgjithmonë. Ata duhet të mësohen me rregullin e të barabartit mes të barabartëve, pa kërkuar privilegje që nuk kanë asnjë arsye profesionale apo ligjore që t’i kenë, duke luajtur rëndë me jetën e pacientëve të trajtuar në institucionet publike. U përpoqa që në mënyrën time të ndihmoj shokun tim në Facebook për një lloj pehlivani.