E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peizazhet e “Nëntorit 11”, dora si në diktaturë

Ndonëse sot është 28 nëntori, dita e pavarësisë, dhe në Galerinë e Arteve çdo vit ngrihet një ekspozitë për ta respektuar këtë datë historike – kjo nuk ka ndodhur. “Nëntori 11” që mbledh një grup piktorësh të traditës, për shkak të telajos, janë larguar pa asnjë gjurmë. Aq ishte afati për të qëndruar hapur, por buja e ardhjes dhe ikjes duket se i ka lënë në mëshirë të kalendarit të GKA-së, thjesht si një datë që duhej hapur ekspozita e radhës.

Në Galerinë Kombëtare të Arteve, tashmë është kthyer në një traditë që në kuadër të festës së flamurit t’i kushtohet një ekspozitë e përvitshme, të cilën e kanë njohur me “Nëntori”. Ajo është çelur që më 15 nëntor, ndërkohë që para disa ditësh ajo i ka lënë vendin një tjetër ekspozite. Me dhjetëra piktorë nga e gjithë Shqipëria kanë gjetur mundësinë që japin një farë kontributi në nderim të festës së pavarësisë. Ndërkohë që vizitorët kanë konsumuar veprat me motive të ndryshme artistike, një frymë paksa kritike na tregon edhe piktori Bujar Zajmi. Nuk është pjesë mes piktorësh në “Nëntori”, por pasi kalon të gjitha veprat njëra pas tjetrës, tregon përshtypjen e tij rreth kësaj ekspozite, kësaj herë me syrin e një të “huaji”. “Kjo ekspozitë mua më duket një veprim shumë i mirë, për faktin se gjallëron së tepërmi jetën kulturore, jo vetëm të kryeqytetit, por të gjithë Shqipërisë. Këtu marrin pjesë shumë piktorë, dhe një pjesë e vogël skulptorësh nga i gjithë vendi ynë. Një ekspozitë e tillë përgjithësisht të jep një kënaqësi tjetër, sepse në brendësi të saj ke mundësi të shohësh veprat e shumë emrave të njohur, si dhe një larmi e cila e karakterizon këtë ekspozitë”, - shprehet Bujar Zajmi. Por jo gjithçka e plotëson artistikisht, pasi sipas tij, jo të gjitha veprat e renditura në ekspozitë i përkasin një niveli të kënaqshëm për një sërë arsyesh. “Unë mendoj që në këtë ekspozitë duhet të ishte edhe më i thelluar origjinaliteti i krijuesit. Unë kërkoj që në një vepër të artit figurativ të ketë ide të tilla, pra figurative dhe jo të ilustrojë diçka nga jeta. Mendoj kështu, sepse ajo çka unë kërkoj është një specifikë e arteve figurative, të cilat shpeshherë nuk kuptohen as nga krijuesit e saj. Ata na servirin ne jetën e gjallë dhe për këtë unë nuk jam i këtij mendimi, sepse jeta e gjallë ekziston dhe nuk është e nevojshme që ta ribëjmë dhe të interpretohet në një telajo. Mbi të gjitha ne nuk kemi të drejtë ta themi nëse e ka krijuar Zoti apo natyra”, - thotë Zajmi, duke shtruar se “natyra ekziston, madje është shumë e bukur dhe e përsosur. Po ta kopjosh nuk mund të quhet më një vepër arti, por më të do të kuptojmë thjeshtë një plagjiaturë. Arti figurativ është diçka tjetër. Nëpërmjet saj, ti ke mundësinë të transmetosh një ide siç mund ta japë muzika nëpërmjet elementeve të saj, e në këtë kuptim mendoj se muzika është një ndër artet më të avancuar, e në këtë kontekst pse të mos jemi edhe ne të tillë?”. Nuk nguron të na demonstrojë edhe shembuj ilustrativë, ku nëpërmjet piktorit Niko Progni, për të cilin shprehet se “ai ka sjellë në këtë ekspozitë një peizazh shumë të thjeshtë. Por ai operon grafikisht me anë të siluetave. Një grumbull me dhe ai nuk e transmeton vetëm si të tillë, por ai e pasuron edhe me element të tjerë plotësues. Nuk e kam fjalën për anën e përgjithshme si kompozicioni, dritë-hijet etj. Por këtu ka një ndershmëri pikture, sepse për mua ky aspekt është shumë i rëndësishëm, të jesh i ndershëm ndaj vetes fillimisht dhe jo kundrejt të tjerëve. Që do të thotë se unë jap veten dhe jo natyrën”. Ai shton se një piktor i vërtetë nuk do të përcjellë një ambient që arrijnë të shohin të gjithë me sy të lirë, por një tjetër aspekt që vetëm piktori e përfytyron. “Ai duhet të sjellë ty diçka që është parë ndryshe nga ne. Dua të shikoj tek secili një befasi, një gjetje kritike tërësisht tjetër nga realja”, - thotë piktori.

Sipas tij, ndryshe ka ardhur Qirjako Meniko, i cili i në veprën e tij ka kultivuar motive të thjeshta dhe më tepër theksin e vë tek ideja e nxjerrjes në pah të çdo detaji në objektet që paraqet. “Në pamje të parë, ai duket sikur piktura e tij ka një varfëri ngjyrash, por në fakt është krejt e kundërta. Është pikërisht kjo kulturë e ndërthurjes së ngjyrave me njëra-tjetrën tregon një bukuri të veçuar. Koloristikën nuk e bën sasia e madhe e ngjyrave. Ato që i kërcasin ngjyrat dalin jashtë loje”, - thekson ai.

Ndërkohë që veç përshtypjeve lidhur me veprat e kolegëve të tij, ai tregon edhe arsyen që e ka nxitur atë për të përjashtuar veten nga kjo veprimtari. “Nuk mora pjesë në ekspozitë, sepse nuk më pëlqen të vij në një ekspozitë në grup. Më pëlqen më tepër vetmia, të jem i veçantë, pasi edhe në këtë mënyrë edhe punoj. Theksoj rastin që unë vetë kam qëndruar 50 vjet pa hapur një ekspozitë, shto këtu edhe faktin që atëherë ishte edhe koha jo shumë e përshtatshme që nuk përkonte aspak me shijet e mija. Unë pikturoja njeriun, jo atë të detyruar, por atë të përjetshëm me qëllim që të jetë edhe nesër, një ditë kur ne të mos ekzistojmë më”, - shton Zajmi.

Piktori na vë në dukje edhe të metat e ekspozitës. Thotë se ka shumë peizazhe që të kujtojnë dështimet në art, një përsëritje e kohës dhe e natyrës, të cilat nuk thonë asgjë. “Nuk dua të vendos gishtin diku, por dua të theksoj se edhe nëse pikturojmë natyrën dhe njeriu nuk është i pranishëm, unë mendoj se ai duhet të jetë i qenësishëm në atë mjedis të kornizuar. Duhet të ndihet dora e tij, mendja e tij. Fillimisht mund të duket e parealizueshme, por kjo është meritë dhe strategji e piktorit për ta arritur këtë lloj projekti”, - përfundon ai.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›