Standardi, mjet bashkimi dhe mbijetejese*
Doan Dani/Studiues
Gjallëria e debateve mbi rishikimin e standardit të shqipes, që për habi rrugëtojnë në kah të kundërt me kërkesat për daljen nga ngurtësia e shkencës së historisë, ku, këtu, rishkrues dhe jo të standardit i gjen në të njëjtin koalicion konservimi, dëshmon vazhdimisht – fatkeqësisht jo në formën e diskutimeve – sa traditën e polarizimit të shoqërisë shqiptare, duke filluar pikësëpari nga elitat, aq edhe ekzistencën e problemit të pazgjidhur të gjuhës. Duhet thënë se shqipja standarde bart tre stereotipa “biografikë”: ndjesia e mosfunksionimit, megjithëse paradoksalisht, u masivizua nga regjimi; origjina e saj jugore, që, si stereotip, ushqen plagën e vjetër kombëtare të lumit Shkumbin. Për aq kohë sa do të ekzistojë konceptimi i shqipes në këtë mënyrë, rrjedhimisht nuk do të shterojnë as debatet.
Nuk e mohoj që këto tre “njolla biografike” të shqipes janë fakte, por qasja ndaj tyre i ka shndërruar në stigma, dy të parat direkte dhe e treta gjarpëruese... Kur vjen puna pastaj për ndonjë alternativë të zgjidhjes së ngërçit, çështja bëhet komplekse dhe nuk mendoj se mund të zgjidhet me frymën herderiane dhe romantike sipas së cilës «bashkimi kombëtar gjendet në shpirtin e gjuhës e jo në germën e saj», pasi gjuha është prekshme nga shqisat më shumë se shpirti, e si e tillë kërkon fizicitet, i cili shprehet nga standardizimi. Nuk besoj, që për t’i bërë të kuptueshme për nxënësin modern “Chanson de Roland”, “La divina commedia” apo, në shtëpinë tonë, letërsinë e bejtexhinjve, francezë, italianë dhe shqiptarë duhet të rishikojnë standardet përkatëse. Thelbi, mendoj, qëndron tek vetë koncepti i standardizimit, që nënkupton procesin e përcaktimit dhe shndërrimit në normë të njësuar. Jo më kot zëri standard në fjalorin shqip shpjegohet si «send i përgatitur me përmasa, trajtë e cilësi të caktuara». Detyrimisht standardi është e vetmja uniformë e pranuar, e ngushtë ose e shëmtuar, që «përgatitet» në një laborator dhe përhapet me ose pa dëshirën e konsumatorit.
Noam Chomsky, përdor shprehjen (sipas tij) e Max Weinreich, «gjuha është një dialekt me ushtri dhe marinë [pas krahëve]», pikërisht si përkufizim metaforik i gjuhës standarde dhe i përhapjes së saj. Me fjalë të tjera, standardizimi, i ndërmarrë nga komunizmi, që në mekanizmat e imponimit noton natyrshëm në ujërat e tij, apo nga sistemi më demokratik ekzistues, do të jetë gjithmonë një proces sheshimi i diversitetit, e për rrjedhojë nuk ka shumë logjikë mënjanimi i një uniforme gjuhësore, me pretekstin se kjo është produkt i një regjimi, kur çdo uniformë është «e përgatitur» dhe e imponuar.
Paradigma vlen edhe për modelin nga ku pretendohet reforma e shqipes standarde, që thjesht duke huazuar përcaktimin «gegërishte», siç vërehet qartë në reagimet kundër gjuhëtarit Rami Memushaj, ka bërë një hap të sigurt drejt sheshimit të shumëllojshmërisë të folmeve nga Shkumbini në Tivar, Mitrovicë, Preshevë dhe Dibër e Madhe. Natyrisht, ‘shkodranishtja letrare’ është e lëvruar, por ky është justifikim i brishtë që rrezikon të kthehet në bumerang në një të ardhme kur dikush do të ndjehet i legjitimuar të pretendojë ri-reformimin gjuhësor sipas standardit të një elite specifike, e kështu me radhë çdo rreth elitar që ka vendosur të identifikohet në një të folme. Shtojmë këtu edhe justifikimin tjetër: jemi të përçarë dhe nuk ndjehemi të përfaqësuar.
A nuk kanë të drejtë diversitetet e këtij rajoni të kërkojnë respektin e të folmeve të tyre? Uniforma gjuhësore, si shumë të tjera, është mjet bashkimi dhe mbijetese të organizuar. Pa dyshim Kisha, ashtu si shumë institucione dhe besime të tjera fetare, ka meritën e standardizimeve të shumta gjatë historisë dymijë vjeçare, që kanë veshur me petkun e njësuar botëkuptime, sjellje, modele jetese, etj., të masave të tëra njerëzore. Por Kisha ka edhe një meritë tjetër të veçante, ndryshueshmërinë. Në Koncilin e II të Vatikanit u vendos braktisja e gjuhës së vdekur latine nga përdorimi liturgjik, me gjithë bagazhin e saj të jashtëzakonshëm kulturor në nivel global, dhe ky është shembull i mirë i ndryshimit të standardit, të ngurtësuar me Kundëreformën në kurriz të standardeve të atëhershme vulgare...
Natyrisht, nuk i mohoj shkodranishtes letrare ëmbëlsinë dhe magjinë e mundësuar nga mjeshtëria e lëvruesve të saj, ashtu siç nuk mohohet domosdoshmëria e ndërhyrjeve tek shqipja standarde. Mirëpo kjo nuk nënkupton imponimin e një standardi të dyfishtë, ose self-service, në të cilin, për më tepër, vlera e modelit rishikues qëndron tek nostalgjia e lavdisë së kaluar, më shumë se sa tek përdorimi i tij masiv, pa anashkaluar se ky model ndryshon nga një përdorues në tjetrin.
*Titulli është redaksional
/Botuar edhe në www.e-zani.com/