E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama, fjalim popullit rus: Lufta e Ftohtë ka marrë fund

 

Presidenti Barak Obama e nisi ditën e dytë të qëndrimit në Moskë me bisedime me drejtues të biznesit rus, takimin për herë të parë me kryeministrin dhe ish-presidentin, Vladimir Putin, që konsiderohet nga shumë analistë si personi më i fuqishëm në Rusi dhe e vazhdoi me një fjalim për popullin rus. Para takimit me Putin, Obama tha se “mund të mos dalim me marrëveshje për çdo gjë, por mendoj se mund të flasim me një ton respekti të ndërsjellë dhe të konsultohemi në një frymë që është në të mirë si të popullit amerikan ashtu edhe atij rus”. Pas takimit, presidenti iu drejtua popullit rus nga Departamenti i Studimeve Ekonomike Pasuniversitare në Moskë. “Së pari, më lejoni të shprehem qartë: Amerika dëshiron një Rusi të fortë, në paqe dhe begati. Kjo bindje i ka rrënjët në respektin tonë për popullin rus dhe në të kaluarën tonë të përbashkët që përfshin më tepër se thjesht rivalitet”, tha ai duke shtuar se bindja e vjetër e Luftës së Ftohtë se Amerika dhe Rusia nuk mund të jenë tjetër përveçse kundërshtare, në rivalitet për sfera influence, është e gabuar. Por presidenti e bëri të qartë se në përpjekjet për të identifikuar interesat e përbashkëta, nuk do të sakrifikohen parime që ai i konsideron të rëndësishme. Ai foli për rëndësinë e të drejtave të njeriut dhe në mënyrë diplomatike përmendi edhe statusin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës, dy republika ish-sovjetike, të cilat e kanë akuzuar Moskën për ndërhyrje në punët e brendshme. Presidenti u takua më pas me udhëheqës të biznesit rus dhe anëtarë të opozitës ruse.
Michelle mahnit fëmijët rusë
Ndërsa bashkëshorti i saj bënte marrëveshje politike në Kremlin, zonja e parë amerikane, Michelle Obama, ka mahnitur fëmijët rusë. Ajo ka vizituar dje një shkollë për fëmijë të varfër dhe një kolegj infermieresh, që të dyja pranë një katedraleje ortodokse ruse. 24 fëmijë të varfër, të veshur me rrobat e tyre më të mira dhe të vëzhguar nga agjentë sigurimi amerikanë dhe rusë, kanë kënduar në anglisht dhe rusisht për zonjën Obama, e cila duartrokiste sipas muzikës. Pak orë më pas ajo me dy vajzat presidenciale, Sasha dhe Malia, bashkë me zonjën e parë ruse, Svetlana Medvedev panë një shfaqje me fëmijë në teatrin në qendër të Moskës. Të gjithë fëmijët rusë i shprehën se Michelle Obama ishte e mahnitshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›