E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pekin 2008" ul siparin. Mirupafshim në "Londër 2012"!

 

Dje (ora 14:00, me orën tonë) u zhvillua ceremonia e mbylljes së edicionit të 29-të të Lojërave Olimpike

Në orën 21.23 në Pekin (15.23 me orën shqiptare) u shua në stadiumin olimpik "Foleja e Zogut" pishtari olimpik, duke i dhënë fund edicionit të 29-të të Lojërave Olimpike. Pishtari u shua pasi përfundoi ceremonia e mbylljes, që zgjati gati 90 minuta. Gjithë sportistët, trajnerët, organizatorët, vullnetarët dhe, natyrisht sportdashësit në mbarë botën, do ta kujtojnë gjatë atë që përjetuan për 16 ditë me radhë. Pikërisht ajo çka ndodhi për më shumë se dy javë u pasqyrua edhe dje në ceremoninë e mbylljes, ku u pa qartë kënaqësia e organizatorëve, për triumfin në olimpiadën e shtëpisë. Fishekzjarret e shumta nuk munguan edhe dje, ku akrobatët e pranishëm në ceremoninë e mbylljes formuan figura të shumta, duke krijuar emocione të mëdha te të pranishmit. Më pas është radha e parakalimit të delegacioneve, që vendosen në mesin e fushës, duke formuar një gjysmërrethi. Si gjithnjë, i fundit parakaloi flamurmbajtësi i Kinës. Përqafime, fotografi dhe gëzim mes të pranishmëve dhe sportistëve, që hyjnë së bashku në fushën e stadiumit olimpik. Në qendër të fushës vendoset podiumi dhe jepen medaljet e maratonës së meshkujve, ndërkohë që edhe shumë fëmijë hyjnë në fushë, duke shoqëruar mjaft yje të sportit ndër vite. Presidenti i CIO-s, Rozhe, dhe ai i Kinës, Liu Qi, e deklarojnë të mbyllur Olimpiadën. Flamuri me 5 rrathë i jepet kryebashkiakut të Londrës, Boris Xhonson, nga kryebashkiaku i Pekinit, Guo Jinlong. Devid Bekam shkelmon një top, si shenjë e Lojërave të ardhshme Olimpike në Londër. Më pas, muzika, vallëzimet dhe fishekzjarret mbyllin ceremoninë. Nga 8 deri më 24 gusht, Pekini dhuroi emocione të mëdha në botën e sportit, por tashmë sipari i Olimpiadës është ulur. Nga 27 korriku deri më 12 gusht të vitit 2012 do të zhvillohet olimpiada e ardhshme në Londër. Deri atëherë, mirupafshim!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›